Nga Elona Caslli/ Belinda dhe borëpastruesja

0
249

Belinda dhe borëpastruesja

Nën sloganin ” Punë, jo gjumë” Belinda Balluku, do të na ofronte mbrëmë kinezërinë e radhës. Skenari i dalë boje tashmë, do të ndërtohej sipas anatomisë rilindase e cila parashikon që;

Balluku të lërë kolltukun e ministrisë dhe të zbresë në terren, për t’i kujtuar popullit se ajo është bijë e thjeshtë e klasës punëtore dhe kur ka nevojë atdheu, ajo mund të marrë edhe vetë lopatën në dorë për të pastruar borën ose të hipë mbi një borë pastruese dhe të bëhet njësh me shoferin që punon turni i tretë mbi borëpastruesen.

Me zërin tipik dhe të holluar të një kujdestareje klase, që dikur zgjidhej nga mësuesja kujdestare për të kontrolluar nxënësit e tjerë në kishin prerë thonjtë apo në kishin marrë shaminë e bardhë me vete, Balluku hipën mbi borëpastruesen dhe ndez kamerën për një lidhje direkte në Fejsbuk me popullin.

E bija e popullit, e thjeshtë deri në dhimbje dhe hipokrite deri në dëshpërim, nga ministre shndërrohet në gazetare terreni dhe një ngjarje të rëndomtë ku rrugët pastrohen dhe u hidhet kripë, e kthen në një ngjarje madhështore për sytë e publikut dhe mungon veçse tellalli që të marrë një daulle të madhe, t’i bjerë dhe të thërrasë – Ooooooooooo milet! Rrugët po pastrohen dhe po u hidhet kripë.

Mbesa e Beqir Ballukut, duhet të kuptojë se në këtë vend, kanë mbetur ende njerëz që mund të vënë në kandar mediokritetin, hipokrizinë dhe propagandën e saj.

Nuk ndodh në asnjë vend evropian, që një ministre të hipë mbi një borëpastruese dhe një proces normal pune t’ua servirë taksapaguesve si një ngjarje madhështore në vend.

Balluku të mësojë se detyra e ministres është të ndërtojë politika në ministrinë që drejton dhe të përzgjedhë stafin e duhur për zbatimin e tyre.

Nëse ministrja duhet të hipë mbi një borëpastruese dhe të shndërrohet në shefen e borëpastruesve apo në gazetare terreni, lind pyetja- Pse paguhen taksat për shërbimet në këtë vend?!

Post Scriptum- Ndaj,Balluku bën mirë që të qëndrojë në zyrën e saj të ngrohtë dhe të planifikojë udhëtimin e saj të ardhshëm në Dubai, pasi koha ka vërtetuar se Balluku dhe të ngjashmit e saj, përveç Dubait dhe biftekut nuk dinë të bëjnë gjë tjetër.

Elona Caslli

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here