Dëshmia e Ramës në këmbim të Vetingut/ Si po negociohet konsensusi PD-PS në kuvend

0
207

Përulësia që tregoi Edi Rama për t’u paraqitur dëshmitar në Komisionin Hetimor për inceneratorët erdhi papritur. Afera “420 milion euro” çoi në burg Lefter Kokën dhe socialistët e evitojnë si temë.

Në hetime implikohet Rama dhe bashkëpuntorët e tij më të afërt, Engjëll Agaçi, Erion Veliaj, Arben Ahmetaj etj. Me përgjigjen pozitive që i dha ftesës për t’u paraqitur si dëshmitar, kryeministri ndryshoi 180 gradë në sjelljen me opozitën.

Prej vitesh nuk i përgjigjet deputetëve të PD-së në interpelanca. Nuk ia kursen as ofendimet, as talljet dhe as etiketimet personale. Në parlament, e shpërfill krejt Lulzim Bashën. Për replika ka ngarkuar Elisa Spiropalin.

Në datën 4 Shkurt, socialistët ishin gati t’i jepnin fund Komisionit Hetimor për Inceneratorët. Jorida Tabakut i kishte dalë nga kontrolli puna në komision dhe zvarritja e procedurave ia kishte djegur afatet. Socialistët kërkuan t’i jepnin fund hetimit në Këshillin e Mandateve.

Ermonela Felaj kundërshtoi zgjatjen e afatit të hetimeve, që kishin përfunduar më 25 Janar. Por në mes të mbledhjes, Felaj dhe socialistët ndryshuan qëndrim. Papritur, Këshilli iu bind opozitës.

“Maxhoranca i dha një mundësi opozitës të vijojë hetimin” tha Felaj, pa shpjeguar se pse ia dha këtë shans opozitës.

Shpjegimi gjendet jashtë institucioneve shqiptare. Dy ambasadorët, Juri Kim dhe Luigji Soreka i kishin dalë kundër socialistëve.

“Mirëpresim zgjatjen e afatit të komisionit parlamentar për inceneratorët. Ne u bëjmë thirrje të gjitha autoriteteve dhe institucioneve përkatëse të shqyrtojnë dhe të ndërmarrin veprimet e duhura. Do ta monitorojmë nga afër. Përgjegjësia është çelësi i demokracisë”, u shpreh Yuri Kim në rrjetet sociale.

“E rëndësishme është që puna e Komisionit Hetimor të Parlamentit për inceneratorët të vazhdojë. Transparenca dhe llogaridhënia janë parimet kryesore të BE-së. Lufta kundër korrupsionit është një prioritet kryesor për BE dhe për Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit në BE” – shkruajti Soreca në rrjetet sociale.

U duk se përgjigjia pozitive e Ramës për të dëshmuar erdhi pas presionit të ambasadorëve. Dëshmia më e rëndësishme në Komisionin Hetimor për inceneratorët i jep Lulzim Bashës një “fitore”, që ia përforcon në publik imazhin e opozitarit.

Berisha e ka akuzuar për një marrëveshje të fshehtë me Edi Ramën dhe për krijimin e një opozite fasadë. Komisionet hetimore që janë iniciuar nga PD, Berisha i ka konsideruar mekanizma të dështuar, që kishin si synim shmangien e debatit për masakrën zgjedhore të 25 Prillit.

Zgjatja e mandatit të organeve të vetingut

Akuzat e Berishës ia vështirësojnë Bashës seancën, ku ai pritet të bashkojë votat me Edi Ramën. Votimi është parashikuar në seancën e parlamentit në 10 Shkurt (të enjten). Mandati i organeve të vetingut përfundon në qershor të këtij viti dhe për zgjatjen e tyre duhet ndryshuar Kushtetuta.

Presioni është i dyanshëm.

Në njërën anën u duhet të votojnë për një trupë Vetingu, që ka dhënë vendime abuzive, të njëanshme dhe të cilën e kanë akuzuar se punon nën dirigjimin direkt të Edi Ramës. Edhe presioni i Berishës është i madh. Bashkimi i votave të Bashës dhe Ramës, do të shihej si vërtetim i akuzave që i bëhen nga “Shtëpia e Lirisë”, si peng i Ramës.

Në fakt, më shumë se peng i Ramës, Basha ngjan të jetë peng i ambasadorëve.

Juri Kim dhe Luigji Soreka kanë muaj që i kërkojnë Bashës të votojë zgjatjen e mandatit të organeve të Vetingut. Ambasadorët duan të jenë të sigurtë që monitorimi i ndërkombëtarëve në procesin e vetingut do të vazhdojë dhe se qindra miliona euro për reformën në drejtësi nuk do të shkojnë dëm.

 

Ditën martë, ambasadorët shtuan presionin ndaj Bashës përmes një deklarate të përbashkët. Juri Kim, Luigji Soreka dhe ambasadori britanik, i kërkuan opozitës të votojë zgjatjen e mandatit të organeve të vetingut. I çliruar nga tutela e Berishës, tashmë Basha duket i lirë t’i marrë vetë vendimet. Për t’i bashkuar votat me Ramën./Lapsi.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here