Shoqëria shqiptare dhe kriza e “autoriteteve”…

0
189

Gëzim Tushi

Nuk është dukuri sociale vetëm e jona, fakti që në kohën e sotme zhvillimet sociale po favorizojnë dukshëm prirjen liberale, përgjithësisht me kahje të vendosur antiautoritariste e kundërdogmatike, në favor të individit, individualitetit dhe spikatjes së sjelljes së personalizuar. Kjo situatë e re sociale e ka vënë në krizë idenë e vjetër të Autoritetit si koncept social totalitar, por në të njëjtën kohë edhe figurat e dikurshme nominalisht autoritare me pushtet të ekzagjeruar në familje, shkollë, shoqëri, në strukturat e jetës shoqërore e shtetërore. Kjo situatë ka krijuar anomali sociale, konflikte e keqkutime, të shoqëruara me një kakofoni, që vjen nga mungesa e piketave të “orientimit social normativ”.

Në këto kushtë është edhe shoqëria jonë. Madje ndoshta për shkak të natyrës pak specifike të tranzicionit tonë, ndihet një amulli sociale deri në kufijtë e rebelimit anarkik ndaj autoritetev të vjetra, një qëndrim ikonoklst ndaj çdo hierarkie sociale të natyrshme dhe autoriteti të arsyeshëm.

Këtë krizë e ndjejnë prindërit në familje të cilët sfidohet nga këmbënguljet pesronaliste e kruenece të të rinjve, sidomos të adoleshentëve, e përjetojnë dramatikisht mësuesit në konfliktet e shumta me të cilat përballen në shkollë, mjekët dhe infermierët në spitale, policët në rrugë, punonjësit e administratës, oficerët në marrëdhënie me ushtarët, etj. Si duhen zgjidhur problemet që kanë vënë në krizë autoritetet e vjetra?

Jeta postmoderne në Shqipëri po shoqërohet me krizën e modeleve të autoriteteve të vjetra. Ky është një fakt që duhet pranuar. Megjithatë, njerëzit tanë janë në gjëndje të kuptojnë, se kriza e sotme e autoriteteve, vjen nga vetëdija sunduese sociale se kjo kohë që është liberale dhe individualiste ka për qejf më shumë dhe vlerëson së pari “relativitetin e vlerave”. Kjo është arsyeja pse është e vështirë sot të japësh një përgjigje të saktë se në situatën në të cilën ndodhemi, kush e ka kontrollin e forcave që përcaktojnë jetën tonë shoqërore? Kush është autoriteti social sot që mund të ketë pushtet mbi jetën e njerëzve?

Sociologu dhe intelektuali Umberto Ecco, është i mendimit se në kohën e sotme “autoritetet po bien”, pikërisht nga që shoqëria dhe mënyra e jetës postmoderne ka tendencë, që në vend të autoriteteve të vjetra, të bëjë sunduese interpretimet vetjake të gjërave. Praktikisht në jetën e përditshme të shoqërisë tonë ka përballje të forta të koncepteve, për raportet e reja të lirisë me autoritetet. Këtu shpesh përplasen të rinjtë dhe të vjetrit. Thelbi i debatit, pse jo edhe i konfliktit social ka të bëjë me nevojën e padiskutueshme, imperativin e ndryshimit të zakoneve, marrëdhënieve të vjetra midis njeriut nga njëra anë dhe “autoriteteve shoqërore” në anën tjetër.

Është e vërtetë që shoqëria dhe njerëzit tanë, kanë mangësi në njohjen dhe realizimin e shoqërsë së lirë dhe pa shumë pushtete e autoritete të jashtme imponuese. E kaluara jonë është një pengesë në aspektin konservator, e cila i krijoi mitet dhe autoritetet e jashtme, si mjet për të mbajtur në kontroll shoqërinë në tërësi, dhe për të monitoruar të gjitha aspektet e jetës dhe sjelljes sociale dhe private të njeriut. Një shoqëri e tipit kazermë nuk mund të funksiononte pa dogma, idhuj të paprekshëm, autoritete të gjithëpushtetshme. Një shoqëri ku liria individuale ose nuk ekzistonte ose ishte thjesht një maskë sociale e demagogji politike.

