Spiralja e rrezikshme e pagave

0
125

Në harkun e një viti, paga minimale u rrit me 33%, duke shkuar në 40 mijë lekë në prill 2023, nga 30 mijë lekë që ishte në fillim të vitit 2021.
Të dhënat e përpunuara nga INSTAT tregojnë se, nga viti 2018 deri më 2021, produktiviteti për punonjës në sektorin e prodhimit është rritur me 19%. Për të njëjtën periudhë, paga mesatare bruto u rrit me 13%. Produktiviteti është më i lartë në sektorin e teknologjisë, shëndetësisë, energjisë, ndërsa në sektorin e akomodimit, industrisë, pagat janë rritur më shumë se produktiviteti.
Mungesa e fuqisë punëtore rrezikon ta çojë tregun e pagave në një spirale të rrezikshme, që mund të nxisë inflacion dhe falimente. Bizneset dhe ekspertët sugjerojnë financimin e “mendjes”, si çelësi që rrit pagat për punonjësit e thjeshtë. Fasoni dhe bujqësia janë shumë të rrezikuar

 

Blerina Hoxha

Rritja e pagës minimale me 33% brenda një viti pa studime, me vendime qeverie dhe jo e bazuar në produktivitet rrezikon t’i bëjë jo konkurrues dhe t’i çojë në faliment shumë biznese në sektorin e prodhimit (bujqësi dhe fason) që e mbështesin aktivitetin e tyre në krahun e lirë të punës.

Të gjendur mes presioneve nga rritja e pagës minimale, mungesës së fuqisë punëtore dhe rënia e kërkesës nga jashtë prej stanjacionit ekonomik, bizneset në sektorin e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve, industritë e agropërpunimit dhe ato në sektorin bujqësor nuk do të kenë mundësi të qëndrojnë gjatë në treg.

Të dhënat e përpunuara nga INSTAT tregojnë se, nga viti 2018 deri më 2021, produktiviteti për punonjës në sektorin e prodhimit është rritur me 19%. Për të njëjtën periudhë, pagat në sektorin e prodhimit janë rritur me rreth 13%.

Të dhënat tregojnë se, hapësirat për rritjen e pagave janë të ulëta, ndërsa në vitin 2022, rritja e pagave vijoi më tej.

Paga mesatare mujore bruto shënoi 66,014 lekë në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, me rritje vjetore 10%, më e larta e dekadës. Në këtë fillimviti, presionet për rritje të mëtejshme janë bërë më agresive, pasi qeveria ka vendosur që nga 1 prilli, paga minimale të jetë 40 mijë lekë, nga 34 mijë lekë aktualisht, ose 18% më shumë.

Nëse rritja e pagave bëhet thjesht me vendime, kjo do të ishte shumë e thjeshtë për të rritur mirëqenien, por nëse ekonomia nuk prodhon mallra që të sigurojnë të ardhura për paga më të larta, do të kemi ose faliment, ose inflacion.

Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, shprehet se duhet të ruhet një raport ndërmjet pagës minimale dhe asaj mesatare. Raporti ideal është 40%, nëse ky raport tejkalohet, atëherë deformohet struktura e pagave në ekonomi dhe rritja bëhet e paefektshme. Në fund të vitit të kaluar, paga minimale ishte sa 51% e pagës mesatare, por ky raport pritet të arrijë 60% në prill.

Alban Zusi, nga Unioni i Eksportuesve Shqiptarë, me aktivitet në industrisë agroushqimore pohon se, ka presion për rritjen e pagave përtej mundësive dhe produktivitetit.

“Nëse duam të rrisin pagat, duhet të stimulojmë mendjen. Menaxherët dhe specialistët me aftësi duhet të nxiten financiarisht, pasi falë tyre, ne mund të gjenerojmë të ardhura për pjesën tjetër të punonjësve”, tha z. Zusi. Rritja e pagave për punonjësit e krahut do të jetë e padobishme nëse nuk ofrojmë stimuj për menaxherët që të gjejnë tregje të reja dhe të krijojnë kushtet për rritjen e vlerës së produkteve.

Eva Laro, e cila drejton “ProDyn”, një nga fabrikat më të mëdha të prodhimit të këpucëve në vend, thotë se, sektori fason do të dëmtohet nga rritja e pagës minimale me 18% njëherazi. “Ne i kishim negociuar çmimet në këtë sezon për produktet dhe nuk mund të aplikojmë rritje tjetër të çmimeve të produkteve.

“Në harkun kohor të një viti, paga minimale u rrit tre herë. Ndodhi shumë shpejt dhe e kemi të pamundur që të kërkojmë rritje çmimi në çdo stinë te furnitorët”, – tha znj. Laro. Rritja e pagës minimale po e bën Shqipërinë jokonkurruese në sektorin fason.

Në sektorin e bujqësisë, zhvillimet demografike rezultojnë të jenë më problematike. Pagat në këtë sektor kanë shënuar rritjen më të lartë duke shkuar në rreth 43 mijë lekë bruto në tremujorin e fundit 2022, nga rreth 34 mijë lekë në të njëjtën periudhë të 2021.

