Zëri i Amerikës: Hapat e ardhshëm në procesin për shkarkimin e mundshëm të Presidentit Trump

0
214

Mbrëmë figura të larta të Kongresit folën mbi hapat e ardhshëm pas votës së Dhomës së Përfaqësuesve të mërkurën për të ngritur akuza kundër Presidentit Donald Trump. Kushtetuta amerikane i jep Senatit autoritetin për të zhvilluar një proces gjyqësor mbi këto akuza, por republikanët dhe demokratët shfaqin opinione krejt të ndryshme lidhur me procedurën për ta realizuar këtë hap.

Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët miratoi dy akuza kundër Presidentit Trump për abuzim të autoritetit që i jep posti për të përfituar politikisht si dhe për pengim të përpjekjeve të Kongresit për të zhvilluar hetime mbi veprimet e tij. Asnjë republikan nuk votoi me demokratët.

Më pas, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi nuk pranoi të prononcohej se kur do t’ia kalonte akuzat Senatit, duke thënë se duhet të shihte më parë se çfarë forme do të merrnin përgatitjet për gjyq.

Dje, udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnell kritikoi demokratët dhe tha se zonja Pelosi kishte frikë të përcillte akuzat pasi, siç u shpreh ai, demokratët kishin bërë një punë “shkel-e-shko” (të dobët). Ai tha se i takon Senatit ta ndreqë këtë problem duke e liruar presidentin nga akuzat.

“Senati mund të arrijë ta ndreqë këtë problem. Duhet të veprojmë me dinjitetin që kërkon ky rast. Ka vetëm një rezultat për këto prova të dobëta në këtë hetim të dështuar. Nuk ka si të jetë më e qartë se çfarë rezultati duhet për të stabilizuar situatën dhe për të ruajtur rolin e balancuesit për të cilin u krijua Senati amerikan”, tha Mitch McConnell, udhëheqës i shumicës republikane në Senat.

Udhëheqësi i demokratëve në Senat Chuck Schumer iu përgjigj argumenteve të zotit McConnell duke thënë se udhëheqësi i republikanëve nuk kishte ndër mend të tregohej i paanshëm në gjyq.

“Mesazhi i udhëheqësit republikan McConnell për momentin tregon se ai nuk ka ndër mend të zhvillojë një gjyq të drejtë, të tregohet i paanshëm, apo të merret me faktet”, tha Senatori Schumer.

Në konferencën e djeshme për shtyp, zonja Pelosi përsëri nuk u prononcua se kur planifikonte t’i përcillte në Senat akuzat e ngritura nga Dhoma e Përfaqësuesve.

“Presim të shohim procesin që të marrë formë në Senat. Atëherë do të dimë se sa specialistë dhe cilët do të jenë ata që do të çojmë. Këtë thashë edhe një natë më parë. Po e përsëris edhe tani”, tha zonja Pelosi.

Gjyqi në Senat, për të cilin zoti McConnell është shprehur se është përparësia kryesore në axhendën e Senatit për janarin, pritet të përfundojë me lirimin e presidentit nga akuzat pasi në Senat shumicën e kanë republikanët e partisë së presidentit./VOA/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here