E rëndë/ Ndahet nga jeta sportisti i mirënjohur shqiptar

0
1584

Nga mbrëmë, nuk jeton më miku dhe shoku ynë i paharruar Ruf (Rifat) Kazazi

Nga Bujar Qesja

Lajmi është dukshëm i dhimbshëm. Ku e dinte Ruf Kazazi, se nata e mbrëmshme, teksa po zbardhej 13 korriku, do të ishte e fundit për të.

Ai u shtri të flinte, riti i zakonshëm për secilin nga ne, për të mos u ngritur kurrë më. Si kështu, të na ikë një njeri i madh, një mjeshtër i madh, një mik i madh, një zotni i rrallë, sa hap e mbyll sytë!?

Ndonëse në moshën 84 vjeçare, hapat kur ecte rrugëve të Durrësit Rruf Kazazi, i ndjente i gjithë qyteti. Aq gjigant dhe kolos ishte.

Një babaxhan i vërtetë, me një republikë të përkryer mbi kokë, sikur i mbulonte disi dhe i bënte hije halleve të mëdha, tejet dramatike në kulimin e karrierës sportive në mesin e viteve 50-të.

Lajmi për largimin nga jeta të Ruf Kazazit, nuk mbahej. Jo vetëm zemra ime e sëmurë u trondit dukshëm, por edhe një zemër e fortë sa një gur mali, nuk besoj të mos jetë krisur, nga përmasat e këtij lajmi të kobshëm, të papritur. Është nga ato lajme, që të dërrmojnë shpirtin dhe ta ciflosin atë, aq më shumë kur kujtoj që para disa ditësh e ke takuar dhe biseduar me të.

Eh miku ynë i rrallë! Lum Durrësi që të kishte. Ke lënë një boshllëk, që zor se mund të mbushet. Ti je një pjesë e historisë së këtij qyteti, nga gjyshi yt i famshëm Sefer Efendiu, emrin e të cilit mori lagja emblematike dhe hiperbolike e Durrësit dhe duke rreshtuar me radhë të gjithë Kazazët patriotë e atdhetarë të flakët, në të gjitha kohrat.

Por ti Rufi ynë, perëndia të kishte gatuar në një mënyrë të tillë, ku ishte vendosur në një prerje, zemërmadhësia e jote me fjalët e ëmbla, fiziku yt sa një lis i lartë, e i vendosur fort në tokë, me mënyrën tejet autentike të lidhjes me njerëzit. Të kam njohur shumë herët, që kur isha i vogël dhe jam rritur me emrin tënd.

Por burrë më madhështor, më i prerë për të qenë i tillë, me një fizik të pafishkur, por me një zemër brilnate, të butë, të ndjeshme, ku në dimensionet gjigande të saj, ishim brenda të gjithë ne, familja yte, të afërmit e tu, shokët dhe miqtë e tu të rrallë, gati gati i gjithë Durrsit. I veshur shumë sportiv, me një palë atlete adidas, me një bluzë sportive, ku sipër saj ishte vendosur një jelek i lehtë, ti kërkoje të tregoje, se linde sportist, jetove sportist dhe i tillë do të mbeteshe për tërë jetën. Një gjigand të tillë si ty Ruf Kazazi, sporti i Durrësit nuk ka parë dhe zor se mund të shohë edhe më paskësaj.

Sportist i talentuar që në fëmijëri, punëtor i mjediseve sportive, ndonëse fare i njomë, student aktiv, pedagog i edukimit fizik, rekordmen dhe nxitës i rezultateve të larta, frymëzues i brezave të rinj, trajner, organizator, një udhërrëfyes dhe portret i gjallë i atij njeriu, që arrin gjithçka me punë dhe djersë dhe e mbyll këhtu jetën deri në dekikun e fundit.

Ti Ruf Kazazi fluturove për në parajsë, po me atë shpejtësi të hedhjes së çekiçit, ku u rendite i nënti në botë në vitin 1957. Ti nuk ke vdekur, por ke fluturuar dhe ke qendruar në atë vend të dëshiruar, ku të gjithë e ëndërrojmë. Ku?! Në memorien dhe kujtesën tonë, të popullit të Durrësit, të të gjithë atyre që të njohën nga afër dhe u ke falur pjesë nga zemra dhe fisnikëria e jote. Prandaj ti nuk ke vdekur dhe as ske për të vdekur.