Ruzhdi Koni, i cili zotëron disa biznese në bujqësi dhe është një nga eksportuesit më të mëdhenj të prodhimeve vendase, thotë se sektori i bujqësisë po vuan më shumë se çdo sektor tjetër mungesën e punonjësve, pasi po konkurrohet nga sektorët e brendshëm, ndërtimi dhe turizmi që ofrojnë paga më të larta.

 

Burimi: INSTAT

 

Produktiviteti, mundësitë për rritjen e pagave sipas sektorëve

Të dhënat mbi produktivitetin tregojnë se hapësirat për rritjen e pagave në disa sektorë janë më të mëdha dhe në disa sektorë nuk ka mundësi. Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, të ardhurat për punonjës nga viti 2018 në vitin 2021 për të gjithë sektorët janë rritur me 19%, ndërsa pagat me 13%, por në disa aktivitete ekonomike, produktiviteti është rritur më tepër se pagat.

Në bizneset e teknologjisë dhe informacionit, të ardhurat për punonjës janë rritur me 59% nga viti 2018 deri në vitin 2021, por për të njëjtën periudhë, pagat janë rritur me 14%. Të dhënat tregojnë se pagat në sektorin e teknologjisë janë rritur me ritme më të ulëta se të ardhurat që kanë gjeneruar punonjësit, ndaj dhe hapësirat për rritjen e mëtejshme ekzistojnë.

Pas sektorit të shërbimeve të informacionit, bizneset në sektorin e shëndetësisë kanë rritur të ardhurat për punonjës me 45.5% nga viti 2018 në vitin 2021, ndërsa pagat në këtë sektor janë rritur mesatarisht me 25% sipas INSTAT. Pandemia Covid-19 goditi të gjitha aktivitetet ekonomike, duke sjellë rënie të përgjithshme të ekonomisë me rreth 4% në vitin 2020, por ndikoi pozitivisht në sektorin e teknologjisë dhe shërbimeve shëndetësore.

Pandemia solli rritje të konsumit të medikamenteve, vitaminave dhe shërbimeve laboratorike, duke nxitur shitjet në të gjithë sektorin, ndërsa kufizimet në lëvizje nxitën rritjen e përdorimit të teknologjisë për punën në distancë.

Gjatë periudhës në analizë, rritje të madhe të produktivitetit ka shënuar edhe sektori i energjisë dhe gazit, ku të ardhurat që bizneset siguruan me të njëjtin numër punonjësish ishin 45% më të larta në vitin 2021 në krahasim me vitin 2018. Sektori rriti të ardhurat pa rritur punësimin, për shkak të shtrenjtimit  së çmimeve të energjisë në tregjet e eksportit.

Pagat në aktivitetet e energjisë u rritën me vetëm 0.5% gjatë 2018-2021.

Në sektorin e akomodimit, produktiviteti për punonjës u rrit me 20% gjatë periudhës në analizë, ndërsa pagat, me 21%. Të dhënat zyrtare tregojnë se pagat në sektorin e turizmit janë rritur më shumë se produktiviteti, por nga ana tjetër, sektori karakterizohet nga niveli i lartë i informalitetit në punësim dhe pagat e zarfit janë më të larta se pagat minimale.

Në sektorin e industrisë përpunuese, pagat janë rritur më shumë se produktiviteti. Gjatë periudhës 2028-2021, të ardhurat për punonjës janë rritur 11-17%, por paga mesatare bruto është rritur mbi 20%.

Në sektorin e ndërtimit, sipas të dhënave zyrtare, të ardhurat për punonjës janë rritur me 3.5%, ndërsa paga mesatare në këtë sektor ka pësuar rënie me 0.8% për 2018-2021.

Sektori i ndërtimit karakterizohet nga niveli i lartë i informalitetit dhe hyn në sektorët më të rrezikuar sipas klasifikimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ku pagat e zarfit janë më të larta se pagat zyrtare. Vlerësimet tregojnë se 60% e punonjësve në ndërtim janë në informalitet të plotë.

Në sektorin e tregtisë, gjithashtu rritja e pagave ka qenë më e lartë se produktiviteti për punonjës.

Të ardhurat për punonjës në bizneset e tregtisë me shumicë u rritën me 16.3% gjatë 2018-2021, ndërsa të pagat u rritën me mbi 19%. Sektori i tregtisë po vuan rritjen e konkurrencës dhe tkurrjen e popullsisë nga emigracioni i lartë dhe rënia e lindjeve.

Produktiviteti u rrit dukshëm në vitin 2021, pasi prodhimi për punonjës shënoi zgjerim të shpejtë në krahasim me vitin 2020. Të dhënat e INSTAT tregojnë për një rritje me 21% të produktivitetit të punës në vitin pas pandemisë. Vlera e prodhimit për një të punësuar arriti në rreth 3,2 milionë lekë më 2021 nga 2,6 milionë lekë në vitin 2020, ose 21% më shumë.

