Nderimi i Haxhi Lleshit?! Akti i radhës së revanshit komunist të qeverisë…

0
127

Nga Nebil Çika 

Shpallja “Qytetar Nderi” nderi i Qarkut Dibër i një prej autorëve më famëkeq të krimeve të komunizmit, provon edhe një herë nderimin zyrtar të autorëve të krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit, që qeveria dhe shteti shqiptar kanë ndërmarrë në fushatën e tyre për restaurimin de jure të komunizmit në Shqipëri.

Ky nderim zyrtar, që në fakt është turpi e faqja e zezë e atyre që e bënë, është një akt në vazhdën e revanshit komunist që pushteti i bijve të etërve kriminelë komunistë po manifeston çdo ditë në vendin me diktuarën më të egër komuniste në Evropë, nën kujdesin e drejtpërdrejtë të qeverisë.

Shqiptarët ishin dëshmitarë të paradës së krimit komunist që qeveria organizoi me vendosjen në bulevard të portreteve të kriminelëve komunistë, me festimet pompoze, me simbolet e komunizmit të 29 nëntorit ditës së pushtimit komunist të Shqipërisë, nga zyrtarët më të lartë të shtetit e qeverisë, dekorimin e autorëve të krimeve nga Presidenti i Republikës, tek pushteti lokal në të gjithë vendin. Kjo nuk është thjesht rastësi, e as nostalgji, por një projekt i qartë politik i restaurimit të diktaturës komuniste në të gjitha aspektet.

Me rehabilitimin dhe nderimin e autorëve të krimeve të komunizmit dhe drejtuesve të lartë të diktaturës komuniste si Haxhi Lleshi, qeveria synon krijimin e frymës politike për të rikthyer politikat e praktikat komuniste të qeverisjes dhe justifikimin publik të kthimit të autorëve të krimeve komuniste dhe pinjollëve të tyre politikë, juridikë e gjenetikë, në krye të institucioneve shtetërore, qeveri, parlament drejtësi, siguri kombëtare etje.

Që nga zgjedhja e ish ministrit të brendshëm komunist Gramoz Ruci në krye të parlamentit deri te zgjedhja e një hetuesi të Sigurimit të Shtetit si drejtues të SPAK, ne kemi denoncuar me qindra raste të emërimit të kriminelëve të komunizmit, në krye të institucioneve kryesore të shtetit, veprime shumë më të rënda se dekorimi një krimineli të vdekur si rasti i Lleshit.

Kujtojmë që Haxhi Lleshi si drejtues i lartë komunist ka kryer krime lufte gjatë LDB në Shqipëri. Ai është i listuar zyrtarisht nga ISKPK si autor kryesor i këtyre krimeve, ndërkohë që në vitin 1995 është dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid mbi popullin shqiptar. Ai është ministri i parë i brendshëm i Shqipërisë komuniste dhe përgjegjës për mijëra krime të kryera nga ministria e tij përfshi edhe Masakrën e Tivarit, pasi mundësoi kalimin e të paktën pesë mijë Shqiptareve të Kosovës robër të ushtrisë komuniste Jugosllave, në territorin e Shqipërisë, që u masakruan në Tivar.

Sipas dokumenteve të AIDSSH më shumë se 700 prej tyre u ekzekutuan në territorin shqiptar rrugës nga Kukësi në Shkodër. Në cilësinë e Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor ka firmosur shumicën e dënimeve me vdekje të kundërshtarëve politikë të komunizmit të dënuar politikisht nga gjykatësit komunistë, shumë prej të cilëve janë sot të nderuar me titujt më të lartë të nderit të Republikës Shqipërisë.

Me keqardhje dhe indinjatë të thellë konstatojmë që Shqipëria është i vetmi vend në botë që nderon edhe viktimat edhe xhelatët duke dëshmuar derexhenë ku e kanë katandisur këtë shtet komb e popull pushtetarët komunistë.

Nga nderimi i ministrit të parë të brendshëm komunist Haxhi Leshi, tek zgjedhja në krye të Kuvendit të ministrit të fundit Gramoz Ruçi qeveria mazhoranca e Edi Ramës e ka rehabilituar edhe de jure diktaturën komuniste në Shqipëri.

Në këtë situatë Shoqata Antikomunistë e të Përndjekurve Politikë i bën thirrje opinionit publik shqiptar e ndërkombëtar, të reagojnë me të gjitha mjetet e mënyrat në dispozicion ndaj revanshit komunist në Shqipëri.

I bëjmë thirrje të përndjekurve politikë antikomunistë të Dibrës dhe gjithë Shqipërisë të reagojnë ndaj këtyre akteve të turpshme e kriminale që fyejnë e mohojnë sakrificat tona e të të parëve tanë në përballje me bishën komuniste.

U kërkojmë partive politike antikomuniste, veçanërisht PD-së si forca politike që ka marrë e merr mbështetjen tonë masive politike e elektorale, personalisht kryetarit Lulizm Basha, të trajtojë me seriozitet revanshin komunist të qeverisë, e të reagojë zyrtarisht, e politikisht ndaj akteve të tilla të nderimit të autorëve të krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit ndaj popullit shqiptar.

Kjo nuk është çështje individuale, dhe reagimi personal i ish deputetëve të përndjekur politikë është i pa mjaftueshëm për të përballë revanshin komunist që zhvillohet e mbështetet me të gjitha mjetet nga qeveria dhe mazhoranca.

Në se nuk reagojmë sot në nivelin dhe fuqinë e duhur, nesër kur dekoratat të zëvendësohen me pranga dhe plumba për kundërshtaret politikë, do të jetë shumë vonë.

Numërimi mbrapsht ka filluar, por daullet bien për ata që kanë veshë.

*Kryetar i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here