Shefi i NATO-s: Ukrainën do ta armatosim! Lufta mund të zvarritet me vite

0
164

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të enjten se aleanca është e gatshme të mbështesë Ukrainën kundër pushtimit rus në një luftë që “mund të zvarritet dhe të zgjasë me muaj e vite”.

“Ne do të vazhdojmë të ushtrojmë presion maksimal mbi presidentin rus, Vladimir Putin, për t’i dhënë fund luftës duke vendosur sanksione, duke ofruar mbështetje ekonomike, por edhe mbështetje ushtarake për Ukrainën, dhe ne duhet të jemi të përgatitur për një afat të gjatë”, tha Stoltenberg gjatë një Samiti të Rinisë së NATO-s që po zhvillohet në Bruksel.

“Është një situatë shumë e paparashikueshme dhe e brishtë në Ukrainë. Por ekziston absolutisht mundësia që kjo luftë të zvarritet dhe të zgjasë me muaj e vite”, vazhdoi ai.

Stoltenberg tha gjithashtu se aleatët e NATO-s po përgatiten të ndihmojnë Kievin të avancojë nga “pajisjet e vjetra të epokës sovjetike drejt armëve dhe sistemeve më moderne standarde”, por shtoi se kjo “do të kërkojë më shumë trajnim”.

Shtetet e Bashkuara dhe disa vende europiane, duke përfshirë Holandën dhe Francën, kanë njoftuar së fundmi se do të furnizojnë Ukrainën me artileri, armë me rreze të gjatë veprimi, për të ndihmuar në mbrojtje kundër Rusisë.

Gjermania ka thënë se do të furnizojë Ukrainën me tanke kundërajrore, teksa po përpiqet të shmangë kritikat se qeveria ka qenë e ngadaltë në ofrimin e pajisjeve ushtarake për vendin e shkatërruar nga lufta.

Të mërkurën, ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock tha se Berlini do të mbështesë ushtrinë ukrainase duke ofruar “stërvitje dhe mirëmbajtje”.

Baerbock shtoi se Gjermania kishte zgjedhur të mos i bënte publike të gjitha armët që kishte dërguar më parë në Ukrainë. “Ne kemi furnizuar me armë antitank, raketa Stingers dhe shumë armë të tjera për të cilat nuk kemi folur në publik”, tha ministri i Jashtëm.

Sekretarja e Jashtme britanike Liz Truss foli për mbështetje që Mbretëria e Bashkuar të dërgojë avionë luftarakë dhe armë të tjera të rënda në një fjalim kryesor të mërkurën.

“Armë të rënda, tanke, aeroplanë – duke gërmuar thellë në inventarët tanë, duke rritur prodhimin. Ne duhet t’i bëjmë të gjitha këto”, tha Truss.

“Sanksionet tona tashmë e kanë bërë Rusinë që të mos jetë në gjendje të paguajë borxhin e jashtëm, për të herë të parë për një shekull. Ne duhet të shkojmë më tej”, shtoi ajo.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here