Gazeta gjermane shuplakë Ramës për Teatrin Kombëtar: Po zhduk historinë, Veliaj mashtron për fondet e Teatrit…

0
101

Një nga gazetat më të rëndësishme jo vetëm në Gjermani, por edhe në Europë, e quan shembjen e Teatrit Kombëtar në Shqipëri, skandalin më të madh kulturor që pas rënies së komunizmit.

Gazeta Suddeutsche Zeitung shkruan se kryeministri Edi Rama po shkatërron historinë.

“Nën Edi Ramën, godinat historike po zhduken njëra pas tjetrës nga Tirana, qyteti është mbushur me kulla, pallate dhe qendra tregtare. Të njëjtët kontraktorë si Shkëlqim Fusha po marrin kontratat. Në shkurt të vitit 2018, Fusha, i drejtuar nga ish-ministri i Edi Ramës, Erion Veliaj, propozoi që qyteti të ndërtojë një Teatër të ri Kombëtar- me gjashtë kulla të larta me apartamente dhe dyqane.

Fusha nuk ka në pronësi as 3 përqind të truallit për ndërtim aty, pjesa e luanit është pronë publike- për shembull Teatri Kombëtar. Burokracia shqiptare- që nga bashkia e deri te kreu i qeverisë- dhe parlamenti i kontrolluar nga partia e tij- hartuan raportet, opinionet dhe votuan brenda pak javësh. Ministria e Kulturës ngriti një grup pune me shtatë persona në majin e vitit 2018, pikërisht në ditën kur u miratua projekti i Fushës dhe iu rekomandua parlamentit të kalojë një ligj të posaçëm në mënyrë urgjente. Ligji kaloi më 5 korrik 2018”.

Gazeta nënvizon se skandali më i madh në historinë e pluralizmit shqiptar nuk ka mbaruar.

Dy javë pas shembjes së Teatrit Kombëtar, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se Banka Europiane e Investimeve ka premtuar se do të financojë një kredi për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar. “Në fakt, Banka Europiane e Investimeve, që i përket shteteve anëtare të BE, nuk premton ndonjë kredi,” shkruan gazeta, duke denoncuar mashtrimin e Veliajt.

Ajo vazhdon duke demaskuar një tjetër mashtrim.

“Sipas një zëdhënësi të kryebashkiakut, qyteti, që tani do të ndërtojë vetë Teatrin Kombëtar pa biznesmenin e ndërtimit Fusha, kërkon të mbyllë një marrëveshje të mirë me Fondin e Zhvilliit në Abu Dhabi për financimin. Ndërtimi i Teatrit të ri, i projektuar nga firma daneze e arkitekturës, Bjarke Ingels, do të nisë në verë. Megjithatë Fondi i Zhvillimit i Abu Dhabit nuk i konfirmoi gazetës se do japë ndonjë kredi. As firma arkitekturore nuk konfirmoi se ndërtimi do të nisë së shpejti- dhe as që po punojnë për projektin e Fushës, por për qytetin e Tiranës”.

Në fund, gazeta thekson se Tiranës po i zhduken gjurmët e historisë.

“Pak hapa më larg Teatrit Kombëtar të shembur gjenden Sarajet e Toptanëve, një vilë prej druri dykatëshe e ndërtuar nga një princ otoman mes viteve 1833-1840, një prej atyre pak që kanë mbijetuar në Tiranë. Kryebashkiaku Erion Veliaj kërkon të shpronësojë pronarët e Sarajeve dhe të një tjetër shtëpie historike fqinje, të cilat deri më tani kanë qenë monumente kulturore. Sipas portalit të respektuar Exit, që ka parë planet e ndërtimit, në atë zonë historike do ngrihet një qiellgërvishtëse me 45 kate. Një zëdhënës i bashkisë e mohoi”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here