Mospërballimi i pasigurisë/ Minileksion online për gazetarë dhe politikanë të rinj… edhe të vjetër!

0
79

Nga Artan Fuga

A është kjo një pemë? Sigurisht, unë e shoh, shihni gjelbërimin e gjetheve të saj! Por kush më siguron që ajo nuk është një pikturë realiste me një ngjashmëri të madhe me një pemë. Jo, sepse mikja ime që është afër pemës që shoh më telefonon dhe më tha: Po, është një pemë, unë i prek gjethet dhe trungun e saj! Mirë, po kush nuk më siguron që mikesha ime që më siguron se ajo është afër një peme nuk e ka gabim konstatimin e saj? Po sikur në telefon dikush të ketë futur një zë artificial të ngjashëm krejtësisht identik me valët e zërit të mikeshës sime dhe më thotë një konstatim të gabuar? Problem i madh! Ajo u afrua dhe më tha në vesh : Po ishte një pemë! Po sikur të më gënjejë? Nuk më ka rezultuar në të kaluarën kurrë se më ka gënjyer, po sikur qysh nga ky çast të ketë ndryshuar? Pra të më gënjejë? Ku më siguron dot e kaluara se sot gjërat rjedhin njësoj si më parë? Kjo është një pemë sepse dje unë vetë kalova andej dhe e preka, e nuhata, dëgjova fëshfërimën e gjetheve! Mirë, po sikur kujtesa të më gabojë dhe dje unë të kem qenë gjetiu, të kem prekur një pemë tjetër dhe të më duket se është kjo pemë? Le të shkojë ta prek me duart e mia! Mos jam në ëndërr, mos jam në gjumë? Më duket sikur e prek, por në fakt nuk kam veçse një ndjenjë fallco mbi një gjoja realitet! Mos dysho të gjithçka! Urdhëri që i jap vetes më siguron se ajo është pemë! Por, çfarë lidhje ka një urdhër me një dije? Unë mund të kem qejf ta urdhërojë veten, sepse kështu qetësohem, por në të vërtetë unë e di që ka urdhëra të gabuar. Mundet që e urdhëroj veten krejt gabimisht! Shkoj dhe prek trungun e pemës me duart e mia. Me çfarë? Me dorën time? Si ta provoj që kjo është dora ime? Sa njerëz të sëmurë kujtojnë se dora e tjetrit është dora e tyre! Sa njerëz që nuk kanë dorë fare mendojnë se kanë dorë, e ndjejnë atë! Kush më siguron që nuk më kanë bërë një injeksion që ka ndryshuar ndjesinë e lëkurës sime dhe atë që prek m’a bëjnë të më duket se është një gjethe? Askush nuk më siguron se çfarë ka ndodhur me mua kur kam qenë në gjumë. Cfarë jam duke menduar dhe arsyetuar në këtë mënyrë. Ja unë u afrova te pema dhe pashë që nuk ishte pemë, ishte një pikturë! Kush më siguron se korrigjimi i gabimit të bërë nuk është përsëri një gabim. Unë prek relievin e ngjyrave mbi telajo, por ku e di unë që në botë nuk ka pemë që janë kështu? Që u ngjanë pikturave, por në fakt janë vegjetacione? Përsëri dora që i prek, a vallë gabon? A është dora ime? A nuk jam në ëndërr, a mos vallë ajo që unë quaj pikturë të tjerët e quajnë pemë dhe kur them kjo nuk është një pemë, ata nervozohen me mua? …

(Reflektime në mëngjez të shtune, për leximet e darkës vonë në vigjilje të së sotmes të Ludvig Witgejnsteinit, Fletorja blu)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here