Tjetërkund ‘fle lepuri’ /  “Piramida”, “Shtëpia me Gjethe” e “Bunk’art” vërtetojnë se debati për Teatrin, s’është çështje godine…

0
143

 

Nga Gëzim Saliu

Në këto ditë të nxehta vere, Qeveria dhe Bashkia e Tiranës kanë bashkuar forcat si asnjëherë më parë dhe kanë nisur sulmin final për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Prej debatit të hershëm të një viti më parë, në këtë shesh pushtetin prej 12 muajsh e ka pasur Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, e cila  çdo pasdite është mbledhur aty duke këmbyer ide, mendime, e jo në pak raste shfaqje të hapura, të gjitha me thelb lajtmotivin e protestës: rëndësinë e ruajtjes së godinës si trashëgimi kulturore dhe si pjesë kryesore e traditës së kryeqytetit.

Por heshtja tinëzare e pushtetit u thye në këto ditë fund korriku, pikërisht në kohën ku qytetarët kanë braktisur Tiranën dhe vëmendja e tyre ndaj zhvillimeve në vend është fare e pakët për shkak të sezonit të pushimeve. E megjithatë “sulmi i papritur” rezultoi një dështim. Aleanca së bashku me qytetarët dhe mbështetjen e opozitës mundën të fitonin betejën e parë. Godina e Teatrit nuk u zbraz dhe  njëkohësisht u has një zmbrapsje e policisë, qartësisht një lëvizje taktike e bluve, të cilët presin urdhrin e radhës për t’u hedhur drejt godinës me gjithë forcën e tyre. Dhe deri në ditën kur kjo do të ndodhë, me shumë mundësi edhe vetë ngjarjet, personazhet dhe çështja do ketë pësuar ndryshime të tjera.  Përballja finale, do përcaktojë shumë fate brenda saj; fatin e godinës së Teatrit, vetë Aleancës, opozitës, por mbi të gjitha dhe vetë mazhorancës qeverisëse e cila ndoshta me Teatrin po has përballë saj “kundërshtarin” më të fortë të këtyre viteve.

Sjellja e mazhorancës

Diametralisht e kundërt me Teatrin Kombëtar, sjellja e mazhorancës me godina të tjera, shumë herë më të degraduara, ka qenë në favor të rikonstruksionit të tyre. Kujtojmë pak vetëm disa prej tyre; Piramida, Shtëpia me Gjethe, Bunk’art etj. Pse në të tilla godina të veprimtarisë ish-komuniste, të katandisura më keq se karakatina, sic rreket ta cilësojë me përbuzje kryebashkiaku Veliaj godinën e TK-së, qeveria dhe Bashkia kanë mundësi të investojnë dhe rikonstrukojnë duke i kthyer në objekte të vizitueshme për qyyetarët? Pse godina e Teatrit nuk mund të rikonstrukohet, qoftë edhe fundja fare si një objekt relikë, për të qenë e vizitueshme nga qytetarët e shumtë, brenda e jashtë vendit ,që dukshëm interesin e kanë jo pak aktiv për artin dhe kulturën vendase… Pyetjet në fakt e kanë përgjigjen fare të thjeshtë e të shpjegueshme logjikisht mjaft qartë: Interesi i pushtetit në këtë mes nuk është fare tek godina apo arti në tërësi, thjesht godina e re e TK-së e programuar nga qeveria është një skaj tmerrësisht i vogël dhe i parëndësishëm i projektit real, për të cilin interesi është maksimal si nga pushteti qëndror ashtu edhe ai lokal në kryeyqytet, ashtu edhe nga klienti i preferuar “Fusha sh.p.k”. Për këtë pikë do zgjerohemi në fund të arikullit e ndërsa në këtë pjesë të shkrimit do paraqesim  një tjetër diskutim që lidhet me një farë nostalgji të kësaj mazhorance për “mbetjet e komunizmit”, afeksion që shfaqet dukshëm me rikonstruksionet e atyre që janë cilësuar si “veprat kryesore të regjimit”.

