Njeriu që shkatërroi shtëpinë e Shekspirit

0
188

LUFTA E GJATË PËR MBROJTJEN E OBJEKTEVE, QË SHUMICA E NJERËZVE I KONSIDERONTE SI TË PAVLERA, POR QË NË FAKT QENË SHUMË ME VLERË DHE SOT, PËRBËJNË NJË BURIM EKONOMIK TË FUQISHËM DHE TË QËNDRUESHËM

Trashëgimia kulturore

Denise Winterman

Britania nuk ka qenë gjithmonë në dashuri me trashëgiminë e vet. Asaj iu deshën disa akte tronditëse shkatërrimi dhe disa tentativa të egra, por që u parandaluan në çastin e fundit, për t’i dhënë formë mënyrës sesi trashëgimia çmohet dhe mbrohet.

Britania e Madhe ka tashmë disa nga ligjet më të fuqishme për ruajtjen e trashëgimisë në botë. Ky është viti i njëqindtë, që kur ligji i parë i kësaj natyre u miratua për t’i dhënë qeverisë fuqinë për të vepruar drejtpërsëdrejti, kur një zonë historike është e kërcënuar.

Trashëgimia e vendit tashmë jo vetëm çmohet, por është bërë edhe një biznes i madh, megjithëse nuk ka ndodhur kështu gjithmonë në histori. Gjatë shekullit të 19, shumica e ndërtesave historike qenë nën pronësi private dhe pronarët mund të bënin me to çfarë t’i pëlqente, përfshirë edhe t’i shembnin ato.

Por një grup i vogël pionierësh e dinte se trashëgimia ishte diçka e çmuar dhe duke e shpëtuar atë, i dhanë formë Britanisë ashtu siç ne e njohim sot. Ata qenë nxitur nga disa akte shkatërrimi, të cilat po të ndodhin sot, do të qenë ngjarje tronditëse.

Njeriu që shkatërroi shtëpinë e Shekspirit

Ai ishte vendi ku besohej se pati jetuar dhe punuar për të shkruar veprat e tij të fundit, si “Stuhia”, dhe ku vdiq më 1616-n. Kjo është e dhëna që jepet nga Fondi për Vendlindjen e Shekspirit. Një ndërtesë e stërmadhe për nga rëndësia kulturore dhe historike, që përmbledh idealisht përkufizimin e asaj që quhet pasuri kombëtare.

“Por kjo nuk ishte ajo që mendonte i nderuari Francis Gastrell. Ai e bleu shtëpinë më 1753-shin, por shpesh u acarua nga numri i madh i turistëve që dëshironin ta vizitonin atë”, thotë historiani i arkitekturës, Gavin Stamp. Ai thuhet se ishte edhe në mosmarrëveshje mbi taksat me zyrtarët vendorë.

Gastrell pati hyrë në listat e keqbërësve të qytetit, pasi preku pemë manash të mbjellë nga vetë Shekspiri në kopsht. Pastaj, në një akt zemërimi të jashtëzakonshëm, ai e shkatërroi të gjithë shtëpinë më 1759-n. Ajo nuk u rindërtua më kurrë dhe sot mbeten vetëm themelet.

“Banorët e Stratford u tmerruan dhe Gastrell u bë kaq shumë jopopullor sa në fund ai u detyrua të largohet nga qyteti”, thotë Stamp. Ai nuk ishte pronari i vetëm në qytet që përndiqej nga turistët.

“Më 1808-n, Ledi Houe shkatërroi vilën e Aleksandër Pope në Tuikenham për të njëjtën arsye”, thotë Stamp. “Kjo e lemerisi piktorin Turner, i cili jetonte aty pranë. Ka gjithashtu shembuj tmerrues në histori, ku ndërtesat me rëndësi kombëtare janë shembur thjesht se pronarët e tyre nuk ia kuptonin vlerën ose i konsideronin të papërshtatshme”.

Pronarët si Gastrell kishin mundësi të bënin çfarë t’i pëlqente dhe qeveria nuk kishte fuqi për t’i ndaluar ata. Ata besonin se kishin të drejta absolute për të shkatërruar pronat e tyre.

Ideja se shteti mund të ndalonte dikë të bënte çfarë të donte me pronën e vet, ishte qesharake në atë kohë. Mendimi se trashëgimia e Britanisë ishte e vlefshme për t’u konservuar, ishte një besim i vetëm i një grupi të vogël njerëzish të njohur si radikalë. Por, pasi panë dekada të tëra shkatërrimesh të tilla, ata u bënë më të vendosur për të vepruar.

Aktivizimi i njërit prej tyre, Xhon Lubok, deputeti liberal nga Maidstone në Kend, solli ligjin e parë në mbrojtje të trashëgimisë së Britanisë, Ligjin për Monumentet Antike.

