Historia nuk falsifikohet me e për asgjë, jo më për non-gratizëm!

0
339

Nga Enver Bytyçi 

Çfarë ka ndodhur dje është e mbetet histori. Nuk është më e tashmja, aq më pak e ardhmja. Para 14 vitesh, më 1 prill 2009, Shqipëria u bë anëtare e Aleancës Atlantike. Një vit më parë, vetëm dy javë pas Gërdecit, vendi ynë kishte marrë ftesën për t’u pranuar në NATO. Edhe kjo është histori. Dhe historia nuk është vetëm ngjarje. Është gjithashtu frymë e ngjarje me personazhe. Gërdeci sot e kësaj dite mbetet me personazhe të njohur e të panjohur. Ndërsa aktorët e integrimit në NATO janë të gjithë legalë. Nuk ka shqiptar, demokrat apo socialist, djall apo engjëll, konservator apo pervers, që nuk e di se personazhi kryesor i pranimit të Shqipërisë në NATO është Sali Berisha. Ai ishte kryeministër i vendit si kur vendi ynë mori ftesën në fillim prilli 2008, ashtu edhe më 1 prill 2009, kur u mor vendimi për pranim në NATO. Madje ai ishte president, kur i pari në hapësirën e vendeve të Evropës Lindore kërkoi që Shqipëria të integrohej në Aleancë. Pre kësaj iu dha statusi i Partneritetit për Paqe.

Të gjitha këto janë ngjarje historike që kanë ndodhur dhe nuk mund t’i zhbëjë askush. Megjithatë ambasadorja Kim dhe presidenti Begaj, ndonëse thonë se janë krenar që Shqipëria është pjesë e NATO-s, ata nuk e pranojnë faktin historik se për këtë krenari meritën kryesore e ka Sali Berisha! Ndërkaq Edi Rama, nga njëra anë është i gatshëm të marrë në mbrojtje një të akuzuar për krime, por nga ana tjetër  t’ia mohojë të drejtën një deputeti, të shpallur “non-grata” me sponsorizimin e kryeministrit shqiptar! E gjitha  kjo ndodh për llogari të George Soros dhe klanit të tij në Shqipëri e DASH!

Edhe një ngjarje tjetër është shënuar në histori. Tashmë kanë kaluar 15 vite kur Presidenti George Ë. Bush vizitoi Shqipërinë dhe me kërkesën e kryeministrit Berisha, ai shpalli de facto nga Tirana pavarësinë e Kosovës. Historia ka shënuar faktin se kjo ishte vizita e parë e një presidenti amerikan në vendin tonë. Vizitë zyrtare e parapërgatitur dhe e lajmëruar po ashtu zyrtarisht. Madje me ftesë të kryeministrit të Shqipërisë të kohës. Megjithëse presidenti, George W. Bush, u prit dhe u shoqërua në të gjitha aktivitetet nga kryeministri Sali Berisha. Megjithëse ai me kryeministrin ai ndau pikëpamjet e tij për marrëdhëniet e të dy vendeve dhe zhvillimet e e tjera, sidomos në rajon. Përsëri Berisha censurohet dhe retushohet në përkujtimoret e kësaj ngjarjeje.

Hyrja në NATO e Shqipërisë është ngjarja më e madhe në historinë e saj moderne, pas shpalljes së pavarësisë. Protagonisti kryesor i kësaj ngjarjeje ishte Sali Berisha. Vizita e presidentit amerikan Bush ishte gjithashtu ngjarje e jashtëzakonshme. Mikpritësi i tij ishte Sali Berisha. Ndaj dhe historiani më i politizuar, që mund ta urrejë Sali Berishën, nuk mund ta ndryshojë të vërtetën. Pavarësisht kësaj, në 14 vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO askush nuk e përmendi atë si personazhin kryesor të këtyre ngjarjeve madhore në jetën e shtetit e të kombit shqiptar.  Asnjëri nuk guxoi të thotë të vërtetën historike. Një autocensurë e censurë e jashtëzakonshme.

Eshtë kjo dhe një përpjekje për t’i fshirë nga kujtesa e shqiptarëve ngjarjet më të mëdha historike në marrëdhëniet tona me Perëndimin, NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një prirje për ta shtrembëruar dhe zhdukur të vërtetën historike. Ndërkohë na thonë se jetojmë në demokraci! Se jetojmë si njerëz të lirë! Përralla! Nuk janë  demokratë as diplomatët amerikanë në Shqipëri. As kundërshtarët e Sali Berishës nuk janë të tillë. As miqtë e bashkëpunëtorët e tij, të cilët nuk guxojnë ta thonë këtë të vërtetë historike!

Ndryshe nga diktatura, demokracia është raport me të vërtetën. Ashtu si edhe shkenca e historisë! Edhe nëse Sali Berisha të ishte shpallur fajtor nga ndonjë gjykatë për akuza të rënda, historia nuk mund ta fshijë faktin se ai është autori kryesor për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Edhe sikur Sali Berisha të kishte bërë krime pambarim, sërishmi kjo nuk e ndryshon dot këtë fakt. Ndërkaq shpallja non-grata nga DASH nuk është e nuk mund të jetë për ta retushuar dhe falsifikuar historinë e Shqipërisë e të shqiptarëve. Kjo që ndodh na kthen në kujtesë diktaturën. Në diktaturë u retushuan gjysma e themeluesve të shtetit shqiptar.

Mirë shqiptarët që ende e vuajnë sindromën e diktaturës komuniste në këtë aspekt. Po ambasada amerikane, e cila bëri gjithë ato aktivitete me rastin e 100 vjetorit të lidhjes së marrëdhënieve diplomatike dhe e fshiu nga kalendari historik protagonistin kryesor të këtyre lidhjeve, Sali Berishën?! Të njëjtën gjë bëri në përkujtimet e saj për pranimin dhe kontributet e Shqipërisë në NATO.

Nëse shqiptarët dhe evropianët i rrëzuan diktaturat lindore, arsyeja kryesore ishte diskriminimi. Dhe të vjen keq që sot, pas 33 vitesh në demokraci, Shqipëria, e nxitur edhe nga kampionët e demokracisë në botë, nxit diskriminimin dhe falsifikimin e historisë në Shqipëri!

Sfida dhe lufta për demokraci vazhdon! Ajo nuk njeh ndonjëherë fund e as limite! Dhe kjo ndodh për shkak se ideologjitë politike përplasen me njëra-tjetrën dhe se politikanët shqiptarë në pushtetin e sotëm janë të marrosur nga etja për pushtet e pasuri!  Kjo është gjithashtu arsyeja kryesore pse Shqipëria jeton në diktaturën e servirur si “demokraci”!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here