1-Piramida– Tre vite pas vdekjes së ish-uhdëheqësit të regjimit komunist u përurua në Tiranë në 1988 muzeu për nder të Enver Hoxhës. Për thuajse 25 vite kjo godinë do gjendej mes dyshimeve të shumta për të ardhmen, e ndërsa rrënimi i saj ishte i pandalshëm. U propozua si qendër konferencash, sallë koncertesh, ekspozitash e panairesh, nuk gjeti kurrë një funksion të dytë të qëndrueshëm, ndërsa fasada e strukturës u vandalizua shpesh, me grafite apo me thyerje xhamash.  Në vitin 2010, qeveria Berisha do të merrte vendimin për ta shembur këtë symbol diktature me synimin që nën rrënojat e strukturës, të ndërtohej një tempull demokracie. Por kjo gjë nuk ndodhi, më shumë se sa për vullnet politik, ishte shkak parësorë mungesa e fondeve për një projekt gjigand sic ishte parashikaur nga qeveria e djahtët e kohës. E ndërsa projekti doli në pah, nuk ngeli kush nga krahu i atyre që në atë kohë cilësoheshin si mbrojtës të trashigimisë kulturore, mes tyre Artan Lame e Artan Shkreli, të shrehshin kundër duke kërkuar mbrojtjen e godinës  si trashëgimi e vendit. Madje këta dy “mbrojtës të trashëgimisë” u ankuan edhe për heqjen e hekurave të rrethues te Presidenca nga Bujar Nishani në atë kohë , pasi sipas tyre edhe ato ishin pjesë kryesore e trashëgimisë së Shqipërisë! Ndërsa  tani që janë në “prehrin” e mazhorancës me poste të rëndësishme në pushtet, Lame e Shkeli kanë mbyllur gojën si me magji për tentativën e prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar, duke harruar si ishin nismëtarët e krijimit të Forumit për Trashëgiminë Kulturore.

Për t’ju rikthyer historisë së Piramidës, kur majtët erdhën në pushtet në 2013, ndryshoi edhe qëndrimi ndaj godinës. Ajo u shpall monument kulture i kategorisë të dytë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, më 2015-n.  Tre vjet më vonë, në 2018-ën erdhi edhe projekti i “famshëm” nga Veliaj duke synuar kthimin e saj në një qendër teknologjie dhe inovacioni. Ndërsa degradigimi i godinës ishte shumë herë më keq se gjendja e sotme e Teatrit, dyshja Rama-Veliaj nuk foli për asnjëherë për pamundësinë e rikonstruksionit të saj për mungesë fondesh.

Ndërsa për Teatrin, kryeministri dhe pas tij ”zëvendësi në hije” Veliaj e cilësojnë godinën e Teatrit jo vetëm pa ndonjë vlerë historike e kulturore, por as të denjë për një teatër province e jo më kombëtar. Pra në logjikën e kësaj mazhorance, piramida e ngritur në nderim të ish-diktatorit vlen të rikonstrukohet e të ruhet si objekt trashëgimie e ndërsa teatri Kombëtar, i krijuar që në vitin 1938 nuk përbën më së paku as si vlerë kulturore?!

Piramida e projektuar nga e bija e Enver Hoxhës, së bashku me të shoqin e saj Klement Kolaneci sipas Ramës: “është  një ndërtesë ikonike e një periudhe të posaçme për vendin, që mbetej aty si një shprehje torturuese e pamundësisë, për t’i ikur asaj që ajo përfaqësonte në kohën e kaluar dhe për t’i  dhënë asaj një jetë të re.” . Ndërsa teatri, po sipas Kryeminsitrit nuk është identifikues për qytetin, pasi u ndërtua sipas tij si një “dopolavoro” nga italianët në vitin 1938! Logjikë që lë për të dëshiruar! ( Kujtoni, nuk është çështje godine, thjesht luhet projekti i madh)

2-Shtëpia me gjethe– Në  maj të 2017-ës u përurua muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, godina e mistershme që prej 45 viteve mbuluar nga gjethet iu fsheh syrit të publikut dhe ku u përgjuan, kontrolluan dhe spiunuan njerëz të pafajshëm nga regjimi komunist. Ashtu si edhe në rastin e “Piramidës”, edhe për kët godinë që kishte degrauduar krejtësisht dhe që u rikonstruktua falë ndërhyjres me fonde të Qeverisë, Rama shprehu konsiderata të larta. “Ky muze është një thesar që na jep mundësi të zbulojmë pjesë të tjera të këtij mozaiku që mbeten për të zbuluar me ngjarje, personazhe, lidhjen e shtetit me njerëzit, periudhave, që janë deri këtu sot të mbuluara nga pluhuri i harresës”, u shpreh Rama në 24 maj.

