Gjëma e kancerit!

0
173
Nga Arian Galdini
Në janarin e 2015 në familjen tonë u ballafaquam me rastin e kancerit dhe për fatin tonë të keq, ne e humbëm të dashurin tonë. Kanceri e gllabëroi.
Me thënë të drejtën nuk është aq e dhimbshme humbja e betejës me kancerin, sepse gjasat e fitores mbi të janë të vogla ende. Dëshpëruese për ne ishte ajo çka zbuluam në sajë edhe të betejës publike që unë bëra. Prej asaj kohe ndonëse nuk jam as mjek, e as kam ndonjë lidhje me shëndetësinë, vëmendja ime ka mbetur fortësisht e fokusuar tek gjithçka që ka lidhje me mbarëvajtjen e sistemit shëndetësor shqiptar.
Sidomos siguria dhe cilësia e ilaçeve dhe siguria ushqimore janë kthyer në kauza të mëdha qytetare e politike për të cilat unë jam i gatshëm të ballafaqohem me gjithëkënd pa asnjë ngurrim e pa asnjë ndalesë. Po e nis duke thënë se unë do të doja që siguria e ilaçeve dhe e ushqimeve të ishin edhe kryekauzat e çdo shqiptari.
Fatkeqësisht nuk e gjej kurrkund vetëdijësimin qytetar për rëndësinë madhore që ka për jetët tona siguria e ilaçeve dhe e ushqimeve. Diku, dikush, bën politikë e shan mbarë e prapë kundërshtarin e ne si mola hidhemi në zjarr për të mbrojtur batakçiun e krahut tonë e duke mallkuar batakçiun e krahut tjetër.
Diku, dikush bën një gjëmë dhe ne të gjithë ngarendim nëpër tastierat e kompjuterave apo telefonëve celularë si brenda një kafazi të madh virtual për tu hakërryer nga brenda “hekurave” që na mbajnë brenda.
I hakërrehemi kundërshtarit politik apo gjëmëbërësve a thua se sikur të mos ishin ato “hekurat” që na burgosin përballë ekraneve të ndezura, të gjithë do kishim kërcyer vrik drejt Targetit të Zemëratës sonë që ta fërgonim të gjallë në nxehtësinë e mllefit tonë kolektiv. Pastaj vjen edhe ajo pjesa tjetër e zemëratës që çdo ditë e për çdo gjë përpiqet të bëjë edhe detyrën politike.
E mira e gafurrjes nga kafazi virtual, nga facebooku, është se mund ti bësh të gjitha punët me shumë pak kosto e madje duke marrë rreze dielli a pirë ndonjë kafe ankimtare, ose duke rrëkëllyer edhe ndonjë birrë të freskët a duke shijuar ca qofte të përgatitura për merak.
Me celular në dorë, ngulitesh tek ekrani i ndezur, përqendrohesh aty për tu shkëputur nga qejfi përreth dhe zhytesh me gjithë fuqinë tënde në terrin e zemëratës së munguar gjatë gjithë kohës kur nuk je duke u marë me punë partie a nuk ke lexuar lajme të kronikës së zezë.
E ia nis të rrahësh tastierën a thua se çdo gërmë është një brengë e vitit mbi të cilën ti ngulçon.
Kështu të gjithë ne lëshojmë statuset tona si Bisha të Tërbuara, si ai boksieri Pat Glendon i Xhek Londonit, e që të gjithë së bashku dërrmojmë brenda kafazit virtual, brenda facebookut, me grushtat tanë të zemëratës çdo Armik Mizor që na ka behur në sqeprrahjen politike a kronikën e zezë të rradhës.
Nga facebooku, mund edhe të shkruajmë statuse për veten e ndërgjegjen tonë, por edhe statuse politike që partia apo thjesht shokët tanë të partisë me të cilët ndërtojmë edhe hierarkinë tonë sociale, ta vlerësojnë  përkushtimin tonë edhe në ditë kur partia ka nevojë edhe kur nuk ka nevojë për ne.
Jo për gjë, por ia vlen që ta bësh edhe qytetarin e zemëruar kundër armikut politik të partisë a kryetarit sepse dukesh i devotshëm, ama duhet patjetër që zemëratës ti japësh orientimin e duhur sipas porosisë e vijës së partisë, sepse kështu je edhe limfa që partia vlerëson e shpërblen.
Pastaj historia harroet, betejat e përplasjet e radhës mbarojnë, e ne bëhemi gati për armiqtë e konfliktet që vijnë kështu që nuk duhet ta kemi zemëratën me pikatore.
Partitë kujdesen për ne a thua se e kanë kujdes vetë që ne të mos ua ndjejmë mungesën këtyre shfryrjeve ciklike kolektive.
Pyetja që më këlthet brenda meje është: ku jemi ne që zihemi e kacafytemi përditë për partitë dhe kryetarët, kur çdo ditë lexojmë lajme për ushqime skandalozisht dhe marrëzisht të pasigurta?
