Skema e trefishtë elektorale: Fasadë, mobilizim social dhe blerje pushteti

0
257

Nga Romeo Gurakuqi 

Një skemë shumë e hershme e mirënjohur në histori, por që në vendin më të prapambetur të Europës ka filluar të aplikohet masivisht, së paku nga viti 2013.

Ajo filloi të zërë rrënjë në këtë vend, atëherë kur u kuptua dhe u provua se barbaria, idiotësia, injoranca nuk janë më pengesë për të përparuar në politikë, se dhuna dhe frika mund të nënshtrojnë pa dallim këdo, se paraja në një vend kaq të vonuar në qytetërim, mund të blejë pa dallim në tanësi në piramide, nga maja në bazë.

Skema elektorale ngjan të jetë e trefishtë: fushatë moderne fasadë; mobilizim social i te nenshtruarve e te llogorizuarve; blerje dhe ruajtje pushteti, me të rrezikshmit e lindur nga shoqëria periferike e një kohe.

Ajo bazohet në përdorimin e njerëzve të rrezikshëm për të marrë dhe ruajtur pushtet. Dhe njerëzit e rrezikshëm gjithmonë tërheqin ithtarë, përkulin karaktere, blejnë administrata, qorrojnë e shurdhojnë policinë, ç’orientojnë e riprogramojnë median, heshtin, frikësojnë e blejnë opozitat, asfiksojnë elitat duke i kërcënuar me prerje të plotë të burimeve të jetës.

Ndërkohë, pushteti llogorizon lehtësisht shoqërinë dhe administratën, që brohoret, bartet me komandë nga njëri miting në tjetrin, duke shtypur në një mënyrë dinake lirinë dhe demokracinë.

Edhe kësaj radhe, gjithshka ishte e organizuar me shumë mençuri, kohë para eventit, mbërritjes së vëzhguesve, zgjimit të medias dhe shëtitjeve të misioneve, duke përfshirë në këtë operacion të sofistikuar dhe të pakapshëm nga askush, një duzinë ndërmjetësish, ose interpretuesish të vullnetit madhor, që e dinë kush ishte blerësi i madh, territori i targetuar nga ai, të nominuarit për t’u përthithur në entuziazmin e fushatës së programuar, festen e fitores, etj.

Aq e madhe është shuma e paguar sekserëve dhe aq të shqetësuar janë ato për të mos inatosur paguesin e tyre të padukshëm, sa për pjesen më të madhe të njerëzve të zakonshëm, median e telekomanduar, etj., nuk kishte asnjë votë në shitje dhe asnjë fjalë që të zbulonte se kush ishte ai blerës dhe intendentët e tij.

Thuhet se, duke qenë se zakonisht askush nuk i beson askujt në këtë lojë, paratë depozitohen më pas nga një tjetër kategori ndërmjetësisht, të njohur si sekuestrues, të cilët i mbajnë paratë në dispozicion për kontroll.

Në fund, kur zgjedhjet përfundojnë dhe vjen koha për të larë hesapet, një specie e tretë delinkuentësh, të ashtuquajturit ndarës, shpërndajnë paratë. “Kjo mënyrë e bën jashtëzakonisht të vështirë pikasjen, ndjekjen penale, sepse edhe nëse dikush kapet me presh në duar duke paguar rryshfetin, ai ne të vertetë nuk ia ka as idenë se kush e ka nisur zinxhirin e korrupsionit elektoral”.

Fitimtarët, ndërmjetësit, senkserët, oligarkët dhe parlamentarët pavarësisht vendeve, mbetën të njejtët në këtë vend. Ato kanë bërë dhe do vazhdojnë  të bëjnë “pirgjet e tyre të pasurisë për vetën”, por edhe për riciklimin e skemës përjetësuese, ndërkohë që shteti është i falimentuar, nga vetë ata, Republika sulmohet dhe akaparohet,  ndërsa për mbrojtjen e saj nuk mbetet askush.

Një komplot është organizuar nga oligarkia dhe politikanët e rangjeve të larta “për t’i vënë zjarrin qytetit të tyre të lindjes”, atdheut të tyre të “dashur”, por të dërmuar nga ata vetë.

Dhe “Prokuroria ende ngurron dhe është e paaftë për të marrë vendimin se si duhen trajtuar Armiqtë Publike të kapur me presh në duar brenda mureve të shtetit tonë”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here