Pra sipas KM-së, Muzeu i Gjetheve është një “thesar” e ndërsa po sipas deklarimeve të tij godina e TK-së nuk ka ndonjë vlerë historike e kulturore! Kujtojmë se Teatri Kombëtar i ndërtuar nga arkitekti italian Giulio Berté që i nisi punimet më 1938 –n dhe u përurua një vit më vonë, ka tetëdhjetë vite jetë dhe histori.  Por sipas logjikës së KM-së, vendi ku regjimi përmes shërbimit më famëkeq kreu veprimet e tij që çuan në vendime me vdekje për qindra e mijëra qytetarë, është një “thesar” trashëgimie e ndërsa godina e TK-së ku janë ngjitur me rradhë gjidandët e skenës shqiptare, nuk paska të paktën as vlerë kulturore dhe nuk na qenkërka as e vlefshme për “teatër province”! ( Kujtoni, nuk është çështje godine, thjesht luhet projekti i madh)

3-Bunk’art- Një tjetër rikonstruksion i “mbetjeve komuniste” është edhe ai i bunkerit antibërthamor, që për koiçidencë u la nën “mirëmbajtjen e veçantë” e një prej drejtuesve të medias në vend që njihet hapur për afërsinë e tij me kryeministrin dhe PS-në. Aq shumë i ngjiti Kryeministrit ky projekt i ringjaljes së të kaluarës së hidhur komuniste, sa brenda dy viteve ngriti edhe një bunk’art të dytë , atë në oborrin e ministrisë së Brendshme në Tiranë, sigurisht me të njejtin “mirëmbajtës projekti”. Edhe pse ja dogjën e ja shkatërruan në një nga protestat e opozitës në atë kohë, Kryeministri nuk e pati fare problem ta ta ngrinte nga fillimi kupolën hyrëse të bunk’art! Dhe, ashtu si  në rastin e “Piramidës” dhe “Shtëpisë me Gjethe”, qeveria nuk e pati aspak problem ta rikonstukonte një godinë-tunel në gjendje të mjerueshme, në një “vepër arti” siç e cilëson kryeministri. Vetëm në rastin e Teatrit nuk vlen rikonstruksioni dhe pse?! Sepse TK ndodhet në zemrën e Tiranës, në zonën më të lakuar nga “grabitqarët e ndërtimit” për kulla e projekte të tjera tregtare që padyshim synimin nuk e kanë te interesi publik por te ai i ngushtë personal. ( Kujtoni, nuk është çështje godine, thjesht luhet projekti i madh)

Projekti miliona euro

Projekti “Fusha” synon të transformojë pronën e tij prej vetëm 298.1 m2 në një kompleks kullash 17-21 kate, të shtrira mbi 8465 m2 tokë publike-përfshirë Teatrin Kombëtar, ish-selinë e Partisë Demokratike dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Më 12 mars 2018, kryeministri Edi Rama i prezantoi zyrtarisht planet e qeverisë për të lidhur një Partneritet Publik Privat për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar. “Pozicioni im është shumë i vjetër dhe nuk ka ndryshuar asnjë moment. Për fat të keq u desh kaq shumë kohë që të bëhet ajo që duhej të bëhej shumë kohë më parë, në të vetmen mënyrë se si ky vend, me mundësitë e veta mund ta bëjë, përmes partneritetit me sipërmarrjen private. Godina do të shembet,” tha ai përpara një grupi artistësh të ftuar në qendrën COD në kryeministri.

E menjehërë ishin të shumtë artistët që ngritën krye mbi këtë projekt që rrezikonte godinëne TK-së. Por Qeveria dhe Bashkia vazhdoi e qetë planin e saj, duke mos nguruar edhe taktikën përça e sundo, të përdorur shpeshheherë edhe në mjaft protesta të tjera kundër saj ( kujto protestën e studentëve, protestën te Parku i Liqenit)

Më 10 qershor qeveria paraqiti një projektligj të jashtëzakonshëm për t’i dhënë kompanisë Fusha sh.p.k pa garë tokën e Teatrit Kombëtar, dhe i dha të drejtën vetes që të negociojë në emër të interesit publik kontratën koncesionare. Pas një serie diskutimesh të mbajtura mes artistëve dhe kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mazhoranca miratoi me 5 korrik në Parlament ligjin për PPP-në e debatuar.

