Gazeta gjermane kritike qeverise shqiptare/ Teatri Kombëtar i shembur: Boshllëk i dhimbshëm

0
677

Gazeta gjermane Süddeutsche Zeitung, në një artikull mbi shembjen e Teatrit Kombëtar. Para një viti Teatri Kombëtar në Tiranë u shemb pavarësisht stuhisë së protestave. Aktivistët luftojnë tani për rindërtimin – në një qytet i cili pak nga pak po humb historinë e vet.

 

nga Florian Hassel

Para një viti, për shkrimtaren shqiptare Lindita Komani u zhduk më shumë sesa një skenë, teksa 1500 policë erdhën për të shembur Teatrin Kombëtar në qendër të kryeqytetit Tiranë. Forcat e ndërhyrjes nuk mund të ndaleshin nga disa dhjetëra aktivistë që bashkë me të ndodheshin në teatër, dhe as nga aktori Neritan Liçaj i cili rezistonte lart në çati. Diçka pas orës pesë të mëngjesit fadromat nisën me shembjen. Pak më vonë njerëzit ishin përzënë dhe teatri ishte rrafshuar.

Për Lindita Komanin, e cila për dy vjet kishte luftuar që skena kryesore e vendit të mbetej në këmbë, në atë mëngjes të 17 Majit 2020 vdiq “edhe një copë e historisë shqiptare – dhe e familjes sime”. Një vit më vonë rrënojat janë hequr. Por skandali më i madh kulturor që nga rënia e komunizmit ende nuk ka mbaruar.

Ndërkohë që Italia në vitin 1938 ndërtoi një qendër kulturore në Tiranë, e cila shërbeu edhe si kinema dhe teatër, Italia fashiste e kohës donte që të demonstronte ndikimin e saj mbi koloninë faktike të saj Shqipërinë. Arkitekti Giulio Bertè me këtë qendër kulturore ndertoi ndertesën e parë futuriste në vend, bindëse nga ana arkitektonike. Dominanca e Romës shpejt mori fund. Ndërsa në vitin 1945 komunistët nën Enver Hoxhën u ngjitën në pushtet, ata vendosën 60 kundërshtarë të vërtetë dhe imagjinare para gykatës në procese farsë. Edhe gjyshi i Lindita Komanit, Qazimi, një kolonel ushtrie, ishte njëri prej tyre. Disa vjet më vonë ai vdiq në burg. Qendra kulturore u kthye në teatër nga regjimi i Hoxhës. Kështu mbeti edhe kur në vitin 1991 komunizmi në Shqipëri mori fund.

Neritan Liçaj, aktor dhe demonstrues në çati, në 28 vitet e tij në teatër ka luajtur gjithçka që ishte e mundur, “nga Antigona deri te Kafka, nga komeditë dhe teatri i trupit”. Prej dy dekadash, thotë ai, aktorët në Tiranë luftojnë jo vetëm kundër problemeve të zakonshme sikurse pak para, por edhe kundër një njeriu: Edi Ramës, fillimisht piktor, më pas ministër kulture, në vijim kryetar bashkie i Tiranës dhe prej vitit 2013 kryeministër. “Rama donte ta shkatërronte Teatrin tonë që para dy dekadash dhe të ndërtonte këtu një megaqendër tregtare”, thotë Liçaj. Në Maj 2020, Rama u mburr që kishte dashur ta shembte teatrin që në vitin 1998 dhe ta zëvendësonte me një ndërtesë moderne.

Nën Ramën zhduket në Tiranë një ndërtesë historike pas tjetrës, qytetit i mbivendosen rrokaqiej, blloqe apartamentesh dhe qendra tregtare. Tenderat i fitojnë gjithmonë të njëjtit sipërmarrës ndërtimi, për shembull Shkëlqim Fusha. Në Shkurt 2018, Fusha i propozon bashkisë, të drejtuar nga Erion Veliaj, që të ndërtojë një teatër kombëtar në qendër të qytetit – dhe gjashtë rrokaqiej me banesa dhe njësi tregtare.

Fushës nuk i përkasin as tre përqind të sipërfaqes së nevojitur për ndërtim. Pjesa e luanit përbëhet nga prona publike – ajo e Teatrit Kombëtar. Burokracia shqiptare – nga bashkia deri te kryetari i qeverisë dhe parlamenti i kontrolluar nga partia e tij – siguron në pak javë të gjitha raportet e vlerësimit, opinionet dhe vendimet. Ministria e Kulturës në një ditë maji të vitit 2018 cakton një grup pune prej shtatë personash që brenda të njëjtës ditë vulos dhe rekomandon projektin Fusha që parlamenti me një procedurë të përshpejtuar ta miratojë përmes një ligji special. Më 5 Korrik 2018 ligji special miratohet.

Ndërkohë që policia dëshiron të zbrazë Teatrin, me qindra njerëz të kulturës e marrin ndërtesën. Për gati 2 vjet ata e mbrojtën atë me roje, edhe pasi bashkia shkëputi rrymën elektrike dhe ujin. “Ajo që na ka dhënë guxim, ka qenë rezonanca ndërkombëtare”, thotë Komani. Teatro gjermane dhe austriake, nobelistja Elfriede Jelinek, Bashkimi Europian kërkonin nga Rama që ta ruante Teatrin Kombëtar. Më kot. Më 8 Maj 2020 qeveria Rama ia kalon Teatrin Kombëtar i cili i përkiste Ministrisë së Kulturës ia kaloi bashkisë. Dhe ndonëse presidenti i vendit e kontestoi vendimin si në kundërshtim me kushtetutën, këshilli bashkiak në një mbledhje të fshehtë vendosi për shkatërrimin e teatrit. Në agun e 17 Majit 2020, ndërkohë që Tirana është në lockdoën nga virusi Corona, ndërtesa shkatërrohet.

