Plaku dhe Komploti…

0
108

Nga Bledian Koka

Çdo qen e ka ditën e tij’- thotë shprehje amerikane.

 

Një shprehje që është merre si ta marrësh, por sot më vjen ndërmend duke parë katandinë politike e humane të Kryeministrit të Shqipërisë. Kjo nuk është ditë për të qenë krenar që më në fund, njeriu që i ka kushtuar shqiptarëve që prej ditës që ka vënë këmbë në pushtet, vetëm mashtrim, vetëm degradim, vetëm zvetënim e deri në trishtim pa kufij, ka mbërritur në finishin e tij politik.

E mira do kish qenë që ky turravrap të mos kish qenë kaq jetëgjatë, historia do na gjykojë për këtë. Mu kujtua sot prognoza e një miku tim që e përshkruante mandatin e 2-të të Edi Ramës dhe rrezikun që i kanosej atij me të gjithë pushtetin që kishte siguruar  përmes 1001 mekanizmave makiaveliste.

Ka të bëjë me historinë e gjuetisë së indigjenëve të vjetër amerikanë, të cilët për të vrarë arinjtë e murrmë përdornin vetëm një shtizë shumë të gjatë. Në momentin që ata përballeshin me ariun që kishte marrë revanin drejt tyre, indigjenët e mbështesnin horizontal në faqen e një shkëmbi heshtën dhe i qëndronin përballë bishës së të tërbuar.

Dhe bisha, e egërsuar, omnipotente në vlerësimin e vet të arsyes prej kafshe pa arsye, i turrej indigjenit pa e llogaritur se po shkonte drejt vdekjes së sigurtë. Dhe ashtu me revanin që i turrej gjuetarit që për bishën ishte preja, në një fraksion të sekondës sapo bisha prekte majën e heshtës, aty për aty pozicionet ndërroheshin, indigjeni shndërrohej në gjuetar, dhe bisha në pre.

Sekreti i gjithë kësaj skenë të përballjes mes natyrës dhe njeriut qëndron tek pesha. Sa më e rëndë bisha, aq më e pamundur ishte mundësia që ajo ti shmangej heshtës vrasëse, dhe si pasojë njeriu siguronte triumfin e radhës përballë natyrës.

Edi Rama është sot sinonimi i ariut të murrmë, që ka arritur peshën e vet maksimale politike, përballë heshtës që duket se në pamje të parë e mban Ilir Meta. Kryeministri i Shqipërisë në vitin e parë të mandatit të tij të dytë, u detyrua t’i jepte vendit kabinetin e tretë ministror. ¾ e ministrave që u propozuan në shtator të 2017-ës si rojtarët e Tepsisë së Rrumbullakët, në analizën e Edi Ramës rezultojnë se nuk e bënë si duhet detyrën e tyre.

Arsyeja e vërtetë ndryshimit të kabinetit nuk është e vështirë të identifikohet. Skandali i tenderit të Unazës së Re, me një kompani që drejtohet në pamje të parë nga një çunak, me letra të falsifikuar deri edhe me vulën e një sekretarit të një shteti amerikan arrin të sigurojë jo një, por dy kontrata gati 40 milionë euro (mes Unazës së Re dhe OSHEE).

Ishte makutëria e parë që shënoi krisjen e kabinetit të kristaltë (jo prej pastërtisë, por prej brishtësisë) Rama 2. Protestat masive të studentëve si rrufe  në qiell të pastër, ishte sinjali i dytë të cilin Edi Rama e lexoi shpejt në vlerësimin e tij, por shumë vonë për kohën politike të Kryeministrit e cila po bën tik-tak drejt fundit.

Nëse mendoni se konflikti me Presidentin e Republikës për çështjen e dekretimit të Ministrit të Jashtëm, është problem më i madh që Edi Rama ka aktualisht, kjo vjen se nuk është akoma e qartë gjendja shpërthyese që ekzsiton në radhët e Selisë Rozë dhe kryetarit të saj.

Edi Rama ka bërë një gabim teknik duke luftuar ballazi kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe bandën që ai përfaqëson brenda PS-së. Me shumë gjasë  Edi Rama po përjeton déjà-vu e vet më të frikshme politike mes tij dhe Erion Veliajt.

Rama po përjeton në kllapinë e tij politike rokadën e padëshiruar këtu e 14 vjet me parë që ai bëri në krye të PS-së me Fatos Nanon. Vetëm se panorama është frikshme. Fatosi është ai dhe ai është Erion Veliaj, në të njëjtën kohë. Edi Rama sot nuk ka kush ta mbrojë. Të gjithë  limonat politik e mediatik që ai ka shtrydhur pa fund në këto 5 vite qeverisje, nuk kanë më tharm.

Madje më keq, limonat refuzojnë të shtrydhen më, prandaj sot Rilindja është vetëm Edi Rama dhe Baton Haxhiu. Ky i fundit jo më shumë për hallet e Edi Ramës sesa për pazaret e veta, piu mend dhe kërcënoi Presidentin e Republikës së Shqipërisë. A ka sot një komplot politik ndaj Edi Ramës?

Njeriu që kërcënoi Erion Veliaj se do ta varte tek pema në vigjilje të vitit të ri, duket se ka kaluar vijën e kuqe brenda kazanit politik socialist që po zien mllef prej grupeve të cilave Edi Rama ua preu kokat prej turku, vetëm për të shpëtuar edhe njëherë si përherë të vetën.

Me shumë gjasë tashmë socialistët këto ditë kanë sjell në vëmendje edhe postulatin e patriarkut ndjesë pastë të tyre Dritëro Agolli se: ‘në vendin tim dhe në vendin tënd, një kokë e çmendur të gjithë i çmend’.

Heshtja shurdhuese e socialistëve të pabashkuar si asnjëherë tjetër rreth liderit të tyre, është tregues se ata nuk do ta kishin dhe aq problem rënien e plakut të Surrelit dhe kushdo që ia jep një shtysë është mirëpritur.

Makar edhe Ilir Meta. Qoftë  edhe për Gent Cakën. Socialistët janë sot për herë të parë në të njëjtën gjatësi vale me shqiptarët. Asnjë s’do të jetë më keq sesa Edi Rama, pavarësisht se ata shpresojnë që pas tij të vijë Erion Veliaj. Me shpresën se deri atëherë plaku i tërbuar i Surrelit të mos e ketë varur seriozisht Veliajn… atje tek pema!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here