Pastrimi i parave/ Gjykata e vendosi në sekuestro, Ministria ende nuk e ka bllokuar Agon Channel-in

0
175

Artan Cena

Francesco BecchettiAgjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara pranë Ministrisë së Financave ende nuk kanë zbatuar vendimin, me arsyetimin e problemeve procedurale

Edhe pse kanë kaluar gati dy javë nga vendimi i Gjykatës së Tiranës për sekuestrimin e aseteve të Francesco Becchettit, Ministria e Financave ende nuk ka zbatuar këtë vendim. Sipas prokurorisë, Agjencia e Administrimit të pasurive të sekuestruar dhe konfiskuar pranë ministrisë së financave ende nuk kanë zbatuar vendimin, me arsyetimin e problemeve procedurale. Prokurorët thonë se është kërkuar ngritja e një grupi pune, të përbërë nga agjencia e administrimit të këtyre pronave, policia, përmbarues, tatime dhe prokurori për të bërë ekzekutimin e vendimit në terren. Nga ana tjetër, ende ky grup nuk është ngritur çka ka sjelle edhe mos zbatimin e vendimit për administrimin e televizionit Agon Channel. Ndërkohë në zbatim të vendimit, bankat kanë sekuestruar të gjitha llogarit bankare të familjes Bechetti.

 

Administratori shtetëror

Gjykata e Tiranës ka vendosur që një administrator shtetëror të administrojë në masën 60% televizionin Agon Channel, pas sekuestrimit të tij për shkak të akuzave për pastrim parash. Në vendimin e sekuestrimit preventiv të kompanive të Becchettit dhe të personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në këtë skemë, siç janë Liliana Condomitti dhe Mauro De Renzis, thuhet se për ekzekutimin e vendimit dhe administrimin e pasurive që do të sekuestrohen, ngarkohen administratorët e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara. Ende nuk është e qartë nëse mund të procedohet me ndërprerjen e transmetimit, por kjo ka pak mundësi të ndodhë, pasi pjesën tjetër të aksioneve e kanë në pronësi aksionerë të tjerë, të cilët nuk janë nën hetim.

 

Sekuestrimi i kompanive

Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar pas lejes së dhënë nga gjykata, 60% të aksioneve të shoqërisë “AgonSet”, shoqëritë “Energji”, “Cable System”, “400KV”, “Fuqi”, si bllokon llogari bankare të tyre në banka të ndryshme, të gjitha të administruara nga shtetasit Francesco Becchetti, Liliana Condomitti, Mauro de Renzis dhe Erjona Troplini, të cilët janë të dyshuar si të përfshirë në një skemë gjigante pastrimi parash, e cila arrin në miliona euro. Prokuroria e Tiranës, Njësia Task-Force, pas një hetimi të nisur në vitin 2014 në bazë të materialit referues nga ana e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ka siguruar deri më tani prova të mjaftueshme për të krijuar dyshimin e arsyeshëm se personat e mësipërm kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Falsifikimit të dokumenteve tё kryer nё bashkëpunim dhe më shumё se njё herё” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.

 

Qëlloi gjatë mitingut të Xhelal Mziut, në kërkim Liman Lita

 Kërcënimi me pistoletë që iu bë pardje kandidatit demokrat të Kamzës, Xhelal Mziu, në fshatin Paskuqan ka sensibilizuar Policinë e Shtetit, e cila ka shpallur në kërkim 39-vjeçarin Liman Lita. Policia njoftoi dje: “Më datë 16.6.2015, filloi procedimi penal dhe punohet për kapjen e shtetasit L. L., 39 vjeç, banues në Tiranë, sepse në rrugën “Havzi Nela”, Paskuqan 1, dyshohet se është konfliktuar dhe ka penguar kandidatin për zgjedhje në organet vendore të subjektit të PD-së, Xhelal Mziu, i cili ka qëlluar më pas me një armë zjarri në rrugën e asfaltuar. Më pas kanë ndërhyrë dhe i kanë marrë armën mbështetësit e kandidatit të PD-së shtetasit: 1- P. K., 38 vjeç, 2-Z. K., 45 vjeç, 3-I. L., 30 vjeç dhe 4-A. P., 42 vjeç, banues në Tiranë dhe shtetasi Liman Lita është larguar me mjetin e tij. Në cilësinë e provës materiale u gjet në asfalt e u sekuestrua një predhë plumbi, arma pistoletë tip “TT”, dhe një krehër me 5 fishekë”.