Vizitorët që pothuajse rrëzuan Stonhenxhin

Edhe pse kishte interes në vendbanimet e lashta, kjo nuk do të thoshte se ekzistonte synimi për t’i mbrojtur ato. Vonë, nga vitet 1800, gjithnjë e më shumë njerëz po vizitonin Stonhenxhin për një ditë piknik. Ajo që sot është vend i trashëgimisë botërore nën pronësinë e Kurorës, në atë kohë ishte nën pronësi private dhe i harruar.

Por ata që shkonin për piknik linin pas mbeturina. Kjo gjë nxiti minjtë dhe lepujt të hapnin fole nëpër themelet e gurëve, duke i dobësuar ato, thonë historianët.

“Një nga gurët sakaq ishte rrëzuar, një gur traversë qe thyer më dysh. Vizitorët shkëpusnin gjithashtu copa guri për t’i mbajtur kujtim apo shkarravitnin gurët”, thotë kritiku i arkitekturës, Jonathan Glancey.

Kjo ishte e njëjta situatë me mbetje të tjera prehistorike, të cilat po zhdukeshin shpejt. Kërcënuesit qenë fermerë apo pronarë të tokave, për shkak se gurët gjendeshin në mes të një zone bujqësore të punueshme, ndërsa mund të konsideroheshin si një material ndërtimor falas.

I zemëruar, Lubok filloi luftën. Kur ai dëgjoi se rrethi me gurë më i madh i lashtësisë në Avenburi doli për shitje më 1871-shin, ai i bindi pronarët t’ia shisnin pronën atij dhe gurët e vendosur në formë rrethi u shpëtuan. Këtë vit ai u emërua si vendi i dytë më i mirë në botë për trashëgiminë nga një revistë udhëtimesh.

“Lubok tërhoqi vëmendjen kombëtare për monumentet e lashtësisë”, thotë Glancei. Në atë kohë, vende si Stonhenxhi, shiheshin thjesht si një grumbull gurësh, gurore të lashta dhe vende ku mund të merreshin materiale ndërtimore.

“Lubok e dinte se aty qenë rrënjët e identitetit britanik. Ai bëri për trashëgiminë atë që Darvini bëri për historinë natyrore.”

Por Lubok nuk mund të blinte çdo objekt historik të kërcënuar. Ai propozoi që qeveria të merrte fuqinë për të konfiskuar çdo vend prehistorik të kërcënuar nga pronarët e painteresuar, një ide radikale për atë kohë.

Për tetë vjet ai u përpoq dhe dështoi në miratimin e ligjit në Parlament. Në fund, më 1882, ai propozim u bë ligj. Ai, gjithsesi, kishte pësuar ndryshime thelbësore. Njerëzit duhej të hiqnin dorë në mënyrë vullnetare nga monumentet e lashta dhe t’ia dorëzonin qeverisë.

Por pavarësisht kësaj, ideja se shteti mund të konservojë trashëgiminë e Britanisë më mirë se pronarët privatë u bë një bindje. Presioni u shtua mbi pronarët e vendeve prehistorike dhe ata u detyruan të kujdesen më shumë.

Mania e zbukurimeve të tepërta

Moda e epokës Viktoriane përfshinte arredime të brendshme të mbingarkuara me zbukurime dhe kjo gjë qe një kërcënim tjetër për trashëgiminë. Artefaktet dhe objektet e kuriozitetit nga vende të lashta në Britani apo në të gjithë botën qenë shumë të kërkuara për të pasurit e epokës Viktoriane, thonë historianët.

“Ideja se gjërat historike duhej të mbeteshin aty ku ishin ose duhet të ktheheshin nga atje ku ishin marrë, nuk ishte një koncept i kuptueshëm për shumë njerëz”, thotë Ana Keai, një eksperte. Një problem tjetër ishte që puna e bërë te ndërtesat e vjetra shpesh qe tepër e zellshme dhe josimpatike.

“Shpesh ndërtesat zhvisheshin tërësisht dhe bëheshin të dukeshin sa më të reja të qe e mundur”, thotë Glancei.

I zemëruar nga riparimet amatoreske, një vizionar artist, Uilliam Morris, krijoi Shoqërinë për Mbrojtjen e Ndërtesave Antike më 1877-n. Ky ishte grupi i parë i presionit që i dedikohej mbrojtjes së ndërtesave të vjetra.

Kjo shoqatë i dërgoi anëtarët e vet nëpër të gjithë Anglinë për të identifikuar ndërtesat e rrezikuara. Ajo zhvilloi gjithashtu takime publike për të protestuar kundër restaurimeve të këqija dhe për të mbështetur ruajtjen e ndërtesave të vjetra në gjendjen e tyre origjinale.

Piktori Xhon Ruskin iu bashkua kësaj beteje, i shqetësuar se peizazhi i Britanisë qe i kërcënuar nga industrializimi. Ai ndërtoi një shoqatë më 1870-n për të mbrojtur Rajonin e Liqeneve.

