Vajza nga Lezha, e cila zbërtheu grupin prej 6 personash që dyshohet se bashkëpunuan për të vrarë biznesmenin Ardian Nikulaj në 19 prill të këtij viti, pretendon se dëshmia e saj është deformuar.
Me anë të një kërkese ajo i është drejtuar Prokurorisë në Lezhë për t’u njohur me deklarimet e saj, por nuk ka marrë një përgjigje. Më pas vajza, i është drejtuar me një letër katër institucioneve shtetërore për t’u njohur me të gjitha aktet dhe të përfaqësohet nga një avokat i zgjedhur prej saj.
E reja thotë se ka pirë ilaçe për qetësim nga depresioni dhe është detyruar të prishë fejesën.
‘Kam pirë ilaçe pafund për qetësim nga depresioni (ilaçe që vazhdoj t`i marr edhe sot) dhe nuk e kam ndjerë më veten emocionalisht të qetë që të mbaja mend çdo fjalë që thosha për të shpëtuar veten nga burgu edhe pse unë as dija gjë e as di për organizmin e asaj vrasjeje. U detyrova të prishja fejesën më pas, pikërisht me vendim të babait tim dhe kanë tërhequr unazën gratë e familjes Haxhia, pasi burrat ishin të ngujuar’.
Vajza shkruan në letër se ish i fejuari i saj Edmond Haxhia nuk ka pasuri për të porositur një vrasje të paguar me miliona. Ajo ka edhe një koment për motorin e blerë në emrin e saj dhe përdorur në krim, për të cilin thotë se e kishte marrë për qejf për të udhëtuar.
Ndërsa makina me qira shprehet se ishte marrë për shkak se Edmondi nuk kishte makinë në Shqipëri për të lëvizur. E reja mohon të ketë takuar ndonjë herë miqtë e ardhur nga Anglia nga ish i fejuari i saj. /KlanNews