Sa kushton kostumi juaj zoti kryeministër?!

0
208

“Sa kushton kostumi juaj zoti kryeministër i Shqipërisë?”- e pyeste gazetari, Fatos Nanon, në fundvitin e 97-ës. Asnjë përgjigje. Megjithëse insistoi gjatë, gazetari i BE-së, nuk morri kurrë informacion. Ai doli me njoftimin për shtyp, zyrtarisht në faqen e BE-së, me një gjuhë therëse: “Kryeministri shqiptar, sapo dalë nga burgu, vjen të kërkojë lekë, për një popull të varfër, me një kostum të shtrenjtë”. Trinitet perfekt, kryeministër-burg-kostum i shtrenjtë”. Për pushtetarin shqiptar mundet të jetë një element i vogël por për gazetarin e BE-së, përbënte scoop-in.

U përfol, nën zë, se çmimi i kostumit, pesë, apo gjashtë mijë dollarë, ishte sfidues, edhe për Europën e pasur. Por, në kontekstin e një kryeministri të një vendi të vogël dhe të varfër, çmimi i kostumit ishte arrogant. Një njeri “kokëulur” që lyp me arrogancën e kostumit 5 mijë dollarësh do të çorientonte dhe pështjellonte këdo, aq më tepër donatorët, që duhej t’i jepnin lekë një të sapo dalë nga burgu, me akuzë për vjedhje.

Po brekushet e Ramës, sado të shtrenjta dhe moderne, arrijnë të jenë arrogante? Jo, pasi  për dreq, mbeten në kuadrin folklorik. Në kuadrin etimologjik brekushet bien shumë shkallë më poshtë, me rrënjën e fjalës “brekë” dhe “ush”, prapashtesën, me të cilën shtyhet gomari. Por, në kuadrin e dinjtetit, brekushet komprometojnë duke e pozicionuar kryeministrin në një folkloriko-ironiko-anadollak. Kë do të ironizojë dhe sfidojë ai, me brekushet? Europianët nuk kanë ndonjë raport shumë të mirë me brekushet anadollake. Vetë shqiptarët nuk e kanë arritur ende atë stad “gustoje” që të pranojnë “brekë”-“ushet”, si përfaqësi të shtetit të tyre, sado të nëpërkëmbur, dhe nuk lejojnë t’i ironozojë, apo tallë dikush, qoftë ai edhe kryeministër. Ndërsa si çmim, njëmijë e ca euro e brekusheve ( siç është përfolur), është tejet modest në krahasim me pesë mijë dollarët e kostumit të Nanos. Për këtë arsye, brekushet nuk arrijnë në arrogancë.

Të dy, ish-kryeministri Nano edhe ai aktual luajnë me arrogancën edhe me sfidën, por në një ndryshim. Nano duke patur një ton të qetë, të ngadaltë, përdor sfidën në të folur (batutë, ironi, tallje) dhe arrogancën në të veshur. Në të kundërt, kryeministri aktual në veshje është sfidues i një ambjenti “injorant, të varfër, që nuk, merr vesh  nga moda” (e përçon ai modën, t’i gdhëndim pak këta injorantët) me format e brekusheve apo ngjyrat e kollareve. Ai, elementin arrogant e përdor në të folur, në ton, fyerje, sulm të drejtpërdrejtë, ndaj gjithkujt që guxon që ta kundërshtojë. Sfida kur tejkalon çdo normë shndërrohet në arrogancë. Arroganca është tipar i drejtuesit shqiptar, pasi i duhet patjetër si element nënshtrimi ndaj një publiku “kokëulur”.