Shoqëria totalitare shqiptare u angazhua në një betejë sizifiane për të krijuar të ashtuquajturin “njeriu i ri”, i cili u bë thjesht një “individ i programuar” nga të gjitha pikëpamjet dhe aspektet e jetës. Në atë shoqëri ishte e pamundur që njerëzit mund të ishin të lirë. Liria e tyre ishte thjesht dhe vetëm t’u bindeshin idhujve, të zbatonin “komandat sociale” në mënyrë të verbër dhe me saktësi rutinore. Të gjitha “fijet e jetës” ishin në dorë të “autoriteteve”. Njerëzit nuk ishin qytetarë, por thjesht marioneta që ndiqnin “planin social” totalitar. Njeriu ishte i pafuqishëm përballë tyre, për pasojë lehtësisht i manipulueshëm dhe i vendosur nën kontrollin e rrepte të autoriteteve.

Ndërkaq shoqëria e sotme shqiptare është një realitet social krejt tjetër, që krijon kushte që njerëzit të jetojnë më të lirë. Duke qënë se po thellohet gjithnjë e më shumë natyra pluraliste e shoqërisë, diversiteti i mënyrave të jetesës, kjo shoqëri është refraktare dhe nuk pranon më ekzistencën e autoriteteve unitariste, ideve imponuese, influencën totale të “idhujve monolitë”. Jeta e përditshme e njerëzve në shoqërinë shqiptare, është e mbështetur mbi një proces masiv të kundërshtimit, mohimit dhe anulimit të vlerës së autoriteteve të dikurshme, kudo, në të gjitha fushat e jetës.

Në vend të monolitetit të autoriteteve të pacënueshme dhe imponuese të epokës së totalitarizmit, shoqërisë monolite në të gjitha pikëpamjet qoftë ideologjike, kulturore, ateiste, estetike, morale, etj, tashmë është duke u formatuar një shoqëri e re e cila herë është refraktare ndaj pushtetit të çdo lloj autoriteti, dhe herë të tjera ecën duke siguruar bashkëekzistencën e “autoriteteve të shumta, të shumëllojshme, të diversifikuara. Kjo do të thotë se në epokën liberale, në kornizat e shoqërisë postmoderne duhet të pranojmë realitetin, të mësohemi me faktin që autoritetet e jashtme nuk komandojnë si më pare, nuk kanë më atë forcë imponese që kanë patur në të kaluarën.

Realiteti ynë social po vërteton në mënyrë të padyshimtë, se kemi kaluar përfundimisht nga bota sociale e jetës të bazuar në autoritetin e ngurtë, në jetën pluraliste, liberale e individualiste me më shumë autoritete, që përgjithësisht janë jo aq shumë sociale se sa të personalizuar. Eksperienca 30 vjecare e ndërtimit të shoqërisë demokratike shqiptare, e rindërtimit të marrëdhënieve të individit me shoqërinë, ka bërë të qartë një të vërtetë të re. Kjo do të thotë që tashmë në këtë fazë liberale e postmoderne shoqëria dhe njerëzit në jetën e tyre të përditshme, kanë më shumë nevojë për shëmbuj konkretë dhe jo për autoritete imponues.

Por nga ana tjetër kjo situatë sociale duhet kuptuar drejt në “ontologjinë” e vet. Sepse ne fund të fundit kjo do të thotë, se në mënyrën si zhvillohet jeta postmoderne, liberale dhe e individualizuar në shoqërinë tonë, vërtetë që zvogëlojnë peshën dhe rëndësinë sociale të “autoriteteve të jashtme” porn ë mënyrë automatike dhe të menjëhershme rrite pasha dhe përgjegjësitë sociale të njeriut përballë “autoritetit të vetes”. Kjo sikurse shkruan sociologu Zygmund Bauman, do të thotë  se ajo që nuk shkon në jetën e njeriut sot, vjen më shumë vetëm prej gabimeve të tij. Prandaj më shumë se nevojë për autoritet të jashtëm imponues, njerëzit tanë kanë më shumë nevojë për shëmbuj nga duhet të frymëzohen, dhe të mësojë si duhet të sillet. Kjo është arsyeja pse është bërë masive teza, se koha e sotme nuk ka aq shumë nevojë për udhëheqës e autoritete por ka nevojë për “këshilltarë”, që e ndihmojnë dhe e mësojnë njeriun të orientohet shëndetshëm në jetën e vet të përditshme.

Shoqëria shqiptare është duke u bërë moderne, e lirë e çliruar nga “idhujt”. Idhujt e së kaluarës, që akoma i kemi nëpër këmbët tona, kanë ndikuar në origjinën kolektive të mbivlerësimit të shumë paragjykimeve mbi rolin, peshëm dhe forcën e autoriteteve të jashtme mbi njeriun.

