Apeli i Sinanit: Shiteni Vllazninë, nuk ka asnjë rrugëdalje tjetër për t’i rikthyer suksesin klubit

0
121

Vioresin Sinani, ish-kapiteni dhe goleadori më i mirë i të gjitha kohëve me ekipin shkodran, nuk e fsheh mendimin e tij, se vetëm privatizimi do të shpëtonte njëherë e mirë Vllazninë nga vuajtjet disavjeçare. Ai është kreu i Komisionit të Sporteve në Bashkinë Shkodër dhe gjithnjë mundohet të japë kontributin e tij që punët në klubin shkodran të lëvizin pozitivisht. Sinani ka qenë pjesëmarrës në analizën e fundit të klubit dhe në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” u shpreh rreth situatës aktuale te Vllaznia, si dhe nevojat që ka klubi për të ndryshuar funksionimin e tij.

 

 

Sinani, keni qenë pjesë e asaj mbledhje maratonë të zhvilluar mes drejtuesve të bashkisë, Komisionit të Sporteve dhe stafit teknik të Vllaznisë. Çfarë u diskutua konkretisht në këtë analizë?
Normalisht, si pjesë e Komisionit të Sporteve, ishim në këtë analizë për të dëgjuar problematikat e dala, sidomos në aspektet financiare, pasi kjo është edhe primarja jonë si komision, sigurimi i fondeve për klubin. Por kemi dëgjuar dhe analizën teknike të ekipit. Mund të them se ka pasur diskutime, që i kanë vlejtur shumë klubit, po ashtu edhe për ato gjëra që janë bërë mirë dhe keq në të shkuarën. Primare ka qenë se çfarë do të bëhet në të ardhmen. Të gjithë kanë thënë fjalën e tyre për të rregulluar situatën për sezonin e ri.

Nga analiza, çfarë doli se ka munguar te Vllaznia e sezonit të shkuar?
Unë si drejtues i Komisionit të Sporteve dhe në emër të këshilltarëve bashkiakë, jam i mendimit se Vllzania nuk ka vuajtur në aspektin financiar. Bashkia Shkodër e ka mbështetur ekipin me të gjithë mundësitë që ka pasur, madje edhe jashtë fuqisë së saj financiare. Por, ajo që nuk po shkon, nuk ka lidhje me financat. Janë një sërë komponentësh që duhet të bëhen bashkë dhe punët të ecin siç duhet.

U dha ndonjë objektiv për drejtuesit e klubit dhe të ekipit për sezonin e ri?
Nuk kishte sesi të jepeshin objektiva kur ende nuk dihet se kush do të jetë përbërja e ekipit për këtë sezon. Objektivat do të shikohen dhe jepen pasi të shikohen afrimet që do të bëhen. Nëse do të ketë afrime cilësore, që do të justifikojnë edhe shijet e stafit teknik, atëherë objektivi do të jetë për lart. Por nëse nuk do të bëhen afrimet e duhura, atëherë do të ketë të tjera objektiva për ekipin e stafin.

Si e shikoni Vllazninë sërish nën drejtimin e bashkisë?
E thashë edhe më lart, bashkia po bën maksimumin që në aspektin financiar, me ato mundësi që ka ajo, të mos i mungojë asgjë ekipit. Në këtë anë korrektesa është maksimale. Por e thashë, se duhen bërë bashkë shumë komponentë, në mënyrë që punët të shkojnë siç kërkon Shkodra e shkodranët. Gjithçka mund të ndodhë, por nuk jam optimist që gjërat mund të shikojnë më mirë te Vllaznia e këtij viti, këtu i referohem situatës aktuale dhe asaj që ka ndodhur në të shkuarën.

Gjithnjë keni thënë se vetëm privatizimi e shpëton Vllazninë nga situata e trashëguar në vitet e fundit…
Vijoj të mbetem i këtij mendimi, pasi vetëm privatizimi do të bënte të mundur që të shikonim një Vllazni krejt ndryshe nga kjo që kemi parë në vite. Privatizimi do të bënte që Vllaznia të kthehej si pretendente për titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë. Nuk ka asnjë rrugëdalje tjetër në këtë drejtim.

A po bëhet ndonjë lëvizje konkrete nga kryebashkiakja Ademi apo edhe nga Bashkia e Shkodër që të bëhet i mundur kalimi i klubit te privati?
Mund të them se interesimi i kryebashkiakes edhe i personave të tjerë në Bashkinë Shkodër është për ta lëshuar ekipin në dorë të privatit. Por se kur dhe tek do të bëhet një gjë e tillë, kjo mbetet për t’u parë. Shpresojmë që një gjë e tillë të ndodhë sa më shpejt. Nga ana jonë si komision sportesh, si dhe këshilltarët bashkiakë mund të them se nuk do të ketë asnjë pengesë për të bërë të mundur privatizimin. Shpresoj që të ndodhë sa më shpejt./panoramasport

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here