Kryemadhi: Demokratët që nuk duan Edi Ramën të votojnë për LSI

0
176

Zëvendës/kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi  deklaroi gjatë intervistës tek emisioni “ 5 pyetje nga  Babaramo” se kohë për negociata për zgjidhjen e krizës ka deri në momentin e fundit. Kryemadhi deklaroi se largimi i Metës deri drejt Presidencës,nuk do ta dëmtojë LSI- në pasi kjo forcë politike sipas saj ka shumë energji. Duke bërë një bilanc të qeverisjes katër – vjeçare me Partinë Socialiste, Kryemadhi theksoi se ka pasur gjëra pozitive por janë bërë edhe shumë gabime.

 Mendoni se do ketë zgjidhje në 18 qershor?

Në fakt është bërë një pyetje shumë e besdishme që të ngjall dhembje, dëshpërim. Duke pasur parasysh situatën që 18 qershori është një datë  e dekretuar nga Presidenti sipas situatës, por ne sot jemi në situatë tjetër, që kemi një qëndrim ultimativ dhe në anën tjetër një qëndrim arrogant. Kjo nuk sjellë asnjë gjë, por vetëm vuajtje dëshpërim dhe jo stabilitet në vend. Kjo situatë politike që shkaktarë të saj janë dy partitë e vjetra .

Basha kërkon qeveri teknike pa Ramën kryeministër. Ju duket e arsyeshme kjo?

Mua më duket qesharake sepse edhe mund të them që të iki Zoti Lulzim Basha dhe të vijë përsëri Zoti Sali Berisha në krye të PD – së. Zoti Rama ka fituar një mandat së bashku me koalicionin për të qeverisur deri në 18 qershor. Mua më duket sikur këto janë disa argumentime që prodhojnë vetëm konflikt.

Demokratët kur hynë në çadër patën idenë se kishin mbështetjen e LSI -së. Janë keqkuptuar?

Unë nuk mendoj se është ajo. Sigurisht që LSI ka qëndrimet e veta politike. Kodi zgjedhor që kanë vulosur partitë e vjetra ka sjell këtë situatë që kemi sot dhe sjell këtë lloj paqartësie nga dy forcat politike. Ajo që është e rëndësishme është pozicionimi i të gjitha forcave politike në interes të qytetarëve. Çadra nuk është thirrja e LSI-së. Sigurisht që është një nga opozitat më të dobëta që ka pasur në 27 vite të tranzicionit shqiptar. Kam përshtypjen që Partia Demokratike ka frikë nga ndryshimi.

Ju e konsideroni të mbyllur datën e zgjedhjeve. Mendoi se ka kohë ende për negociata?

Negociatat vazhdojnë deri në sekondat e fundit.

Vazhdojnë negociata, a ka negociata?

Nuk e kam idenë sepse këto negociata janë bërë gjithmonë të fshehta dhe nuk kanë qenë të suksesshme dhe kanë prodhuar krizë destabiliteti dhe mos-tolerancë.

Meta propozoi një qeveri besimi dhe pak a shumë të njëjtën formulë, paraqitën eurodeputetët. Ishte koordinuar me ndërkombëtarët ajo që propozoi Meta?

Unë di të them që Meta në propozimin e tij për qeverinë e besimit sigurisht që ka pasur konsultimet e tij me faktorë të rëndësishëm politikë më faktorë jo vetëm në SHBA por edhe në Europë. Por nuk ka të bëjë me McAllister, por me politikën e vetë Metës, që ka pasur në thelb stabilitetin.

Në 18 qershor si do hyni në zgjedhje?

Njerëzit kur hyjnë në zgjedhje hyjnë me një marrëveshje me qytetarët. Ne po hartojmë programin tonë elektoral i cili është një program që bazohet në ekonomi, bujqësi, arsim dhe turizëm.

Do keni koalicion pas zgjedhor?

Ajo mbetet për diskutim pasi të mbarojë procesi zgjedhor.

Si e  konsideroni bilancin e kësaj qeverisje 4 – vjeçare?