Porn ë të vërtetë sot ka ikur koha e Njerëzve të Programuar, që tri dekada më parë u bindeshin komandave sociale, dhe ndiqnin rutina të caktuara të përcaktuara nga fuqia e autoriteteve në fushave të ndryshme të jetës. Koha e sotme, nuk pranon as vartësinë ndaj elitave të caktuara, që mund të pretendojnë të kenë në dorë “fijet e jetës” së njeriut. Në një shoqëri relativiste si jona, në qëndër të së cilës është njeriu individualist me sjellje ultra të personalizuara, është normale të besosh se çdo njeri ka të drejtë të ketë autoritetin e vet të besueshëm, të shoqëruar nga parapëlqimet e veta morale, fetare, kulturore, etike e sociale.

Sipas sociologut amerikan David Apter (1924-2010), brezat e rinj nuk i kanë shumë për qejf autoritetet me pushtet moral, ideologjik e fetar të së kaluarës. Ata kanë prirje antiautoritariste dhe kanë për për dëshirë konceptimet pragmatiste dhe individualiste të jetës. Të rinjtë refuzojnë gjithsesëi modelet autoritariste dhe kërkojnë “lirinë e përcaktimit” të personalizuar të së ardhmes së tyre. Ata nuk pranojnë dhe nuk besojnë në “ligjerimet idealiste” të liderëve, udhëheqësv apo të çdo lloj “autoriteti kalimtar”.

Nevoja e njeriut të kohës sonë dhe dëshira frenetike për të jetuar lirshëm jetën personale, është në kundërshtim me çdo përpjkeje, për të ndërtuar dhe ngritur “gardhe sociale” të panevojshme të autoriteteve të jashtme, frenuese të lirisë personale. Autoritetet që gjithnjë flasin në emër dhe bëhen interpretë të nevojës së disiplinës sociale në shoqëri, shpesh bëhen autoritete që kanë ndikime shtypëse mbi njeriun e lirë.

Nga ana tjetër, duhet pranuar që liria e individit nuk duhet të nëpërkëmbë hierarkitë e duhura, të domosdoshme për funksionimin normal të shoqërisë, të rregulacioneve të duhura për ekzistencën e organizimeve të jetës sociale, sikurse janë familja, institucionet, shkolla, etj. Ndryshe nëpërkëmbja deri në fund e çdo lloj autoriteti në emër të lirisë reale apo të imagjinuar, mund ta rrokullisë shoqërinë tonë në “kënetën” e lirive të kota, në një jetë që duket sikur është tërësisht individuale por në të vërtetë është krejt pa kuptim.

Ideja antitotalitare në shoqërinë tone, shpesh herë ka marrë nuanca anarkiste, duke bërë që njerëzit të ngrenë krye kundër çdo lloj pushteti, autoriteti, hierarkie sociale, duke mbivlerësuar vetëm aspektin e nevojës së paprekshmërisë së lirisë individuale, duke refuzuar çdo lloj rregulli e norme sociale, duke mos pranuar nevojën e natyrshme të ekzistencës së një minimumi “autoritetit shtypës”, sikurse mendon me të drejtë sociologu Zygmand Bauman. Duke analizuar situatën e sotme, mënyrat kakofonike të shikimit të raporteve të pushtetit, lidhjet e autoritetit social me njerëzit, si parakusht për ndërtimin e një jete funksionale e të shëndetshme, është patologjike ideja sipas të cilës, qëndrimet e e njeriut, sjelljet e tij në shoqëri duhet të jenë tërësisht të lira dhe të personalizuara. Por nga ana tjetër është vështirë sot të ngresh tezën e drejtë të normalitetit të lidhjeve dhe narrëdhënieve sociale dhe se liria e njeriut nuk duhet dhe nuk mund të jetë tërësisht absolute.

Pa cënuar aspak hapësirat e destinuara lirisë, privatësisë, mënyrës personale të ndërtimit dhe organizimit të jetës, përmes largimit të ndikimit frenues të autoriteteve të ngurta, të dhunshme dhe jo demokratike, besoj se në kulturën tonë qytetare kemi nevojë të kultivojmë edhe anën tjetër të “medaljes”. Sepse nuk është normale ideja, sipas të cilës shoqëria e lirë është krejtësisht pa nevojën për autoritete orientuese e këshilluese dhe pikat e përbashkëta të referimit social…

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here