Faliment zinxhir te prodhuesit shqiptarë, mijëra punonjës po humbin punën

0
60

Një faliment zinxhir ka përfshirë prodhuesit vendas, si rrjedhojë e rritjes së kostove të brendshme dhe uljes së kërkesës në tregun ndërkombëtar. Njësitë më të vogla të prodhimit, me rreth 100 punonjës, kryesisht në prodhimin e këpucës, po diversifikohen në sektorët e turizmit dhe pasurive të paluajtshme.Fabrikat e mëdha janë në limite të ekzistencës, teksa po mbijetojnë duke shkurtuar kostot dhe duke ndryshuar klientët drejt vlerës më të lartë. Industria e përpunimit të ushqimeve për eksport po diversifikohet në prodhim për tregun e brendshëm. Punonjësit po përshtaten me më shumë vështirësi. Si po e ndryshon stili i jetesës dhe inflacioni kërkesën për këpucë, shkruan Blerina Hoxha në Monitor.

Fabrika e prodhimit të këpucës “Nito” në zonën e Mamurrasit u mbyll duke çuar në shtëpi më shumë se 100 punonjës, teksa administratori i saj, zoti L. Turku, po mendon se si të nisë gjithçka nga e para në një sektor tjetër.

Ai ka filluar përpjekjet për të hapur një aktivitet në sektorin e pasurive të paluajtshme në shitje-blerje dhe qiradhënie në zonat e turistike. Si z. Turku, me qindra njësi të prodhimit të këpucës po përballen me falimentin, teksa njësitë më të mëdha të prodhimit po shikojnë rënie drastike të porosive.

Kjo krizë, më e forta e 15 viteve, i ka vënë bizneset para zgjidhjeve të vështira. Njësitë e vogla po mbyllen dhe po shkojnë drejt sektorëve të tjerë si turizmi, aktivitetet e pasurive të paluajtshme dhe industria ushqimore, ndërsa fabrikat e mëdha po përshtaten, duke kaluar në segmente më të larta të prodhimit dhe duke shkurtuar kostot e brendshme nëpërmjet rritjes së produktivitetit.

Më të cenuarit duket se janë punonjësit, të cilët kanë kaluar më shumë se 20 vjet duke qepur këpucë dhe e kanë të vështirë të përshtaten në sektorë të tjerë.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në fabrikat e prodhimit të këpucës ishin të punësuar rreth 20 mijë persona në vitin 2022, por të dhënat nga industria tregojnë se një pjesë e madhe e tyre kanë humbur punën muajt e fundit.

Falimentet më të mëdha kanë ndodhur në rrethe dhe në fabrika që kishin të punësuar nën 120 punonjës, që punonin kryesisht me nënkontraktim, të cilat kishin norma më të ulëta fitimi dhe nuk ishin në gjendje të përballonin krizën.

Që në vitin 1947, kur u hap fabrika e parë e prodhimit të këpucës në Tiranë, Shqipëria ka krijuar një traditë që vijoi me intensitet edhe gjatë tranzicionit, duke prodhuar për markat më prestigjioze të tregut si “Prada”, “Tood’s”, më tej “Geox”, “Clarks” etj.

Shqipëria krijoi një emër të mirë sidomos në tregun italian dhe fabrikat nisën të prodhonin për segmentet e larta të konsumit, me një çmim më të lartë. Mirëpo lufta në Ukrainë ndryshoi sjelljen konsumatore, që e kombinuar me ndryshimin e stilit të jetesës, e ka goditur rëndë industrinë e prodhimit në Shqipëri. Faktorët e brendshëm si nënçmimi i euros dhe rritja e pagave minimale po bëjnë që shumë njësi të ulin përgjithmonë qepenat e aktiviteteve.

Në vitin 2023, eksportet e këpucës në sasi shënuan rënie vjetore me 16%, e cila vijoi me të njëjtat ritme edhe në janar 2024.

Por ekonomia e tregut e gjen rrugën si rrjedha e lumit, pasi bizneset kanë nisur të diversifikohen në sektorë të tjerë, teksa sfida më e madhe mbetet për punonjësit, të cilët duket se po zgjedhin pensionin e parakohshëm, në vend që të ripërshtaten.

Pothuajse i gjithë sektori i prodhimit bazuar në eksport është në vështirësi nga zhvillimet në kursin e këmbimit dhe tani bizneset janë duke gjetur zgjidhje në diversifikim brenda sektorit, apo edhe duke kaluar në sektorë të tjerë.Kompania INCA në Lezhë, që operon në sektorin e agropërpunimit për eksport, ka instaluar një linjë prodhimi për tregun vendas, duke prodhuar një fertilizues të ri organik për bujqësinë./MONITOR

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here