E pavarësisht se Presidenti e ktheu dy herë mbrapsht ligjin, qeveria vazhdoi përpara në rrugën e saj duke synuar deri në fund zbatimin e projektit për të cilin ishte investuar që në fillim e që padyshim Teatrin e ri e ka thjesht një skaj të papërfillshëm të asaj që pritet të ndodhë me sheshin që përfshinë Teatrin Kombëtar, ish-selinë e Partisë Demokratike dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.

Planet e kompanisë së ndërtimit janë për të ngritur disa pallate 17 deri në 21 kate me një sipërfaqe të përgjithshme mbi tokë prej 68 mijë metrash katrorë dhe dy-tre kate parking nën tokë me sipërfaqe totale 20 mijë metra katrorë. Në shkëmbim të shfrytëzimit të tokës publike të teatrit dhe atë përreth tij, Fusha Sh.p.k premton ndërtimin e një teatri të ri me sipërfaqe totale ndërtimi prej 9280 metrash katrorë, në të cilin parashikohet edhe një bar/kafe 500 metra katrorë. Sipas propozimit për PPP të kompanisë “Fusha”, 40% e tokës do të jetë “vetëm për teatrin e ri kombëtar” ndërsa 60% për “ndërtimet me karakter komercial”. Projekti parashikon ndërtimin e dy kateve nëntokësore në të gjithë sipërfaqen e tokës, e madje më shumë se sa kaq, për realizimin e 20,400 metrave katrorë parking. Teatri Kombëtar pretendohet se do të jetë 9200 metra katrorë, por në këtë sipërfaqe, vlerësimi llogarit edhe 1185 metra katrorë “taracë” si dhe 700 metra katrorë i quajtur “shesh i mbuluar për performancë”. Në total, kompania thotë se pret të marrë afro 119 milionë euro të ardhura nga i gjithë projekti, nga i cili, 33 milionë do të jetë kostoja e Teatrit të ri, ndërsa 93 milionë do të jetë kostoja totale e ndërtimit të teatrit dhe pallateve. Ajo pretendon se do të ketë një leverdishmëri ekonomike në diferencën nga 93 milionë që vlerësohen kostot, në 118 milionë që parashikohen të ardhurat.

Por opozita përmes denoncimeve të saj ka denoncuaar në shumë raste se projekti është një mega-vjedhje që bëhet ndaj truallit publik në interes të atyre që i cilëson si “oliagarkët e qeverisë”. Kështu  në një dalje publike muaj më parë, PD akuzoi për shifrat reale të fitimeve, ku Hekuran Hoxhalli në atë kohë bëri edhe një llogari trë thjeshtë: “le ta shumëzojmë përfitimin prej 11 milion e 400 mijë Euro me gjashtë kulla 10 katëshe dhe do na dalë shifra 68 milion e 400 mijë Euro përfitim për 6 kulla dhjetë katëshe. Po t’i bëjmë kullat jo 10, por 30 katëshe, aq sa i ka qejf oligarku, a e dini sa na del përfitimi? Del 205 milion e 200 mije Euro.”.

Po ashtu edhe ish-deputetja Albana Vokshi ka pasur disa dalje për çështjen e Teatrit, ku ka theksuar se kullat do të ndërtohen në truallin e Teatrit. “Duke përdorur Fusha shpk si kompani guackë për pastrimin e parave të pista të drogës dhe korrupsionit, fitimi minimal për Edi Ramën nga ky akt mafioz, i paprecedentë në historinë e Parlamentit shqiptar, është jo më pak se 205 mln euro”, ka pohuar Vokshi.

Ndërkohë interesante të theksohet është fakti se firma ‘‘Bjarke Ingels’‘ e arkitektit danez me të njëjtin emër e shpallur me bujë nga qeveria është tërhequr në hije nga projekti për ndërtimin e Teatrit Kombëtar. Sipas burimeve thuhet se Ingels nuk ka rënë dakord me kompanin “Fusha” për disa detaje të porojektit që lidhen më së shumit me cilësine e tij.

Përtej kësaj, një zhvillim interesant për çështjen së fundmi është kërkesa që Presidenti Meta dërgpoi në Gjykatën Kushtetuese për ta shpallur të pavlefshëm ligjin e Qeverisë për Teatrin. E po ashtu, në të njejtën linjë ishte edhe qëndrimi i fortë i Sekretarit të Përgjithshëm të OSBE-së i cili vetëm dy ditë më parë pohoi se mbi Teatrin Kombëtar nuk duhet ndërmarrë asnjë vendim derisa të shprehet Gjykata.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here