Në Europë, veshja të pozicionon në shtresën e lartë, të mesme, apo të varfër, aty ku shtresat sociale janë të ndara, sepse është potencë, ose jo ekonomike. Tregimi i Mark Twain “Princi dhe i varfëri”, mbetet midis përrallës dhe ëndrrave të cdokujt, që një ditë  nga i varfër shndërrohet në të pasur dhe nga i pasur, në të varfër, apo të jetë në shtratin e një princi. Në Shqipërinë e varfër, mjafton të bëhesh politikan dhe sa hap sytë, nga i varfër, shndërrohesh në princ, mbret, sulltan, perandor. Princi e ka të vështirë që të shndërrohet, në një të varfër, por edhe i varfëri, mbase e ka shumë herë më të vështirë që të sillet si i pasur dhe të tejkalojë ato shkallë të shumta, që ndan shtresat sociale, të krijuara  nëpër breza.

Nano sapo kishte dalë nga burgu, pa biznes, jo i shtresës sa lartë, stresë e shkatërruar që nga koha hoxhiane. Atëherë, një europiani i bie menjëherë në sy, se si ka mundësi që një sapo-kryeministër, i një vendi të vogël, dhe të varfër, të vishet shik si një i pasur. Dhe në fakt, Nano u largua, pasi ishte pikërisht pushtetari që instaloi konceptin korrupsion,  shembull edhe i kryeministrave të mëvonshëm, vjedhjen e madhe, mentalitetin korruptiv, që e rrëzoi nga pushteti për të sjellë në pushtet kundërshtarin me slloganin “me duar të pastra”.

Përse Nano iu zvjerdh shqiptarëve në rrëfimin e tij të fundit në televizion? Politikani liberal,  kishte zhveshur  petkun, për t’i thurur lavde autoritarizmit Ramian, paçka që brenda frazës së tij kishte ironi dhe tallje si gjithmonë dhe mbi të gjitha ambiguitet. Nano, Çezari i dikurshëm, tashmë ishte kthyer në një Brut, që në kufomën politike të kryeministrit aktual, duhet ta lavdëronte, duke sharë: “Çezari është burrë i mirë por,.. Ai kontrollon gjithçka, por mirë bën” dhe vetveten ta shante duke e lavdëruar “Unë delegova pushtet, por nuk bëra mirë”. Indirekt, por edhe shumë direkt, i pozicionoi saktësisht të dy figurat e krahut socialist, veten liberal dhe kryeministrin autoritarist.

Nano iu zverdh shqiptarëve, sepse duhet të ngrinte një mit me kosto shumë të lartë, duke çmitizuar vetveten. Nëse Nano kishte ngritur një mit për veten, ishte pikërisht politikani liberal. Këtë mit e rrëzoi, për të mitizuar politikanin autoritarist. Çmitizoi veten, nga Çezar, që bënte dhe zhbënte figura e ngjarje, në një plebe që merr urdhëra nga pronari. Duke u çmitizuar iu zhvlerësua fjala, sado lavde t’i thurte liderit, apo pronarit. Ai cedoi në thelbin e tij  mitik, liberalizmi, duke mbetur tek shfaqja, apo teatri “kostumi pesë mijë dollarësh”, simboli korrupsionit dhe i shitblerjes politike. La thelbin, për teatrin. Me kostumin e shtrenjtë je i pushtetshëm, shet dhe blen politikë, figura politike. Pa kostumin, blihesh. Sot, Nano është pa kostumin e shtrenjtë, që përkthehet një figurë që tashmë blihet nga pushtetarët “brekushe, mijëra euroshe”. Arrogant (me kostum), i nënshtruar (pa kostum). Kjo qartëson tashmë edhe tipologjinë e udhëheqësit arrogant shqiptar, me veshjet mijra euroshe.

Nëse, në vitin 2005, shqiptarët rrëzuan Nanon nga pushteti, pikërisht për kostumet e shtrenjta, por me duar të pista, përse sot do të pranojnë brekë-ushet e kryeministrit, me duar edhe më të pista? Kostumi mund të jetë gusto, shije, dinjitet seriozitet, modë, avanguard, ekstravagancë, mundet të jetë pushtet, ngjyra. Nano zgjodhi në këtë mori elementesh, që kostumi të jetë potencë pushteti politik dhe ekonomik. Kryeministri aktual zgjodhi formën dhe ngjyrën, pasi kostumet flasin. A ishte e nevojshme t’i përgjigjej pyetjes së gazetarit të BE-së, kryeministri i Shqipërisë? Jo. Kostumi i Nanos flista mijra fjalë, pa nxjerrë asnjë zë. Edhe gazetari pyetje retorike e kishte, pasi kjo u duk në njoftimin e tij zyrtar, në faqen e BE-së.

