“Ky do të jetë viti kulmor i kanabisit”, Berisha akuzon ashpër: Izolimi u shfrytëzua për mbjellje masive

0
85

Ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur akuzen ‘bombe’ gjate nje interviste në Ditarin e A2, se në këtë periudhë izolimi, thuajse total të vendit për frenimin e pandemisë së koronavirusit, në disa zona është mbjellë masivisht kanabis.

“E vërteta është se pandemia u shfrytëzua për mbjellje masive të kanabisit në të katër anët e vendit. U shfrytëzua për tendera sekretë të denoncuar nga organizata serioze, mbi 20 tendera sekretë për të vjedhur në mënyrë të fshehtë. Kruja, Tepelena, Këlcyra, Përmeti, Dukagjini, Skrapari, Berati, janë mbushur si asnjëherë tjetër me kanabis. Ky do të jetë viti kulmor i kanabisit”, tha Berisha.

Ai hoqi një paralele me vitin 2016, duke thënë se për nisjen e kultivimit u përdor e njëjta “parullë-kod”, siç e quajti ai.

“Në vitin 2016, Koço Kokëdhima doli me teorinë e kanabisit mjekësor dhe se do të siguronte eksporte të kësaj bime në SHBA. Para një muaji, Edi Rama dha kushtrimin “do të legalizojmë kanabisin mjekësor”, çka do të thotë “mbillni sa të mundeni se nuk keni asnjë pengesë”. Po tejkalohet ajo iniciativë. Pas fjalës të tij se do të miratonte ligjin për legalizimin e kanabisit, të gjithë kultivuesit e vjetër të kanabisit u mobilizuan dhe tokat e bukës po i mbjellin kanabis. Janë krijuar fidanishtet nga më të fuqishme që kanë ekzistuar ndonjëherë. Është caktuar taksa e komisarëve të policisë, me sa duket do të jetë më e lartë se sa ishte në vitin 2016. Pra do të jetë viti i dytë i kanabizimit masiv të Shqipërisë”, shtoi ish-Kryeministri.

Në intervistën për A2, ish-kryeministri Sali Berisha, ngre akuza se janë manipuluar shifrat e Covid-19. Ai thekson se janë falsifikuar shifrat për personat e prekur, madje sipas tij, edhe të personave të vdekur.

“Fatkeqësia natyrore në Shqipëri, njëlloj si në 170 vende të tjera të planetit, nuk ndoqi ecurinë që ndoqi në 20 vendet e industrializuara, dhe 3 apo 4 vendet e tjera jo të industrializuara në shkallën e të parave. Në bazë të shifrave, Shqipëria rezulton të ketë një vdekshmëri më të lartë se 146 vende të tjera të botës, në raport me popullatën. Në raport me rastet e infektuara, vdekshmëria e Shqipërisë është më e madhe se në 171 vende të tjera. Kjo do të thotë, se menaxhimi i pandemisë në Shqipëri ka qenë i papërshtatshëm, por ajo që është tronditëse është se ky menaxhim u bazua në falsitete të paimagjinueshme, të cilat tani mund të kenë një çmim të shtrenjtë. U falsifikua në mënyrë të programuar numri i të infektuar. Mbetet e regjistruar në analet e turpit dita kur në Shkodër, ku për 13 raste për Covid-19 u testuan vetëm 18 qytetarë, kur duhet të testoheshin minimumi 180 qytetarë. Nëpërmjet kufizimit të testimeve, u kufizua maksimalisht numri real i të infektuarve. U falsifikua në mënyrë monstruoze numri i vdekjeve. Kam konstatuar se vdekje jo të pakta kanë ndodhur në vatra koronavirusi, ku kanë vdekur qytetarë në shtëpitë e tyre, të cilët nuk dërgoheshin në spital.  Kjo valë falsifikimi ka kulmuar me 5 raste që ndërruan jetë në reanimacion në Shkodër. Të pesta këto raste kanë qenë pozitive me Covid-19, por që Edi Rama i shpalli si raste që nuk kanë ndërruar jetë nga Covid-19. Me rastin tjetër në Tiranë, Ministria deklaroi se një rast ishte Covid-19, por nuk vdiq nga koronavirusi. Janë me dhjetëra raste të varrosur me policë ose vetëm nga familjarë. Ka pasur familje, ku të pestë anëtarët kanë qenë pozitivë me Covid-19 dhe katër prej tyre mbijetuan dhe njëri prej tyre vdiq. Familje të tjera me 7 anëtarë kanë pasur të njëjtin fat. Është bërë gjithçka që të shtrohen sa më pak pacientë nëpërmjet 127-ës, e cila ka zbatuar urdhra çnjerëzorë për mashtrimin në spital të të shtruarve”, tha Sali Berisha.

Më tej, Berisha u shpreh se nëse do të kishte qenë ai në drejtimin e vendit, Shqipëria nuk do të ishte kapur e papërgatitur.

“Kurrën e kurrës nuk do të ishim të papërgatitur. Pandemitë kanë ligjet e tyre, ato nuk kërkojnë gjëra të sofistikuara për përgatitje, kërkojnë maskën, testin, kërkojnë natyrisht karantinën. Këto masa mund t’i merrte çdo vend, i pasur apo i varfër. Fatmirësisht, Shqipëria nuk klasifikohet sot në grupin e vendeve të varfra. Që më datën 7 shkurt, unë kam ngritur me të madhe çështjen e maskave, mungesën e tyre; kam kërkuar importimin e tyre; kam kërkuar sasinë e mjaftueshme të testeve. Unë konstatova që kongresi i PS u bë edhe pse rastet ishin prezentë. Bota dhe unë e quajtëm “Kongresi i koronavirusit”. Ai kongres u kthye në një bombë biologjike. 3 mijë vetë në një sallë që merrnin spërklat e njëri-tjetrit, përbën një problem shumë serioz për përhapjen e koronavirusit”, tha ish-kryeministri Berisha.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here