“Bosët e djegësave paguan veten 40 mln euro”, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve konfirmojnë skandalin financiar

0
105

Bosët e inceneratorëve shpërdorojnë taksat e qytetarëve në dijeni të qeverise. Mbi 40 mln euro i kanë paguar njëri-tjetrit pronarët zyrtarë të koncesioneve të mbetjeve, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja. Pagesa është kryer nga fondet buxhetore, ndërsa Drejtoria e Tatimeve i ka dhënë bekimin skandalit financiar.

SYRI TV

Pronarët zyrtarë të koncesioneve të plehrave, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, kanë paguar njëri-tjetrin mbi 40 milionë euro nga taksat e qytetarëve për konsulencë dhe shërbime të tjera, ndërkohë që afera financiare është zhvilluar në dijeni të plotë dhe pa asnjë shqetësim të autoriteteve shtetërore.

Transaksionet janë kryer në dijeni të administratës tatimore dhe pagesat janë kryer nga fondet buxhetore, të lëvruara pas konfirmimit nga ana e Njësisë së Zbatimit të Projekteve në Ministrinë e Infrastrukturës.

Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve konfirmojnë skandalin financiar, por edhe mungesën totale të reagimit nga ana e qeverisë “Rama”.

Kompania “Albtek Energy” në pronësi të Stela Gugalljas, e cila fitoi kontratën koncesionare për inceneratorin e Elbasanit, ka paguar shoqërinë “Integrated Technology Service” të Klodian Zotos rreth 1.6 miliardë lekë të reja për punime të ndryshme në landfill.

Po ashtu, Gugallja ka paguar rreth 33 milionë lekë të reja shoqërinë “Zoto Consulting”, një zyrë konsulencë në pronësi të Klodian Zotos. Klodian Zoto i kthen nderin Gugalljas, e cila është bashkëjetuesja e mikut të tij, Mirel Mërtiri. Kompania e tij, “ITS” është zotëruese e pjesës më të madhe të kompanisë koncensionare të inceneratorit të Fierit, “Integrated Technology Waste Treatment”.

Zoto paguan rreth 30 milionë lekë të reja për zyrën e konsulencës së Stela Gugalljas, “Consulting SE Partners”. Por, me paratë publike, kompania koncensionare në pronësi 70 përqind të Zotos, paguan afërsisht 1.1 miliardë lekë të reja për dy kompanitë e tij, “ITS” dhe “Zoto Consulting”.

Skema përsëritet edhe me shoqërinë “Integrated Energy BV”, e cila fitoi kontratën koncesionare për inceneratorin e Tiranës gjatë kohë që Klodian Zoto ishte drejtor i parë i saj.

Të dhënat e Tatimeve tregojnë se kompanitë e Zotos, “ITS” dhe “Zoto Consulting” kanë marrë nga koncesionari i Sharrës pagesa në vlerë më shumë 2 miliardë lekë të reja. Rreth 30 milionë lekë të reja të tjera janë paguar për këshillat e dhëna nga “Consulting SE Partners”, në pronësi të Stela Gugalljas.

Në total, ndërmjet kompanive të zotëruara nga “bosët e plehrave” janë paguar rreth 4.8 miliardë lekë të reja ose më shumë se 40 milionë euro.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here