Të dhënat tregojnë se rritja ishte më e fortë në sektorin e prodhimit se në atë të shërbimeve. Te prodhuesit e mallrave, vlera e prodhimit për punonjës arriti në 4.8 milionë lekë në vitin 2021, me rritje 28% në krahasim me vitin 2020. Në sektorin e shërbimeve, vlera vjetore e prodhimit për punonjës arriti në 2.2 milionë lekë, me rritje 14.7% në krahasim me vitin e mëparshëm.

 

Burimi: INSTAT

 

Bujqësia humb konkurrencën edhe me sektorët e tjerë

Pagat në sektorin bujqësor shënuan rritje vjetore në tremujorin e fundit të vitit 2022, me 18%, më e larta nga të gjithë sektorët. Paga mesatare mujore bruto arriti në rreth 42 mijë lekë, nga 36 mijë lekë në fund të vitit 2021. Ruzhdi Koni, një nga eksportuesit më të mëdhenj të prodhimeve bujqësore në vend, tha se pagat në bujqësi po nxiten më shumë nga mungesa e punonjësve se sa nga produktiviteti.

Puna në bujqësi është e rëndë, e përqendruar me sezone. Zhvillimet e vrullshme në turizëm dhe në ndërtim po tërheqin gjithnjë e më shumë punonjës nga bujqësia, për shkak të pagave më të larta. Z. Koni tha se pagat në bujqësi po rriten nga mungesa e fuqisë punëtore dhe jo nga fitimet, por nëse kjo dukuri zgjat bizneset, në këtë sektor do të falimentojnë.

Vështirësitë në tregun e punës po rrisin konkurrencën për punonjës ndërmjet sektorëve, tha eksperti i burimeve njerëzore, Erald Pashaj. Këtë vit, sektori që pritet të ketë kërkesën më të lartë të drejtpërdrejtë është turizmi, i ndjekur nga ndërtimi dhe të gjithë nënindustritë që lidhen me to.

Kërkesa e lartë e drejtpërdrejtë për punonjës në turizëm, do të përkthehet edhe në kërkesë për punonjës në industrinë ushqimore apo në shitje dhe shpërndarje HORECA deri te kërkesa për shoferë dhe shoqërues për transport, pra zinxhiri ofertës për punë do të jetë shumë më i gjerë.

E njëjta situatë do të jetë dhe në ndërtim, ku kërkesa për punonjës të drejtpërdrejtë që nga arkitekt, inxhinier, ekonomist e specialist dhe deri te punonjës kantieri do të ndiqet nga kërkesa për shitës të materialeve të ndërtimit, apo të gjithë sektorëve që mobilojnë apo pajisin banesat apo ambientet tregtare.

Ai tha se efekti nuk do të ndalet vetëm te këta sektorë, sepse oferta e punësimit është e agreguar. Kjo do të thotë që nëse dikush punon në një fasoneri dhe paguhet 40,000 lekë neto në muaj, nuk do t’i interesojë që të punojë në fasoneri, nëse një hotel do t’i ofrojë punë në kuzhinë si ndihmës dhe do ta paguajë 70,000 lekë.

Në këtë mënyrë, i gjithë tregu i punës do të ketë kërkesë dhe kjo do të çojë edhe në 2023 në një rritje pagash nga 8% në 20%. Rritjet më të larta do të jenë për punët që sot paguhen më pak, sepse baza e tyre është e ulët dhe rritje më të vogël do të kenë punët e kualifikuara.

MONITOR

 

 

Burimi: INSTAT, përpunime të Monitor

 

Pagat bëjnë qarqet jokonkurruese

Sistemi i referimit të pagave për qëllime tatimore kishte nivele të ndryshme të pagës për profesionistët nga Tirana në qarqe disa vite më parë. Për një inxhinier në Kukës nuk kishte të njëjtën pagë referuese me kolegun në Tiranë. Diferenca e pagave është mjeti kryesor që i transferonte disa biznese në qarqe.

Një fabrikë fasoni në Korçë, apo në Pukë, ka kosto më të ulëta të pagave se në Tiranë, për shkak se, edhe kosto e jetesës në këto qarqe është më e ulët. Po rritja e pagave minimale në nivelin e 40 mijë lekëve, duke afruar nivelin e saj me pagën mesatare në qarqe, i bën qytetet shqiptare më pak konkurruese, thotë Alban Zusi nga Unioni i Eksportuesve.

Një biznes jashtë Tiranës, në qytetet periferike, ka kosto shtesë që lidhen me transportin dhe logjistikën, por nëse sheshohen diferencat në paga, bizneset nuk do të jenë të motivuara të transferohen në qarqe. Qarqet do të humbin konkurrueshmërinë dhe hendeku ekonomik ndërmjet kryeqytetit dhe rajoneve do të thellohet më tej.

Diferenca ekonomike ndërmjet Tiranës dhe qarqeve të tjera është thelluar nga viti në vit, duke treguar për një hendek në rritje të pabarazisë ekonomike mes qyteteve dhe kryeqytetit. INSTAT raportoi se në vitin 2021, vetëm Tirana i kishte shpenzimet për familje mbi mesataren kombëtare, ndërsa në vitin 2014 së paku katër qarqe i kishin shpenzimet për frymë mbi mesataren kombëtare.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here