 

Itali, “predatorët e shtëpive” 3 shqiptarë në pranga për vjedhje

“Predatorët e shtëpive”. Kështu ishte koduar operacioni i policisë së Mondovit në Itali, që ka dërguar në pranga 3 shqiptarë dhe janë bërë një sërë kontrollesh. Bëhet fjalë për shkatërrimin e një bande që merrej me grabitjen e banesave në këtë zonë. Gjatë aksionit në pranga janë vënë, Çlirim Nezaj, Albis Rexhepaj dhe Adand Vuthaj të cilët sipas policisë janë autorët e dyshuar të një sërë vjedhjesh të ndodhura në këtë zonë. Që nga mesi i muajit tetor të vitit të kaluar dhe deri në maj të këtij viti, kishin ndodhur një sërë vjedhje banesash. Në zonën e Lisio në 20 dhjetorin e kaluar njëra prej këtyre vjedhjeve ishte bërë në një banesë ku kishte pasur njerëz. Baba e birë kishin ndjerë zhurma në katin e parë të ndërtesës dhe pasi kishin zbritur ishin përballur me grabitësit. Ata të dy ishin përballur me reagimin e dhunshëm të 3 grabitësve. Ata kishin bërë më pas identifikimin e të dyshuarve dhe i kishin treguar policisë. Pas disa muaj hetimesh ishte bërë i mundur që ata të kapen dhe të vihen në pranga gjatë ditës së djeshme.

 

“Udhëtari”, prangosen dy të rinj, po trafikonin dy adoleshente në Kosovë

Policia e Elbasanit, në kuadër të operacionit të koduar “Udhëtari”, ka arrestuar dy persona, të cilët po tentonin të trafikonin në Kosovë dy vajza, njëra prej tyre e mitur. Nga ana e Seksionit Kundër Trafiqeve, në policinë e Elbasanit, është finalizuar me sukses operacioni i koduar “Udhëtari”, ku dy persona janë arrestuar nën akuzën e trafikimit të qenieve njerëzore. Si rezultat i punës hetimore prej tre muajsh, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, gjatë mbrëmjes së djeshme është bërë realizimi i operacionit, ku në kushtet e flagrancës u arrestuan, Platin Çekrezi, 26 vjeç, banues në fshatin Gjergjan, Elbasan, për veprat penale të “Trafikimi i të miturve”, “Trafikimi i personave të rritur”, si dhe Erlind Kateshi, 26 vjeç, banues në fshatin Bishqem-Fushë, Komuna Pajovë, Peqin, për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur” dhe “Trafikimi i të miturve”. Si rezultat i hetimeve, mësohet se këta persona, në bashkëpunim me njeri-tjetrin kanë tentuar të trafikojnë në Kosovë shtetaset, B. K., 16 vjeçe, banuese në Durrës dhe A. R., 19 vjeçe, banuese në Elbasan. Çekrezi dhe Kateshi, janë arrestuar në orët e mbrëmjes duke tentuar të kalojnë dy shtetaset për në Kosovë nëpërmjet Pikës së Kalimit të Kufirit Morinë, Kukës, me automjetin tip “Ford Fiesta” me targa AA 113 DJ, në pronësi të shtetasit Platin Çekrezi. Gjatë kontrollit të ushtruar nga specialistët e Seksionit të Trafiqeve të policisë së Elbasanit, në bashkëpunim me policinë e Morinës, këtyre shtetasve u janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 5 aparate telefoni celular, 300 Euro, 4 pasaporta, automjeti tip “Ford Fiesta” me targa AA 113 DJ dhe tre karta identiteti. Materialet në ngarkim të të arrestuarve i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprat penale “Trafikimi i të miturve”, “Trafikimi i personave të rritur” e kryer në bashkëpunim.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here