Operacioni Lazarat/ Punëtorët e kanabisit tradhtuan bosët në Prokurori, Zbulohet kasaforta me 26 mln lekë fshehur në një tunel

0
137

 Anxhela Tato

leket ne tunelPranga inspektorit të Rrugores së Gjirokastrës, nuk sekuestroi automjetet e dyshuara në përdorim të trafikantëve

 Punëtorët e krahut në Lazarat, të ardhur nga jashtë fshatit për të punuar në parcelat e drogës, tradhtuan pronarët e tyre. Rreth 60 persona nga Gjirokastra, Elbasani, Cërriku, Pogradeci, Përrenjasi treguan në Prokurori me hollësi mënyrën e punës, vendet ku punonin, emrat e punëmarrësve dhe çdo gjë tjetër. Sipas akuzës, të gjithë këta punëtore u ndalën në Lazarat. Disa prej tyre tentuan të largoheshin, por u shoqëruan për t’u marrë në pyetje. Sipas Prokurorisë, asnjëri prej tyre nuk do të procedohet penalisht. Pavarësisht identifikimit nga punëtorët apo përgjimet e kryera nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, dyshohet se personat që qëlluan ndaj policisë u larguan nga fshati një natë para operacionit të policisë. Dyshohet se një grup prej rreth 20 personash, mes tyre edhe persona me precedentë penalë, u larguan nga Lazarati nëpërmjet lagjes Kordhocë. Breshëritë ndaj policisë ishin për të fituar kohë, që të arrinin të hapnin një shteg për t’u larguar së bashku me paratë, që mendohet se i kishin kesh. Gjithashtu, dyshohet se të shtënat ndaj policisë janë përdorur edhe për të djegur parcelat dhe hashashin e depozituar në fshat, duke derdhur në rrugë apo kanale të ndryshme. Gjithashtu, prokurorët kanë sekuestruar edhe rreth 25 makina, disa prej tyre të djegura dhe pa dokumente, të cilat përdoreshin nga kultivuesit e lëndëve narkotike. Ndërkohë, për llogari të Prokurorisë për Krime të Rënda është arrestuar edhe shtetasi Minush Brahimi, 24 vjeç, i cili dyshohet se në datat 15, 16, 17 dhe 18 qershor ka qëlluar me armë ndaj policisë. Mesditën e së martës, Brahimi do të dalë para Gjykatës për t’u njohur me akuzat zyrtare ndaj tij, që është ajo e vrasjes së mbetur në tentativë ndaj efektiveve të policisë, gjatë mësymjes për të shkatërruar parcelat e mbjella me hashash.

 

Sekuestrimet

Jo vetëm drogë, bimë narkotike e armë, por edhe para janë gjetur në Lazarat. Gjatë kontrolleve të policisë në territoret përreth banesës së një shtetasi në fshatin Kordhocë, në një tunel u gjet një sasi prej 26 milionë e 480 mijë lekë të vjetër, të cilët u bllokuan me cilësinë e provës materiale. Pasi arritën të vënë në kontroll dhe t’i kthejnë shtetit fshatin e Lazaratit, të mbajtur “peng” prej vitesh nga grupet kriminale të trafikantëve, policia vijon me aksionin dhe kontrollet banesë më banesë në luftën kundër asgjësimit të çdo rrënje të kanabisit. Policia gjen eksplozivë në thasët me marijuanë në ditën e nëntë të operacionit në Lazarat. Vetëm të hënën janë sekuestruar 3 tonë e 160.15 kg marijuanë dhe rreth 430 bimë narkotike kanabis sativa, 94 armë zjarri automatike e pushkë, 5 mitraloz të lehtë dhe 5 armë gjahu në ditën e nëntë të operacionit në Lazarat. Gjatë aksionit të policisë në fshatin e Lazaratit, janë evidentuar raste të fshehjes së eksplozivëve, granatave apo fishekëve në brendësi të lëndës narkotike. Nga kontrollet gjatë ditës së djeshme është sekuestruar edhe 1 pajisje për vakum ajri, 1 maskë, 1 jelek shumëfunksional policie, 1 dylbi termike. Por në qendër të fshatit, në një kazino janë sekuestruar makineta të lojërave të fatit dhe 2 kasaforta.