Problemi i oxhaqeve që mungonin

Nuk qenë vetëm britanikët ata që kishin nisur një gjueti trofesh. Shpejtësia e ndryshimit në prag të shekullit të njëzetë solli mundësi që i bënë njerëzit shumë të pasur, shumë shpejt, dhe në asnjë vend më shumë sesa në Amerikë.

Me shumë para për të shpenzuar, milionerët e rinj shkuan të bëjnë pazar dhe erdhën në Britani para së gjithash. Struktura antike dhe tipare arkitektonike çmontoheshin dhe transportoheshin për në Amerikë.

Ndikimi i revolucionit industrial në Britani

Ishte rrënimi i një kështjelle mesjetare ajo që bëri që një njeri të reagonte. Lordi Kurzon pati luftuar sakaq me sukses për të shpëtuar pjesë të konsiderueshme të trashëgimisë së Indisë, ndërkohë që punonte si nënmbret i Indisë në vitet 1899-1905, përfshirë Tajmahalin. Ai bëri të njëjtën gjë për Britaninë.

E neglizhuar për shumë vite, kështjella Tateshall u nxor në shitje më 1910-n. Thesaret e saj më të mëdha qenë ende të paprekura përfshirë edhe oxhaqe mesjetare. Por kur amerikanët paguan paratë, oxhaqet u çmontuan dhe u paketuan për t’u dërguar matanë Atlantikut.

Kurzon hyri në skenë në çastin e fundit për të blerë kështjellën dhe qe i vendosur për të rimarrë oxhaqet e çmontuara. Pas një gjuetie mbarëkombëtare ato u gjetën në Londër dhe u kthyen. Kurzon vijoi me planin për të restauruar tërësisht kështjellën dhe ia la atë Shoqatës Kombëtare për Trashëgiminë kur vdiq më 1925-n.

Kjo eksperiencë e nxiti atë të kërkonte miratimin e ligjeve për mbrojtjen e trashëgimisë. Më 1913-n, ai arriti të miratojë Aktet Amenduese për Monumentet Antike, të cilat për herë të parë i dhanë qeverisë fuqinë për të vepruar drejtpërsëdrejti kur një objekt historik qe i kërcënuar. Pronarët mund të detyroheshin të riparonin strukturat ose të gjobiteshin, ndërsa gjobat e papaguara mund të sillnin burgosje.

“Ligji i Kurzon risolli idenë e detyrimit, ideja ishte në ligjin fillestar të propozuar nga Lubok, por qe rrëzuar për shkak se konsiderohej e paimagjinueshme”, thotë Simon Thurley, drejtor ekzekutiv i trashëgimisë angleze.

Ligji përjashtonte çdo ndërtesë të ngritur pas epokës së Mesjetës dhe çdo ndërtesë të banuar, por liria për të bërë çfarë të doje me pronën tënde, tashmë kishte marrë fund. Ky ishte guri i themelit në luftën për të mbrojtur trashëgiminë e Britanisë.

 

 

Shtëpia e fundit e Shekspirit

Shekspiri lindi më 1564-n në një shtëpi modeste që shfaqet në foto, në gjendjen e saj para restaurimit të kryer në vitin 1880. Shtëpia ishte ndërtuar fillimisht më 1483-shin dhe ai e bleu më 1597-n.

Ajo u bë rezidenca kryesore e bashkëshortes së Shekspirit, Ane Hathauai, dhe vajzave të tyre. Në atë kohë ishte shtëpia e dytë më e mirë në qytet.

Shekspiri u tërhoq nga jeta publike dhe mori një rezidencë të përhershme më 1610-n. Ai vdiq më 1616-n.

 

Çfarë është Stonhenxhi?

Stonhenxhi filloi të ndërtohet si monument rreth 5 mijë vjet më parë. Gurët e saj besohet se janë sjellë nga mbi 386 kilometra larg. Arsyeja e vërtetë e krijimit është e panjohur. Teoritë e ndryshme përfshijnë krijimin e një tempulli për perëndinë Diell, një qendër kurimi ose një vend varrimi. U klasifikua si pasuri shtetërore në vitin 1918.

Tashmë është nën pronësinë e Kurorës dhe menaxhohet nga trashëgimia angleze.

 

Dekorimi i shtëpive Viktoriane

Ornamente të shumëllojshme.

Shumë mobilie të gdhendura me detaje.

Ngjyra të pasura dhe të errëta.

Letër muri, e cila filloi të prodhohej masivisht.

 

Kush ishte lordi Kurzon?

Xhorxh Nathaniel, markezi i parë Kurzon, lindi më 1859-n.

Ai u emërua nënmbret i Indisë më 1898-n.

Në moshën 39-vjeçare ai ishte nënmbreti më i ri në histori.

Ai reformoi policinë dhe sistemin arsimor në Indi.

Ai promovoi restaurimin e monumenteve të lashta si Tajmahali.

Vdiq më 1925-n.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here