Denoncimi: Avokati merr 8 mijë euro për dy gjyqtarë, polici, 500 euro për të shtyrë ekzekutimin e urdhrit përmbarimor

0
225

Fiks Fare ka denoncuar sot skandalin në drejtësi, ku një avokat i mori 8 mijë euro një qytetari, me qëllim që ndikonte te gjyqtarët, që të pezullonin një urdhër ekzekutimi. Rasti në fjalë lidhet me sekuestrimin e një shtëpie nga përmbarimi, edhe pse personi që ankohet disponon një kontratë sipërmarrjeje.

Qytetari ka pranuar të paguajë paratë, por avokati nuk ia zgjidh çështjen dhe e zvarrit për t’ia kthyer mbrapsht 4 mijë eurot e fundit. Po ashtu, një oficer policie i ka marrë 500 euro dhe 10 mijë lekë të reja për të shtyrë ekzekutimin e këtij vendimi. Në bisedat e zhvilluara del qartë sesi oficeri i policisë dhe avokati kanë marrë vlera të ndryshme parash, ndërkohë që në fund nuk kanë gjetur asnjë zgjidhje.Qytetari Rexhep Toska ankohet se në vitin 2009 ka blerë një apartament me kontratë sipërmarrje. Në vitin 2013 ka shkuar për të kryer aktin e shitblerjes, por ka rezultuar se në kontratë ishin më shumë metra se në certifikatën e pronësisë, pasi nuk i ishte llogaritur hapësira e përbashkët dhe ballkoni.

Deri në vitin 2015, ai nuk ka pasur asnjë shqetësim. Në Dhjetor të 2015-s, i ka ardhur Përmbarimi për t’i sekuestruar shtëpinë, pasi sipas tyre, ndërtuesi që ia kishte shitur, kishte bërë një kontratë huamarrje në vitin 2015 për 40 milionë lekë të vjetra dhe nuk i kishte shlyer. Nga verifikimet që kishte bërë përmbarimi kishte rezultuar se edhe shtëpia ishte në emrin e ndërtuesit. Në këto kushte ka nisur kalvari i ankuesit tonë me gjykatat.

Në muajin Gusht 2016 ka kontaktuar me avokatin Nikolin Vata. Sipas ankuesit, avokati i ka kërkuar 4 mijë euro për t’i dhënë gjyqtares së çështjes, Rezarta Mataj, me qëllim që të pranojë sigurim padie dhe përmbarimi mos të ndërhyjë për t’i marrë shtëpinë. Ankuesi thotë se avokati ia ka kthyer mbrapsht paratë meqë nuk i ka kryer punë. Më pas ai ka bërë një tjetër padi në gjykatë për kontratën e sipërmarrjes, e cila i ka rënë gjyqtares Blerina Muça. Avokati i ka kërkuar sërish 4 mijë euro për t’ia dhënë gjyqtares që të zgjidhë çështjen, por sërish nuk i ka kryer punë, pasi padia është pushuar. Madje edhe nuk e ka apeluar këtë padi. Ankuesi ka kërkuar t’i kthehen lekët mbrapsht, por avokati e ka zvarritur deri në muajin shkurt të këtij viti.

Me qëllim që t’i jepet kohë dhe mos të ndërhyjë përmbarimi, qytetarit i janë kërkuar para herë pas here dhe nga policia. Kjo del edhe nga biseda me një oficer policie të komisariatit nr. 3. Gjatë investigimit të Fiks Fare, qytetari takon oficerin e policisë me emrin Sajmir. Ky oficer e ka kontaktuar në mbështetje të veprimeve përmbarimore dhe ka marrë 100 mijë lekë të vjetra dhe 500 euro për të shtyrë veprimet e përmbarimit. Në bisedën me të, pas këmbënguljes së ankuesit, polici thotë. “Ato gjëra që thua ti (paratë), kanë shkuar në vendin e duhur, por jo për Ardin, pasi në atë kohë nuk ka qenë shef Ardi. Më ke kërkuar të shtyjë afatin deri në shtator, pastaj deri në dhjetor, ndërsa tani jemi në muajin shkurt, as me kanun dhe as me ligj, nuk të kam më borxh, nuk mund të më kërkosh llogari. Nuk duhet të bësh atë gjë që ke menduar të bësh, pasi është me rrezik të lartë”.

Nga ana tjetër, qytetari takohet edhe me avokatin, pasi ai ka mbetur borxh 4 mijë euro. Ai takohet dy herë. Në takimin e parë, avokati i thotë se nuk e di pse gjyqtarja Rezarta Mataj, ia kishte kthyer mbrapsht paratë, pasi kishte ndërhyrë për garanci dikush tjetër, prandaj nuk i ka kryer punë. Në rastin e dytë, avokati i shpjegon se me gjyqtaren Blerina Muça kishte debatuar, pasi ajo kërkonte të ndryshonte objektin e padisë. Sipas avokatit, ajo i kishte thënë se është çështje e kryer, por më vonë, e kishte rrëzuar kërkesën. Tashmë, qytetari i kërkon t’i kthejë mbrapsht paratë, por ai i thotë se ka në gjendje vetëm 1 mijë euro dhe do ia japë me këste.

Por telenovela e këtij qytetari, i cili la Anglinë për të jetuar në Shqipëri dhe pas divorcit është kujdestari i vetëm i një fëmijë të sëmurë, nuk mbaron me kaq. Nesër do të vijohet me fakte të tjera tronditëse mbi këtë histori.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here