Andi Bushati: Drejtorët e Veliajt, këta hajdutë përtacë

0
73

Leximi i dosjes që çoi në burg tre nga drejtorët e rëndësishëm të Bashkisë të Tiranës, duke hetuar edhe plot të tjerë, nuk vërtetoi vetëm egzistencën e një bande të strukturuar grabitësish, por theu njëkohësisht edhe mitin e pompuar nga Veliaj, për zotësinë dhe profesionalizmin e stafit të tij.

Maringlen Qato, Redi Molla dhe Taulant Tushe kanë vjedhur si amatorë duke i bërë gjërat sheshit dhe duke lënë gjurmë pothuaj në çdo hap. Gabimi i tyre i trashë dhe i shefit që i ka udhëzuar nuk është vetëm fakti se ata ngritën kompaninë 5D, të cilës i jepnin paratë që tenderonin vetë. Problemi i tyre nuk ishte dëshira për të vjedhur, por se atë e bënë halldupçe, si amatorë, me naivitetin e një fëmije që i fut dhëmbët çokollatës që i del para syve.

 

Po të shikosh historikun e skemës që kanë ndërtuar llahtarisesh nga banaliteti i veprimeve të bëra.

Ata krijojnjë një shoqëri me aksionerë fallco, në vitin 2016, pothuajse menjëherë pas fitores së bashkisë, dhe pa kaluar as një muaj nga themelimi, i japin asaj paratë e para publike. Në 8 vite e kanë bërë këtë së paku me 22 tendera, në miliona euro. Kjo ndërmarrje megjithëse ka fitime të mëdha dhe dividentë të pa shpërndarë shitet në disa duar me çmime qesharke, pa çarë askush kokën se kjo mund të vinte erë. Edhe më indeferentë tregohen drejtorët që janë pronarë realë në caktimin e pronarëve fiktivë. Ky “nder” i bëhet fillimisht një elektriçisti, e më pas një bukëpjekësi. Ata nuk merakosen se të gjithë punonjësit e kompanisë që fiton punë publike i njohin padronët e vërtetë, madje siç pohon edhe njëra prej tyre, e dinë që me ta është edhe Erion Veliaj. Bisedat e traskriptuara nga telefonët dhe kompjuterat që ka sekuestruar prokuroria, dëshmojnë se vendimet merren nga drejtori i mbrojtjes së teritorit, Marenglen Qato dhe shefi i ujësjellësit, Redi Molla. Ata të rekrutojnë në punë, ata zgjidhin konfliktet e brendëshme, ata sigurojnë punët, atyre u bie telefoni i administratorit. Madje, madje, janë aq idiotë sa ruajnë blloqe ku figurojnë paratë që tërheqin dhe dividentet e majme që ndajnë vit pas viti. Nga këta libra të zinj kuptohet lehtësisht se sa kanë fituar “R” dhe “M” nga fondet që i kanë kaluar vetvetes.

Qoftë edhe deri këtu budallallëku është me okë, por verbëria e tyre i çon përpara në lënien e gjurmëve sikur të jetonin në një botë sureale paprekshmërie.

Ngaqë leku rrjedh lumë dhe nuk dinë ku ta çojnë vendosin ta investojnë atje ku lahen paratë e qelbura të Tiranës, në ndërtim. Por hidhen edhe pak më tej. Në bregun e Ardiatikut. Pikërisht atje ku ajo punonjësja e përgjuar i thotë mikut të saj: “ky është hoteli i firmës ku punoj dhe ku është pronar edhe Lali”. Sikur ky ekspozim uluritës të mos mjaftojë, kërkojnë nga Edi Rama dhe e marrin, pa një pa dy, firmën e tij për statusin e ‘investitorit strategjik” në turizëm.

A ngopen? A kanë frikë se mos pikasen? Aspak. Sepse përpos parave i’u duhen edhe vota. Sipas shprehjes që u ka mësuar lideri, “duhet të vjedhin zgjedhjet për të vjedhur vendin dhe duhet të grabisin Shqipërinë që të kenë mundësi të blejnë vota”.

Të njëjtët drejtorë pronarë përbëjnë edhe shtabin elektoral të rizgjedhies së Erion Veliajt. Madje sikurse lexohet në bisedat e gjetura në celularët e kapur i detyrojnë punonjësit e kompanisë private “5D” që të përfshihen ne fushatë. Askush nuk e vret mendjen se sa më shumë hapa hedhin aq më të dukshme janë gjurmët që lënë.

Kështu, për ta përmbledhur, një grup drejtorësh të bashkisë krijojnë një kompani për të përfituar paratë që kanë për detyrë tu’a tenderojnë bizneseve të normale, kur fitimet e saj bëhen të mëdha i investojnë në aktivitete të tjera duke përfituar sërish favore nga shteti dhe më në fund, të gjitha këto së bashku i shfrytëzojnë në favor të zgjedhjeve, për të rimbajtur Erion Veliajn në zyrën e bashkisë. Gjithçka e bëjnë aq hapur, aq trashë, aq budallakisht sa kur e lexon dosjen hetimore duhet të fërkosh sytë për të kuptuar se nuk je në ëndër.

Në fakt kjo lehtësi e padurueshme e të vepruarit është lajmi i vërtetë i fashikujve volumizozë të saj. Sepse deri më tani, shumica e dinin se bashkia e Tiranës ishte projektuar si një makineri e madhe grabitjeje. Mënyra si blente mediat, gazetarët, këngëtarët, humoristët nuk linte asnjë dyshim për këtë. Por të gjithë këta sëbashku, duke shitur shpirtin, kishin krijuar edhe mitin e një Tirane të drejtuar prej njerëzve të punës. Njerëz që kishin klas, që ndërtonin bukur e me standart, që ishin më të lëçitur se rivalët e tyre. Shpesh kishte nga ata që thonin: “Vjedhin vjedhin, ama dinë të lënë vepra të mira”.

Pikërisht kjo bestydni naive u përdhos nga ajo çka po marrim vesh këto ditë. Ata nuk paskan qenë vetëm hajdutë, por edhe amatorë. Dhe kur janë treguar aq të vegjël mendërisht, aq të varfër në imagjinatë dhe aq jo krijues në fshehjen e gjurmëve, nuk kanë se si të kenë qenë të ndryshëm për ne. Kur kanë qenë aq përtacë për të përmbushur misionin kryesor që i patën vënë vetes, ka zero shance të kenë lënë ndonjë gjurmë talenti mbi Tiranën.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here