Teliti: Qeveria mblodhi 700 mln euro më shumë taksa në 2023, të ardhura që u shtuan nga rritja e çmimeve dhe e taksave 

0
188

DEKLARATË E KËSHILLTARIT PËR ÇËSHTJET EKONOMIKE NË PD, DORIAN TELITI:

Të dashur qytetarë!

Jam këtu për të bërë transparencë mbi çfarë na ka kushtuar jetesa gjatë vitit të kaluar dhe se çfarë kemi përfituar ne qytetarët e këtij vendi, qofshin ne konsumatorë apo sipërmarrës.

Pas denoncimeve të herë pas hershme që kemi bërë gjatë vitit 2023 po nga kjo foltore mbi vlerësimet negative që ekonomia jonë ka marrë nga institucionet ndërkombëtare, siç ishte ai i Institutit Ndërkombëtar për Taksat që e rendiste Shqipërinë në vendin e parë.

Përsa i përket tatimit mbi punën, apo pas gjetjeve tejet shqetësuese të raportit të Departamentit te Shtetit ku konstatohet se korrupsioni i vazhdueshëm në sektorin publik, gjyqësor dhe prokurimet publike, konkurrenca e pandershme dhe e shtrembëruar, ekonomia e madhe informale, pastrimi i parave, ndryshimet e shpeshta në legjislacionin fiskal dhe zbatimi i dobët i kontratave janë sfida të vazhdueshme për investimet dhe të bërit biznes në Shqipëri, apo edhe shqetësimi madhor i kësaj dekade që është shpopullimi dhe emigrimi sidomos i fuqisë punëtore të re në moshë dhe të kualifikuar, përveç lajmeve të trishta të ndarjes për së gjalli të familjeve shqiptare, pas raportimeve mujore nga Instat-i qeveritar për rritjen shpeshherë dyshifrore të shportës së ushqimeve, pas qëndrimit të BERZH-it që ka vlerësuar se kënaqësia e të jetuarit në Shqipëri është në të njëjtat nivele me ato të vitit 2006, disa të dhëna të tjera shqetësuese janë raportuar tashmë zyrtarisht nga Qeveria dhe Ministria e Financave.

Bëhet fjalë për raportimin e treguesve fiskale të vitit 2023, rezultatet e të cilave në pamje të parë do ishin një lajm i mirë duke marrë parasysh faktin që qeveria ka vjelur plot 700 milionë euro më shumë të ardhura sesa viti pararendës, por kur shikon që këto para nuk kanë ardhur nga një zhvillim ekonomik gjithëpërfshirës, por në pjesën dërrmuese si pasojë e rritjes së çmimeve të papërballueshme për pjesën më të madhe të familjeve, nga rritja e taksave, nga rritja kontributeve shoqërore që kanë ardhur thjesht si pasojë e rritjes së pagës minimale në shkallë vendi dhe e rritjes së pagave kryesisht për klasën drejtuese politike dhe administrative, në këto momente e kuptojmë se edhe ky lajm i fundit është thjesht dekurajues dhe i shtohet listës së gjatë të halleve që ka vendi.

 

Gjatë 2023 të humburit rezultuan qytetarët, familjet dhe sipërmarrja vendase, të cilët paguan 700 milionë euro më shumë taksa, por këto para nuk ju kthyen mbrapsht asnjërës prej këtyre tri kategorive për një jetesë më të mirë apo me shërbime më cilësore.

Gjatë 2023, familjet në ndihmë ekonomike dhe ato me persona me aftësi të kufizuar, morën vetëm 3.3 milionë euro më shumë sesa ajo që morën gjatë vitit 2022.

 

Gjatë 2023, për indeksimin e pensioneve, për bonusin gjysmë gjel të fundvitit, rritjen e pagave, bonusin e bebeve dhe kompensimin financiar për ish të përndjekurit politikë u shpenzuar rreth 130 milionë euro, vlerë kjo e njëjtë me financimin buxhetor që u krye po gjatë vitit të kaluar për atë grushtin e kontratave koncesionare PPP, të cilat përveç se klienteliste, tashmë janë zbardhur edhe nga prokuroria si afera të qarta korruptive, sic është rasti i sterilizimit apo inceneratorit të Tiranës.

 

Për sipërmarrësin vendas, asnjë ndihmë nuk u dha nga buxheti shtetit gjatë 2023, duke i lënë ata në mëshirë të fatit, sidomos kur bëhet fjalë për prodhuesit dhe eksportuesit e sektorit fason, lajmet për falimentimet e të cilëve tashmë janë dicka normale dhe pjesë e rutinës ditore të kronikës gri ekonomike. Këta të fundit u lanë të harruar nga qeveria në betejën e tyre të egër me efektet negative të zhvlerësimit të ndjeshëm të euros.

 

Shumë humbën, ama disa nuk u harruan asnjë ditë, dhe ata janë ata që kanë përfituar dhe vazhdojnë të përfitojnë tendera pa garë në kufi të vlerës së fryrë të fondit limit, ata që ofrojnë e përfitojnë lukset qeveritare, apo edhe ata që ditët i kalojnë duke vjedhur e abuzuar financat e shtetit dhe darkat i kalojnë me pushtetarët për të mbyllur pazarin e radhës.

 

Këto janë të vërtetat e trishta që shumë herë i kemi ngritur me zë të lartë. Tashmë zgjidhja është një dhe vetëm një: qe te mos largohet populli duhet larguar qeveria!

 

Qytetarët folën fort në 20 shkurt! Këtë vend e duam dhe i ka të gjitha mundësitë për të qenë një atdhe normal për të jetuar e rritur fëmijët. Qe te mos vazhdoje te jete vend i vjedhur 20 shkurti duhet te jete edhe me i madh!

 

O sot o kurrë!

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here