Meta i është kthyer në “makth”, Qeveria miraton me urgjencë projektbuxhetin për vitin 2021

0
101

Mazhoranca, e alarmuar nga kthimet e ligjeve që i ka bërë Presidenca, vendos ta kalojë Projektbuxhetin 2021 me procedurë të përshpejtuar. Të paktën kjo del nga debati i zhvilluar në konferencën e kryetarëve në datën 29 tetor. Diskutimi për ndryshimin e kalendarit ka qenë komik sepse merrte për bazë shtyrjen që mund t’i bëjë Presidenti Meta këtij projektligji.

E vetmja që kundërshtonte ishte anëtarja e opozitës formale, deputetja Hajdari. Edhe kjo e bëri kundërshtimin nga telefoni, sepse ishte duke udhëtuar me makinë për diku, në orën që duhej të bënte lidhje me mbledhjen e kryesuar nga Gramoz Ruçi.

Kur u pa se debati po bëhej serioz dhe Presidenti Meta po e “fitonte” debatin pa qenë aty, Ruçi dha një argumente shtesë, pse duhet të bëhet me urgjencë miratimi i projekt buxhetit. Sipas tij, mund të shpiket vaksina anti-covid në dhjetor dhe qeveria nuk do të ketë fond të miratuar për ta blerë.

Të gjithë të pranishmit dhanë argumentin se jemi në gjendje të jashtëzakonshme lufte, prandaj duhej miratuar menjëherë, pa diskutim, ky projektbuxhet.

Nga fraza ”jemi në luftë”, kuptohet se ata kishin marrë urdhër nga Rama (ai e ka me qejf gjendjen e jashtëzakonshme) ta kalojnë me shpejtësi, pa bujë projektbuxhetin.

Dialogu i mëposhtëm është komik sepse debati është me një person që nuk është aty, por në Presidencë, kështu që diskutantët flasin edhe në rolin e tij, duke u përpjekur të mos jetë monolog.

Sa herë që deputetët vendosen në këtë rol budallai, urdhërdhënësi i tyre po fsheh diçka. Kryeministri Rama kërkon të fshehë me gogolin Meta misionin e këtij buxheti, ku koncesionet në shëndetësi do të përfitojnë nga buxheti i shtetit 2020 plot 4.5 miliardë lekë të reja. Shifrat e raportuara në relacionin e projektbuxhetit, tregojnë se nga viti në vit do ketë rritje të fondeve për 4 koncesionet e shëndetësisë. Nga 13 kontrata koncesionare, 4 prej tyre i përkasin shëndetësisë.

Kur e pyeti një deputete ministren e Financave Anila Denaj, nëse kishte qeveria një plan B për  një mbyllje të dytë nga pandemia, ajo thjesht uroi që kjo të mos ndodhë. Përndryshe do të ngrijmë një pjesë të zërave në buxhet. Pra, nuk ka një plan për të mbështetur njerëzit dhe biznesin nëse do të ketë sërish karantinë.

Kryeministri do të mbulojë faktin që infrastruktura (tenderët e rrugëve që nuk mbarojnë) ka buxhet më shumë se sa shëndetësia, në kohën e pandemisë.

Qeveria nuk ka plan B, ku do t’i gjejë paratë për rritjen e pagës minimale në 1 janar 2021, nëse do të ketë mbyllje, rrjedhimisht mosrealizim të të ardhurave.  Po ashtu, qeveria mbulon uljen pagesave për shtresat në nevojë dhe rritjen e fondeve për 700 policë të rinj.

Kryeministri nuk do që të diskutohet se sa do të jetë rënia ekonomike faktike për vitin 2020, që të kuptojmë se sa është rritja 5% për vitin elektoral.

Këtyre qëllimeve iu shërben miratimi me urgjencë nën presionin “Meta”, që u vendos në mbledhjen e kryetarëve të grupeve të Kuvendit.

Pjesë nga diskutimi

Gramoz Ruçi– E thirra këtë mbledhje të Konferencës së Kryetarëve për të reflektuar dhe për të rishikuar kalendarin e veçantë për shqyrtimin e projektbuxhetit 2021, i miratuar në mbledhjen e kaluar të Konferencës së Kryetarëve.

Duke pasur parasysh që procedurat vazhdojnë, si: zbardhja dhe çuarja në Presidencë, ku Presidenti ka një kohë jo të shkurtër, bën atë që mund të rrezikojë që buxheti të mos bëhet aktiv brenda vitit ose brenda dhjetorit. Kështu që, duke qenë se me festat e fundvitit mbyllet sesioni parlamentar, mund të na ndodhë që projektbuxheti të mbetet objekt shqyrtimi në fund të janarit. Kështu që kjo është arsyeja themelore që na bën ta rishikojmë, gjë që s’e parashikuam gjatë mbledhjes së parë të Konferencës së Kryetarëve. Nuk e di çfarë mendojnë anëtarët Konferencës?

