Formulari SKY ECC, vrasës për Ramën, Ballën, Olsin, ministra, deputetë…

0
575

DeSKY-izimi i politikës, drejtësisë, pushtetit lokal, administratës, biznesit, medies, nuk është më në dorën e përdoruesve. PO-të apo JO-të e tyre, nuk tjetërsohen nga vullneti. Kopja nuk e mund origjinalin.

Përpjekja anemike propagandistike u shfaq me deklarimin e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla. Sipas tij, nga e hëna, oficerët e policisë do të plotësojnë një formular vetëdeklarimi, nëse kanë qenë apo jo përdorues të aplikacioneve të koduara Sky ECC.

Po përse vetëm SKY dhe jo Encrochat e Matrix? Pse kaq kursimtar?!

Përse vetëm policia?!

Komedi e zezë. Dredhi diversioni. Përpjekja për të blerë gjashtë vite të së shkuarës, 2015- mars 2021, tashmë të zbardhura, është njëlloj si t’i vësh ashensor banesës njëkatëshe. Kjo shpezë leksikore e ministrit, do të ketë bërë të qeshin shumë ambasadorë në Tiranë. Ky ka ujkun, listën e përdoruesve në polici dhe kërkon gjurmët, vullnetarizmin e pohimit të tyre. Njëlloj si me vetingun e policisë, të lënë udhëve nga lobingjet e grupeve kriminale, për të mbajtur njerëzit e tyre nëpër zyrat e duhura. Shërbim me pagesë.

Apo njëlloj si me sallatën e rëndë penale të TIMS, bërë nga ndërhyrja me regji të ministrit Balla.

Historia e pastrimit nis ndryshe.

Ajo fillon me deklarimet nga lart. Konkretisht:

Unë, Edi Rama, nuk kam ose kam pasur akses në SKY ECC.

Unë, Taulant Balla, nuk kam pasur ose kam pasur…

Unë, Ulsi Manja, nuk kam pasur ose kam pasur. Sepse Ministritë e Drejtësisë e të Brendshme janë institucionet kryesorë në këto komunikime me partnerët. Ata janë edhe emërues policësh e funksionarësh drejtësie me ndikimet jo të pakta. Ta nisin.

Unë ministri, deputeti, bashkiaku, kam pasur ose nuk kam pasur.

Unë, Prokurori i Përgjithshëm…

Unë, kryetari i Gjykatës Kushtetuese…

Unë, kryetari i Gjykatës së Lartë…

Unë, kryegjykatësi i rrethit, kryeprokurori i rrethit…

Unë, prokurori, gjyqtari, funksionari i drejtësisë, KPK, KPA, KLGJ, KLP, ILD, nuk kam pasur apo kam pasur.

Më tej meseleja vazhdon gjatë në zanate të tjera në biznes dhe medie.

Balla dhe ministri i drejtësisë Manja, KM Rama, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme e dinë mjaft mirë se mbi 300 oficerë policie kanë pasur akses në këto aplikacione dhe telefona me pagesë e të kriptuar. Kjo ngjan si një tender. Kë të lëmë e kë të nxëmë. Po mirë është të ftojë dhe Ardi Veliun të plotësojë formularin se merakoset nga mosftesa.

Kur të sajoni formularin, mbajeni një sy nga Franca, Belgjika, Holanda. Jo për gjë, po të prishin skedinën ata, me origjinalin e materialeve. Madje prokurorët firmëtarë të dosjeve të mbërritura e tjerave të pritshme do të qeshin nga nisma e mëkatarëve për vetërrëfim të kontrolluar.

Përtej faktit dëshmues nëse kanë pasur apo jo telefona të tillë, këtu kemi edhe një skemë bartëse të një rreziku të ri.

Francezët, belgët, holandezët, i sollën. Do të sjellin shumë të tjera. Duart e SPAK do të thonë kush kishte, çfarë bëri, ku u përfshi. Këtu ka një shteg jo plot të ndriçuar. Edhe aktualisht janë harruar të publikohen e përfshihen nëpër dosje disa komunikime komprometuese për ministra e pushtetarë. Ndonëse janë tek origjinalet. Kjo nuk justifikohet me një kohë shtesë, apo procedim penal më vete. Kur të hapen formularët, çojini nga një kopje të plotësuar, francezëve, belgëve, holandezëve. Algoritmi i gatshëm është si makina e të vërtetës. Ju zbardh në pak minuta. Të presim kush do ta plotësojë formularin e parë…

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here