Pozitiv por edhe me gabimet e veta.

Cilat janë disa nga gjërat pozitive?

Në fakt ajo që është e rëndësishme përsa i përket infrastrukturës ne kemi bërë sheshet dhe Rilindjen urbane, por ndoshta do të ishte më mirë të bënin rrugët nëpër fshatra. Pastrimi i kanaleve kulluese, mënyra dhe funksionimi i rritjes së prodhimit dhe eksportimit të produkteve bujqësore pavarësisht se subvencionet janë ulur shumë. Mund të them që reforma territoriale që është gjë shumë e mirë por ka vendosur kryetarët e bashkisë në pozitë të vështirë. Lë  për të dëshiruar reforma në arsimin e lartë. Prandaj them që ka shumë gjëra të mira por edhe shumë gabime. Gabimi është njerëzor por ne duhet ti pranojmë gabimet për t’u përmirësuar.

Kur e morët vesh që Ilir Meta do ishte kryetar i shtetit?

Ditën që firmosi.

Ishit dakort ju me këtë vendim?

Ndoshta mund të mos isha dakort por edhe mund të jem dakort. Unë mendoj se Shqipëria ka nevojë për një president që të sjellë diçka ndryshe.

Sa e dëmton LSI-në, largimi i Metës?

Fare nuk e dëmton sepse Ilir Meta bën një fushatë shumë të ngurtë ndërsa LSI ka shumë energji dhe ka nevojë të çlirohet nga ato litarë, dhe mendoj se shpërthimi i LSI do vijë duke u larguar Ilir Meta, duke qenë si vëzhgues për një forcë që e ka themeluar vetë. LSI ka një pjekuri politike të mrekullueshme.

Ka shumë njerëz që e kanë lexuar si një pengese që kishte Edi Rama?

Varet si e  shikon, unë do ta shikoja si një mundësi shumë të madhe. LSI i jepet shansi që ka një president dhe nesër mund të ketë një kryeministër. Pozicioni i Metës president do ti japi LSI një forcë dhe energji shumë të madhe. Do te jetë një forcë politike që do jetë shumë agresive, për të marrë votën, për të luftuar më shumë.

Mes Bashës dhe Berishës me kë ndiheni ju si LSI komode?

Nëse do flasim si politikanë normalisht politikisht unë ndihem mirë me Petrit Vasilin, me Klajda Gjoshën, me Kejdi Mehmetaj, me Floida Kërpaçin, me Endrit Braimllari. Përsa i përket marrëdhënieve miqësore dhe shoqërore ndihem shumë mirë më të gjithë, edhe me Edi Ramën, edhe me Lulzim Bashën dhe  me bashkëshorten e tij edhe me doktor Berishën.

Keni pasur një marrëveshje me Berishën dhe një me Ramën? Cila nga marrëveshjet ka funksionuar më mirë?  

Në të dyja rastet LSI ka qenë luajale në marrëveshjet e saj, qoftë në marrëveshjen me PD -në qoftë me PS. Duhet të pyesësh ata sepse secila palë ka pretendimet  e saj.

Ju u zgjodhët zv/kryetare në Konventën e LSI…

Akoma nuk e kam ndjerë pozicionin e zëvendës/kryetares.

 Ti do konkurrosh kur të bëhen zgjedhjet një anëtar një votë?

Unë mendoj se LSI do të jetë një parti jashtëzakonisht ekselente me Petrit Vasilin kryetar, sepse ka pjekuri politike dhe ka një avantazh shumë të madh sepse ka qenë një nga përkrahësit kryesor të rinisë. Dhe them se pozicioni i kryetarit është shumë për supet e mia.

E mbani mend largimin nga Partia Socialiste?

Unë mbaj mend arrogancën e pamatshme  dhe fodullëkun që kishte lidershipi i asaj kohe, që faktikisht e mori në qafë Partiën Socialiste në 2005.

Çfarë i sugjeruat ju Ilir Metës?

Unë nuk i sugjerova asgjë, vetëm e ndoqa atë nga pas.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here