As dy javë më vonë kryetari i bashkisë Erion Veliaj krenohet për dialogun “me institucionet ndërkombëtare financiare”. Banka Europiane e Investimeve (BEI) ka “shprehur gatishmërinë e saj për ta financuar projektin e teatrit me kushte të favorshme”. Por në fakt BEI që u përket vendeve anëtare të BE nuk dha asnjë kredi. Dhe kjo edhe për shkak të Lindita Komanit.

Pas shembjes së teatrit autorja Komani, e cila shkruan poezi dhe prozë të shkurtër dhe punon aktualisht për një roman, shfrytëzoi njohuritë e fituara në studimin e saj të ekonomisë në Grac. Ajo i shkruajti BEI-t, BERZH-it, FMN-së dhe Bankës Botërore dhe informoi bankierët mbi shkeljet e dyshuara ligjore, denoncimet dhe paditë para Gjykatës Kushtetuese dhe u lut që mos të vinin para në dispozicion. “Në fund të fundit ne kemi bërë të mundur që asgjë nuk ka mundur të fillojë deri tani”, thotë ajo.

Sipas një zedhënësi të kryetarit të bashkisë, bashkia, e cila tani do të ndërtojë Teatrin Kombëtar të ri në vend të sipërmarrësit Fusha, paska siguruar një “marrëveshje më të mirë” me Fondin për Zhvillim të Abu Dhabit, fondin e investimeve të Emirateve të Bashkuara Arabe. Fillimi i punimeve për teatrin e ri të projektuar nga studio arkitektonike daneze Bjarke Ingels do të ndodhë në verë. Ndërkaq as Fondi për Zhvillim i Abu Dhabit nuk konfirmoi për në kredinë e pretenduar dhe as zyra e arkitekturës Bjarke Ingels nuk e konfirmoi nisjen e shpejtë të ndërtimit – dhe as që në vend të Fushës është bashkia Tiranë ajo që punon për projektin.

Më tej edhe lufta juridike ende nuk ka përfunduar. Sipas presidentit shqiptar Ilir Meta, me ligjin special të Korrikut 2018 u shkelën shumë herë kushtetuta dhe ligje të tjera, marrëveshje me BE dhe një konventë europiane për kulturën. Paditë e presidentit në Gjykatën Kushtetuese nuk mundën ta ndalin shembjen e Teatrit Kombëtar. Kjo për shkak se Shqipëria në kuadër të një reforme gjyqësore të zbatuar nga BE dhe SHBA, pushoi me dhjetëra gjykatës të korruptuar dhe për disa vite nuk kishte një gjykatë kushtetuese të aftë për të marrë vendime.

Schauspieler Neritan Liçaj hat seit über einem Jahr kein Theater mehr gespielt. Das Übergangstheater ist seit Beginn der Pandemie geschlossen

Por që prej Dhjetorit 2020 ka sërish mjaftueshëm gjykatës kushtetues. “Gjykata Kushtetuese do të trajtojë më 3 Qershor ligjshmërinë e ligjit special dhe vendimit për kalimin e pronësisë”, thotë këshilltari ligjor i Metës Bledar Dervishaj për SZ. Por nuk janë këto të vetmet padi. Aktorë, grupime qytetare dhe Partia Demokratike kanë paditur 22 punonjës të shtetit, në mes tyre edhe kryeministrin Rama. Deri tani mungojnë shenjat që jurisprudenca shqiptare vërtet po heton ose që mundet të padisë të fortët e vendit.

Aktori Neritan Licaj ka një vit që nuk ka luajtur me teatër. Teatri i përkohshëm i parashikuar si një hapësirë alternative është i mbyllur që nga fillimi i pandemisë. Aty ku u shemb Teatri Kombëtar ende mbetet një boshllëk. “Qëllimi ynë është i thjeshtë”, thonë Liçaj dhe Komani: “Ne duam që Teatri Kombëtar të ndërtohet ashtu siç ishte, aty ku ishte”.

Para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit drejtuesi i opozitës Lulzim Basha premtoi që do ta rindërtonte Teatrin Kombëtar sipas origjinalit, në rast se do të fitonte. Por nuk fitoi ai, por kryeministri Rama. “Tani edhe më tej do të vijojë betonizimi dhe çhistorizimi i Tiranës”, thotë Lori Amy, një studiuese amerikane e kulturës, e cila angazhohet për ruajtjen e trashëgimisë kulturore që ka mbetur në Tiranë. Vetëm disa hapa larg Teatrit Kombëtar të shkatërruar, në rrugën Toptani ndodhen Sarajet, një vilë druri dykatëshe e ndërtuar mes vitit 1833 dhe 1840 nga një princ osman, një nga të paktat që ka mbijetuar në Tiranë. Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj do që t’i shpronësojë pronarët e Sarajeve dhe një ndërtesë tjetër fqinjë gjithashtu historike, të dyja monumente kulture. Sipas shërbimit të respektuar të lajmeve Exit Neës, i cili ishte njohur me planet e ndërtimit, në vendin e ndërtesës historike duhet të ngrihet një rrokaqiell 45-katësh. Një zëdhënës i bashkisë e mohon këtë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here