Vërtet mendojnë drejtuesit e emisioneve që shqiptarëve u intereson veshja e liderve të saj, duke bërë emisione pafund për këtë temë? Po, u intereson sa kushtojnë për të kuptuar se sa vidhen. Dhe në momentin që ata zbulojnë, se sa vidhen vërtet, mendojnë drejtuesit e emisioneve se shqipatëve u intereson se çfarë mendojnë këta liderë për mbarëvajtjen e vendit? Vërtet mendojnë drejtuesit e emisioneve, se shqiptarëve u intereson se çfarë mendon ish-kryeministri që u largua, me akuzua për vjedhje, për kryeministrin aktual, që pritet të largohet, me akuza se ka vjedhur, shumë herë më tepër? A është e domosdoshme që sot shqiptarët, të bëjnë pyetjen retorike  për brekushet? Brekushet e tij flasin miëjra fjalë. Veshjet janë të gjalla flasin, hanë, si  xhybja e Nastradinit.

Në ditët e sotme pyetjet retorike kanë ndryshuar: “Sa leje ndërtimi keni dhënë z. kryeministër sëbashku me Kryetarin e Bashkisë? Edhe lejet e ndërtimit janë po aq të lexueshme dhe të llogaritshme sa çmimi i kostumeve dhe i brekusheve, duke e lënë pyetjen retorike, jo domosdoshmërisht me përgjigje. Numëroni pallatet, katet, apartamentet, nxirret 20 përqindshi i fitimit.

Cila tipologji popujsh pëlqen një udhëheqës arrogant? Vërtet e duam një arrogant një dhunues, apo na ofrohet si model, pa patur fuqi ta shkulim nga memorja jonë historike anadollakun shekullor, duke na vendosur detyrimisht, midis zgjedhjeve, tejet të vështira,  modelit europian, ku natyralisht jemi si popull dhe modelit anadollak, që na është imponuar?

Pas kryengritjeve të shqiptarëve rreth viteve 1500,  Otomanët e dogjën dhe e shkretuan Shqipërinë, duke i nënshtruar përfundimisht shqiptarët politikisht, por edhe mendërisht, për të na dyzuar në shekujt e mëvonshëm, midis modelit otoman dhe modelit europian. Brekushet, mentaliteti dhe formati i pushtetit otomano-anadollak, po plaçkit dhe rrënon shqiptarët edhe sot. Serviret, sikur shqiptarët e duan modelin otoman, të sulltanit të gjithë pushtetshëm.

Hidhet ideja, sikur shqiptarët e duan arrogancën, tezë kjo e pavërtetuar, për sa kohë iu imponua me pushtimin otoman 500 vjeçar, me diktaturë 50 vjet, vjedhje jete, me autokraci dhe korrupsion 30 vjet,  vjedhje vote. Shqiptarëve, modeli otoman iu imponua me dhunë, flakë e diktaturë. Kundra otomanëve shqiptarët luftuan gati një shekull, duke hedhur poshtë  tezën  se shqiptarët e duan modelin otoman. Figura sulltanësh ecin me teorinë, uli kokën, fyeji që t’i nënshtrosh, dhe më pas t’i shkelësh me këmbë. Studjoni figurën e  një kryeministri europian dhe gjeni një të tillë, ofendues, arrogant në fjalë dhe xhestikulaturë, fyes, përçmues. Sfida më e madhe e shqiptarëve sot është lufta me otomanizmin modern dhe figurat otomano-anadollake-sulltanike-satanike, për të instaluar modelin tonë natyral atë europian dhe figura liderësh europian.

.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here