Zgjedhja e Presidentit, Kosova drejt krizës kushtetuese

0
173

Nëse presidenti i ri i Kosovës nuk zgjidhet deri më 5 prill të vitit të ardhshëm, Kosova rrezikon të hyjë në një krizë kushtetuese. Pas dorëheqjes së ish-presidentit Hashim Thaçi më 5 nëntor, detyrën e kreut të shtetit po e përmbush kryeparlamentarja, Vjosa Osmani. Deri më tani partitë politike nuk kanë arritur ende një marrëveshje për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Kosova rrezikon të hyjë në krizë kushtetuese në qoftë se presidenti i vendit nuk zgjidhet deri më 5 prill të vitit të ardhshëm. Nëse një gjë e tillë ndodh, Kushtetuta nuk parashikon asnjë dispozitë se si duhet të veprohet.

Si zgjidhje të kësaj situate, Yll Zeka nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) sheh vetëm interpretimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Në rastin më të keq nëse brenda këtyre 6 muajve nuk gjendët një zgjidhje, qoftë për të zgjedhur presidentin e ri apo shkuar në zgjedhje, atëherë është detyrë e u.d të presidentit, ketë rast kryetares së Kuvendit t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për interpretim të kësaj situate,” thotë Zeka.

Profesorin e të drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu nëse ndodh që presidenti mos të zgjidhet në afatet e përcaktuara, do të thellohej kriza dhe provohej dështimi i klasës politike.

“Pas kalimit të afatit 6 mujor ekziston mundësia edhe domosdoshmëria e shpërndarjes së parlamentit, i cili shpërndahet me 2/3 e deputetëve ose iniciativën e presidentit. Kryesorja në bazë të principit të analogjisë, unë mendoj që nuk do të ndodh deri tek ai moment, sepse do të ishte fiasko, dështim i papranueshëm dhe i pashembullt i kësaj klase politike dhe veçanërisht koalicionit qeverisës…nëse ndodh kjo edhe nëse në parlament nuk ka shumësi prej 2/3 për shpërndarje dhe gatishmëri për këtë, do të thotë thellim i dyfishtë i krizës dhe ekstrem që nuk shpresoj që do të ndodh,” tha ai.

Për dallim nga dy të parët, analisti politik Arton Demhasaj thotë se u.d e presidentes, Vjosa Osmani mandatin e ka vetëm deri në shkurt të vitit 2021, aq sa do të duhej të kishte ish presidenti Hashim Thaçi.

“Një̈ muaj para se me skaduar mandati presidentit aktual duhet të nisen procedurat e zgjedhjes së presidentit të ri. I bie që këto procedura duhet të fillojnë̈ në janar të vitit 2021 dhe të përfundojnë në fund të shkurtit, apo fillim të marsit 2021. Nëse deri në atë̈ kohë nuk zgjidhet një̈ modalitet dhe dështon procedura e zgjedhjes së presidentit, atëherë automatikisht kuvendi konsiderohet i shpërndarë dhe vendi shkon në zgjedhje”, deklaron Demhasaj.

Me dorëheqjen e presidentit Hashim Thaçi më 5 nëntor, ushtruese e detyrës së presidentes është kryeparlamentarja, Vjosa Osmani. Koalicioni qeverisës nuk mund ta zgjedhë i vetëm presidentin, pasi nevojitet mbështetja e dy të tretave të deputetëve. Deri tani partitë parlamentare politike nuk kanë diskutuar për gjetjen e një zgjidhje për kreun e shtetit./OraNews.tv

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here