Sepse nuk vdes dhe mbaron e shterron kurrë, lëngu që u mbrujt jeta e jote, ai lëng që na ngjyeve të gjithëve nga pak, për të thënë se jemi Ruf Kazazi, të fortë, të qendrueshëm e të pa rënë si Ruf Kazazi. Na dhe emër, na dhe famë, na dhe jetë e forcë, na dhe atë që quhet krenari dhe dinjitet njerëzor. Gjithnjë me njerëzit dhe pranë njerëzve. Një oh ngashërues më del nga shpirti. Gati në çdo mëngjes, njeriu i parë që përshëndetja ishe ti, vëllai im i madh dhe i shtrenjti Ruf Kazazi. A e kupton se çfarë më ke bërë vëlla? A do ta kem të lehtë, duke qe në i bindur se skam për të ta kuar më kurrë!? Mbase e rëndova pak këtu. Unë e di se ti nuk harrohesh. Ti je pranë meje, pranë nesh, pranë fëmijëve të tu, pranë familjes tënde, por edhe pranë familjes tjetër gjigante, siç ishin dhe mbeten në jetë të jetëve durrsakët e tu, të mirë, të ëmbël, të urtë e ndjellamirë.

Rufi lindi në Durrës me 7 korrik 1934, për të na lënë përfundimisht me 13 korrik 2018. Lajmi për vdekjen tënde vërtet më ka shokuar. Erdhi Fatos Muço dhe me lot në sy, më njoftoi për vdekjen tënde. Lajmërova Fiqiri Kllarin (burrin e motrës, së atletit të famshëm Adem Sabli) që ti çonte haber Isa Tares, nga miqtë më të ngushtë, kur ndodheshin tek Partizani.

– E di i thashë, erdhi herët dhe më lajmëroi Sul Maliqati. Edhe ai po qante. Po edhe unë. Pse kështu!? Eh Ruf Kazazi, miku ynë i madh, na le dhe na “braktise” në këtë formë. Por do të kujtojmë karrierën tënde të lavdishme në sport, do të kujtojmë që 12 vjeçar hodhe karrocat e para me dhe në parkun sportiv Nako Spiru, punove dhe ndërtove 19 terrene sportive thuajse në të gjitha shkollat e Durrësit, ndihmove në pistën e Niko Dovanës, vetë rekrodmen e atlet rrace, por nxore edhe një fidanishte të tërë në sportin e hedhjeve çekiç, shtizë, gjyle ku Durrësi ynë ishte absolut.

Në këtë mjedis doli edhe kampionia e botës në hedhjen e shtizës, vajza e jonë Mirela Manjani.

Je fituesi i parë i anketës së gazetës Sporti Popullor në vitin 1957 dhe je renditur në 10 sportisët më të mirë historikë shqiptarë në periudhën 1957-1997. Kalove nga kurthet më të përbindshme, që në kulmin e karrierës luajtën me biografinë tënde, duke të shantazhuar me qënien në Australi të vëllait tënd. Dhe i kapërceve, ndonëse dhimbja ishte tejet e madhe. Lagjes së famshme Sefer Efeniu të Durrësit, nga nata e mbrëmshme do ti mungoj mbase banori më i shkqlyer i saj-Ruk Kazazi. Në tatëpjetën e saj, nuk do të dëgjohen më hapat e një njeriu, që i dha shumë nder dhe lavdi kësaj lagjeje dhe këtij emri.

Nuk do të shikohet më të kaloj ai, nga pjesët më të mira tonat, nga pjesët më pikante të ecurive tona, i miri, i shkëlqyeri, i jashtëzakonshmi, fantastiku, i rralli, zemërfloriri, i adhuruari ynë, ai që nuk la qokë pa bërë, nuk la shok e mik pa e gëzuar dhe pa e përkrahur, ai pra, me emrin e paharruar, aq të dashur dhe të shtrenjtë RIFAT KAZAZI (Rufi).

Bujar Qesja/Durreslajm.com

Mjeshtër i Madh

Rifat Kazazi “Mjeshtër i merituar”, “Nderi sportit shqiptar”

Sportist i ekipit “Lokomotiva” të Durrësit në vitet 1949-1953

“Partizani” në vitet 1953-1960

“Dinamo” në vitin 1953

“Lokomotiva” në vitet 1960-1962

Trajner

Me ekipin “Lokomotiva” e Durrësit dhe ekipin kombëtar 1962-1989

Kampion

1953 me ekipin “Partizani” në çekiç, gjyle, peshëngitje

1954-1960 me ekipin “Partizani” në çekiç

1954-1956 me ekipin “Partizani” në basketboll

gjashtë herë kampion kombëtar në peshëngritje

një herë kampion kombëtar në hedhje shtize

Fitues i anketës së 10 sportistëve më të mirë shqiptarë në vitin 1957

Vlerësuar, nga 10 sportistët më të mirë shqiptarë në periudhën 1957-1997.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here