Po bisedoja me një mikun tim në Ulqin pak ditë më parë dhe mbeta i shtangur kur ai më tha se kanë filluar të shtohen rastet me kancer edhe andejkufirit qyshse kanë filluar të tregëtohen në Mal të Zi produkte ushqimore nga Shqipëria.
Besomë, më tha, në Mal të Zi ka shumë korrupsion e mafia, madje ndoshta më shumë sesa në Shqipëri, por askush, kurrë, nuk guxon të cënojë sigurinë ushqimore.  Si për të ma turbulluat edhe më tepër ndërgjegjen, sapo u ktheva në Tiranë, kërkoj e lexoj se rastet me kancer e tumore kanë shkuar deri në 7000 në vit, e me këtë progresion rritjeje shumë shpejt do jenë 8000 në vit e deri në shifra katastrofike.
Shkaktarët kryesorë nuk janë më as duhani, as ambjentet e punës, por siguria ushqimore dhe ndotja e ambjentit.
Besoj, se këtu kam edhe një ngacmim të fortë personal pasi për shkak të betejës që unë zhvillova në vitin 2015 kundër mizorisë së sistemit tonë shëndetësor dhe mafias farmaceutike, pata rastin të njoh e mësoj shumë sende e fakte që më parë nuk i dija.
Rasti i familjarit tim që u shua jo vetëm nga kanceri por edhe nga makutëria e politikanëve të korruptuar dhe e mafias farmaceutike, me hapi Portat e disa të vërtetave ulëritëse, për të cilat nuk kam ndërmend të hesht përsa të kem frymë.
3 janë të vërtetat që sipas meje janë emergjencë mbi emergjencat për shoqërinë dhe kombin tonë.
1. Ne ushqehemi me krim.
2. Ne strehohemi në krim.
3. Ne kurohemi me krim.
Cili është krimi?
Krimi është babëzia, makutëria, ligësia, çnjerëzia e atyre që pasurohen duke sjellë, tregëtuar apo prodhuar ushqime të skaduara, të manipuluara, të shiringuara me hormone, të dendura me kimikate.
Është krim mbi krimet sepse potencialisht çdo tregëtar apo prodhues produktesh ushqimore të tilla është një vrasës. Dhe përderisa shesin apo prodhojnë të tilla produkte ushqimore për tu pasuruar apo për të mbijetuar, kjo i bën vrasës me ndërgjegje.
Edhe politikanët dhe institucionet që marin rryshfete a përfitime korruptive e pasurohen kriminalisht nga kjo lloj tregëtie apo prodhimesh ushqimore, janë vrasës me ndërgjegje.
Si mund të lejojmë të vazhdohet kështu?
Si mund ti quajmë tregëtarë a sipërmarrës të ndershëm këta batakçinj e vrasës me ndërgjegje që sjellin e tregëtojnë për fëmijët tanë dhe për ne ushqime të skaduara, të cilësisë më të ulët, të manipuluara, e kështu me radhë?
Po këta fermerët tanë që kanë bërë fitimin arsye madhore e nuk po lënë mish po hormonizuar dhe prodhim bujqësor pa shiringëzuar e pa kimikatizuar, çfarë ti quajmë përveçse vrasës me ndërgjegje?
Po këta tregëtarët e miellit dhe furrëtarët që me grurë e miell kuajsh nga Serbia, na bëjnë bukën e përditshme duke na vrarë nga pak çdo ditë, çfarë ti quajmë?
Po ndërtuesit që me hekur radioaktiv nga Ukraina na kanë ndërtuar gjysmën e Shqipërisë, çfarë ti quajmë?
Po këta barbarët e farmaceutikës që na shesin kinse ilaçe gjenerike por që e kanë mbushur tregun me ilaçe të skaduara apo të falcifikuara që veç shërim nuk na japin, çfarë ti quajmë?
7000 raste me kancer në vit, janë statistika naziste eksterminimi kombëtar.
Ju quajeni si të doni, por po nuk reaguam sot, po nuk e përdorëm Pat Glendonin tonë publik sot, për ta ndalur këtë krim kundër njerëzimit, vitin tjetër, kur të bëhen 8000 të tjerê të prekur nga kanceri, mos u ankoni më.
Thjesht prisni të enjten që vjen kur të shahen Kryetarët e Udhëheqësit e Partive për ta shfryrë bishën tonë publike ndaj Batakçiut të palës tjetër.
Kombi duhet të ngrihet në këmbë për Sigurinë Ushqimore.
Nuk ka emergjencë më të lartë.
Sepse ata 7000 që na u prekën gjatë këtij viti nga kanceri janë maja e ajsbergut…
Ne nuk dimë e nuk masim dot krimin që po ndodh ngadalë në trupat tanë e në brezat që po vijnë, prej ushqimeve qê po hamë çdo ditë….
Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here