 

Aksioni

Strukturat e Policisë së Shtetit gjatë ditëve të zhvillimit të këtij operacioni në Lazarat kanë mundësuar asgjësimin e rreth 133.419 rrënjëve bimë narkotike dhe fidanë, si dhe të një sasie mbi 46 tonë e 150.565 kg kanabis sativa, duke marrë dhe mostrat përkatëse në cilësinë e provës për ekzaminim. Janë gjetur 8 pako e dyshuar heroinë në një ambient në afërsi të qendrës Lazarat, janë sekuestruar dhe 1.3 kg lëndë narkotike çokollatë, si dhe 3 kg farë kanabis sativa. Po ashtu gjatë këtyre kontrolleve janë gjetur dhe 5 laboratorë nga të cilët 2 përpunimi të bimëve narkotike dhe 3 për përpunimin e vajit të hashashit, si dhe 2 inkubatorë ku u sekuestruan 27 llamba për ngrohje.

 

Sasi të konsiderueshme municioni dhe armë:

 – 236 armë zjarri automatikë e pushkë, 8 pistoleta, 2 snajper, 1 mitraloz kundërajror me gjithë shtrat, 15 mitraloz, 3 kundërtank, 1 murtajë dhe 4 granatahedhës, 2 armë të vjetra, si dhe 12 armë gjahu.

– janë gjetur e sekuestruar 32 armë të djegura, si: 1 snajper, 6 mitraloz, 1 granatahedhës, 22 automatikë dhe 2 pushkë.

– janë sekuestruar gjithashtu sasi të konsiderueshme municioni si: 100.993 fishekë të llojeve të ndryshme, 237 kallëpe tritol, 147 granata dhe një arkë me granata, 44 predha granatahedhësi, 8 krehra fishekësh, 250 ndezës elektrik dhe një sasi tjetër e konsiderueshme, 106.3 m fitil zjarrpërcjellës dhe një sasi tjetër fitil zjarrpërcjellës, 153 krehra fishekësh,

– janë bllokuar për këqyrje të mëtejshme 11 mjete me armë e kanabis brenda tyre, si dhe 23 automjete të tjera.

– janë bllokuar dhe 3 mjete të djegur (2 fugon dhe 1 veturë) me kanabis.

– janë sekuestruar 30 targa automjetesh.

– janë sekuestruar 8 pajisje presuese droge, 9 kallëp presash, 18 gërshërë për krasitje kanabisi, 2 pajisje për vakum ajri.

– është sekuestruar 1 aparat kërkues floriri dhe 1 kasafortë.

– dokumente identitetesh të ndryshme, uniforma policie.

– 1 maskë, 1 jelek shumëfunksional policie, 1 dylbi termike.

– si dhe një sasi e madhe gëzhojash.

 

Lojëra fati

 –   19 makineta lojërash fati

–   1 rulet lojëra fati

–   2 tavolina-fusha lojëra fati

–   2 kasaforta

–   9 bateri për makinetat e lojërave të fatit

 

Arrestohet polici rrugor, shpërdoroi detyrën gjatë aksionit

 Gjatë mbrëmjes së të dielës policia ka arrestuar inspektorin Lorenc Alia të Rrugores së Gjirokastrës, pasi gjatë aksionit ka shpërdoruar detyrën duke favorizuar persona të caktuar për të mos i shoqëruar dhe sekuestruar automjetet e dyshuara në Lazarat. Pas këtij rasti, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, përmes një grupi të posaçëm, po monitoron çdo veprim të strukturave të policisë në kuadër të operacionit të ndërmarrë në Lazarat.

 

Arrestohet një banor i Lazaratit, drogë e armë në bodrum dhe stallë

 Po gjatë së dielës, është arrestuar banori i Lazaratit Alim Basho, 50 vjeç, pasi në bodrum iu gjetën një armë zjarri automatik dhe tre krehra me fishekë, ndërkohë në një largësi 5 m nga banesa, në një stallë që përdorej prej tij, janë gjetur 4 thasë me kanabis të thatë me një peshë prej 234 kg.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency