Besoni ne fantazma, shpirtra, xhinde?..

0
409

 

Që nga tragjedia e Doruntinës, kur i vëllai Kostandini, u ngrit nga varri për të mbajtur amanetin, deri te filmat me fantazma, shpirtrat e të vdekurve janë shfaqur shpesh në kulturën dhe folklorin tonë. Shumë njerëz kanë raportuar se kanë parë shfaqje të hijeve të panjohura si edhe të njerëzve të dashur apo të të afërmve. Edhe pse prova përfundimtare për fantazmat mbeten të pakuptueshme, dëshmues të sinqertë vazhdojnë të raportojnë pamje, duke fotografuar deri madje duke komunikuar me fantazmat. Fenomeni mund të përfshijë shfaqje, shqetësime me zhurma të mistershme, frymëmarrje të ftohta, tinguj hapash, zëra si edhe aroma të ndryshme. Fantazmat janë fenomen tepër i diskutuar. Kritikët e dëshmitarëve okularë të fantazmave sugjerojnë se kufizimi i perceptimit njerëzor dhe shpjegimi i zakonshëm fizik mund të arsyetojnë shikime të tilla. Për shembull, ndryshimi i trysnisë në një shtëpi mund të bëj dyert që të përplasen ose dritat nga një makinë kalimtare mund të reflektojnë përmes dritares natën. Sipas hetuesit skeptik Joe Nickell: “…shikimi periferik është shumë i ndjeshëm dhe mund të mashtrohet lehtë, sidomos natën vonë, kur truri është i lodhur dhe ka më shumë mundësi t’i keqinterpretojë pamjet dhe tingujt. Mendohet që tingulli është një tjetër shkak për shikimin e fantazmave. Frekuencat më të ulëta se 20 hertz quhen infra tinguj dhe janë normalisht të padëgjueshme, por shkencëtarët britanikë Richard Lord dhe Richard Wiseman kanë nxjerrë përfundimin se “infra tingujt mund t’i bëjnë njerëzit të ndjejnë prani të huaja në dhomë apo ndjenja të pashpjegueshme ankthi apo frike. Helmimi me monoksid karboni, që mund të shkaktojë dëgjim të fuqishëm dhe halucinacione pamore, depresion dhe ndjesi të përgjithshme sëmundjeje dhe frike, është njohur si shpjegim i mundshëm për shtëpitë e pushtuara nga fantazmat, që nga vitit 1921”. Disa kërkues, si profesor Michael Persinger, kanë arsyetuar se ndryshimet në fushat gjeomagnetike (të krijuara nga lëkundjet tektonike në koren e tokës apo në aktivitetin diellor) mund të stimulojnë tëmthat e trurit dhe të prodhojnë shumë nga përvojat e shoqëruara me fantazmat. E gjithë kjo hipotezë është kundërshtuar dhe ka hapur një debat të gjerë. Ndërsa hetuesit e fantazmave shpresojnë që një ditë të provojnë se të vdekurit mund të kontaktojnë me të gjallët, duke siguruar një përgjigje përfundimtare ndaj misterit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here