Zoti Balla.

Taulant Balla –Në këtë këndvështrim, thjesht komplementare me atë që thatë ju, buxheti i shtetit për vitin 2021 duhet të jetë gati sa më shpejt, nisur edhe nga ky fakt ose kjo traditë e keqe që Presidenti i Republikës tashmë ka vendosur.

Rudina Hajdari – A mund ta marr unë fjalën?

Jam duke udhëtuar për në Fier prandaj nuk po e hap kamerën, sepse nuk dua të shkëputet.

Mirëmëngjesi të gjithëve!

Unë nuk jam dakord me këtë propozim, sepse, së pari, është në kompetencën e Presidentit për të bërë kthimin e projektbuxhetit ose projektligjeve të tjera. Ai e ka kompetencë këtë gjë dhe sa herë ka kthyer ligje ose çdo gjë tjetër, që është kthyer në parlament, si Kodi Zgjedhor e të tjera, kanë qenë të mirargumentuara. Nga kjo unë nuk mendoj se ne duhet t’i hedhim të gjitha, duke e paragjykuar situatën dhe duke thënë se roli i Presidentit në këtë mes mund të na pengojë për buxhetin.

Gramoz Ruçi – Zoti Musaj, fjala për ju.

Nimet Musaj -Unë e dëgjova edhe kolegen, edhe kolegun Balla, dhe jam absolutisht dakord që brenda këtij afati Kryetar, pra brenda këtij viti, ne ta kalojmë këtë projektbuxhet. Jemi në gjendje lufte…

Gramoz Ruçi – Zoti Balla.

Taulant Balla – Së pari, dua ta sqaroj kolegen Hajdari që buxheti i shtetit dhe përbërja e qeverisë janë dy votime, të cilat janë ekskluzivitet i maxhorancës. Nuk ka ndodhur dhe nuk pres që opozita të votojë buxhetin e qeverisë së maxhorancës që unë përfaqësoj në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo nuk ka ndodhur në asnjë parlament, as në kongresin amerikan, ku zonja Hajdari ka eksperiencë, që demokratët të votojnë një buxhet që vjen nga administrata republikane e Presidentit Tramp.

Rudina Hajdari – Zoti Kryetar, do të kisha dëshirë ta merrja edhe një herë fjalën.

Gramoz Ruçi – Po.

Rudina Hajdari – Atëherë, nëse më lejoni, e para njëherë mendoj se Presidentin e keni zgjedhur ju si maxhorancë bashkë me parlamentin e kaluar dhe ju po silleni sikur Presidentin jua kanë sjellë me detyrim në atë post që është…

Gramoz Ruçi – Ne nuk kemi analizë Presidentin, çfarë është ky diskutim?

Rudina Hajdari –Kjo nuk ka ndodhur ndonjëherë, me sa di unë. Prandaj, nuk mund të bëjmë këto anashkalime, sepse është e pa precedentë…

Gramoz Ruçi – Çfarë nuk ka ndodhur, zonja Hajdari?

Rudina Hajdari – Që të kalohet buxheti shpejt e shpejt në këtë mënyrë, pa u debatuar.

Gramoz Ruçi – Nuk tha njeri pa u debatuar, kush e tha këtë?

Rudina Hajdari – Ne e bëmë Konferencën e Kryetarëve javën e kaluar dhe nuk e di se çfarë ka ndryshuar nga java e kaluar në këtë javë…

Gramoz Ruçi – A ka argumente shtesë, zonja Kodheli?

Mimi Kodheli –Ndaj të njëjtin opinion me kolegët, por më së pari me kolegun Roshi. Jemi në një gjendje të jashtëzakonshme dhe në mënyrë të

Gramoz Ruçi – Kush ka tjetër? Nuk ka. Doja të thosha tri gjëra…Ajo më kryesorja e kryesoreve është që sot është e gjithë bota me sy dhe veshë te vaksina Covid. Çfarë do të themi ne deputetët shqiptarë, mirë doli në dhjetor, por qeveria shqiptare megjithëse ne kemi ratifikuar një marrëveshje, nuk është gati, sepse parlamenti shqiptar do të mblidhet në shkurt të vitit 2021 për të miratuar buxhetin?

Sigurisht që zonja Hajdari, nuk është dakord. Konsensus nuk ka. Kështu që kalendari i ri i paraqitet seancës dhe votohet në seancë. Jemi dakord?

Punë të mbarë!

Mirupafshim në seancë!

/TPZ.al/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here