Dhimbja ka kujtesë të fortë!

0
233

kujtesRamiz Memçaj

Ish i burgosur politik

 

(Për hir të së vërtetës: Komandanti Meto Kondi ose hesht, o kërko falje po qe paksa burrë…)

 

            Në “Intervistën”, që sapo ka dhënë për gazetën Telegraf, Meto Kondi, ish komandanti famëkeq i burgut famëkeq të Spaçit (ose Spaçhauzenit siç e quanim atëhere), si ish funksionar e shërbëtor sahanlëpirës i diktaturës, jo vetëm se ka guximin dhe cinizmin të fshehë e të tjetërsojë të vërtetën, por mundohet të dalë edhe si bamirës i të burgosurve intelektualë, madje edhe si humanitar, si përmirësues i gjëndjes e kushteve në kamp! A thua se Spaçhauzeni ishte një kamp pushimi dhe jo kampi – burgu ku kishte ndodhur revolta e majit të vitit 1973, e cila ishte shtypur me 4 të burgosur të pushkatuar dhe me mbi 80 të burgosur të ridënuar deri në 25 vjet!

Në vitin 1978, kur erdhi me emërim nga lart, ky “zotëria”, represioni ishte në kulmin e vet dhe ky shërbëtor i regjimit, madje dha kontributin e tij modest, që represioni dhe tmerret të shtoheshin. Në kohën e drejtorllëkut të tij, në mënyra demonstrative, para gjith të burgosurve kanë ndodhur tortura e skena tmerri të denja për kampet naziste, si ata që i kishim parë nëpër filma. Kështu u arrestuan Xhelal Koprencka, Veiz Caci, Kurt Kola e Dedë Begeja. Ky zotëria “bamirës”, bashkë me komisarin Shahin Skura e me operativin e kampit Kosta Prifti (I njohuri me nofkën “teneqeja” se, ishte 50 kile në kandar me gjith kapotë), ishin autorët shpirt djallëzorë të kësaj maskarade krimnale!

Në vitin 1979, nga kampi i Spaçit janë dënuar 4 vetë me vdekje. Tre nga këta u dënuan për letra dërguar udhëheqies së lartë për ndërrim të kursit, ndërsa Ahmet Hoxha u dënua edhe pse kishte 20 vjet burg si përsëritës për arratisje nga kampi! Janë arrestuar dhe dënuar në dy grupe mbi 20 vetë. Shumica ridënoheshin me mbi 10 vjet, që ishte edhe si standarti i ridënimeve me gjyqe false, me dëshmitarë fallco të përpunuar e të specializuar nga operativi. Vendimet jepeshin “në emër të popullit”, por pa popull, në një dhomë nga gjyqtarë të neveritshëm, megjithse i njihnin fare mirë ata dëshmitarët profesionistë me dëshmi të rreme.

Në vitin 1979, Spaçi ishte furnitori i Degës së Punëve të Brendëshme të Rrëshenit, me të burgosur të ridënuar nëpër biruca. Janë riarrestuar me 6 qershor 1979, nga birucat e kampit, Xhemal Tota, Mihal Pasha, Rrahim Hoshafi dhe unë Ramiz Memçaj. Më pas për të dytën herë u riarrestua në kamp Mersin Vlashi e lista vazhdon Ylber Darova, Spiro Andonopulli etj…

Ah, u lodha…

Po si nuk u kujtove njëherë të kërkoje falje për gjitha ato gjynahe?! Dhe mbasi ke heshtur për kaq vite, tani e ruajte të tregoje “bamirësitë” tuaja?! E di mirë ti se me kë je treguar “bamirës intelektualësh”, me ata tipat si puna e Telat Agollit, m.q.s. e ke përmendur vetë dhe si … që dolën dëshmitarë të rremë në gjyqin e Xhelal Koprenckës, e në sa e sa gjyqe ridënimesh.

Por, po qe se ke diku ndonjë farë burrërie e ndershmërie të fshehur, ose më drejtë ndonjë farë brerje ndërgjegjie, kërko paksa falje më përpara, o komandant famëkeq! Por, nëqoftëse ke vendosur të luash rolin hipokrit të Ponc Pilatit, mos harro: “Dhimbja ka kujtesë të fortë”!!

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency