Nga 21 Nëntori, ja ku do të bëhet aplikimi për dokumentet pronësore dhe biografike

0
215

Nga 21 nëntori aplikimi për dokumente pronësore nuk do bëhen më tek Arkiva, por në Postë

Prej datës 21 nëntor të gjitha kërkesat për dokumente pronësore dhe biografike që gjenden në Arkivat e Shtetit do të kryhen në Postën Shqiptare. Marrëveshja parashikon që aplikimi për këto dokumente do të kryhet në të gjitha pikat e autorizuara të Postës Shqiptare dhe përgjigja do t’u kthehet qytetarëve në të njëjtën pikë ku kanë aplikuar, 23 ditë pas aplikimit. Marrëveshja mes Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave dhe Postës Shqiptare u nënshkrua dje në mjediset e Arkivit Qendror Shtetëror në Tiranë, nga drejtorët e përgjithshëm, Ardit Bido dhe Majlind Lazimi. Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido theksoi se kjo përbën një reformë tërësore.

“Prej datës 21 nëntor, qytetarët nga i gjithë vendi nuk do të duhet të udhëtojnë katër herë për në Tiranë, por mjafton të shkojnë në pikën më të afërt të Postës dhe të aplikojnë. 23 ditë më vonë mjafton të shkojnë sërish për të marrë përgjigjen. Ky ndryshim rrënjësor vjen në përputhje me prioritetet kyç të qeverisjeve shqiptare, që është transparenca, lufta ndaj korrupsionit, që shmanget kur qytetari dhe specialisti kërkues nuk kanë kontakt të drejtpërdrejtë, si edhe shërbimi i shpejtë dhe cilësor ndaj qytetarëve. Nga ana tjetër, kjo marrëveshje mundëson që burimet njerëzore të arkivit t’i japin peshën e nevojshme shërbimit ndaj studiuesve, që për shkak të specifikave të deritanishme, ishte lënë pas dore”tha Bido. Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, Majlind Lazimi theksoi se “Marrëveshja e sotme është një tjetër procedurë me rëndësi që i besohet Postës Shqiptare, si një institucion efikas dhe eficent në kryerjen e shërbimeve.

Posta Shqiptare do të vazhdojë ti shërbejë qytetareve me të njëjtin përkushtim sikurse për çdo shërbim tjetër që ne ofrojmë.” Kjo reformë e shërbimit të dokumenteve me karakter social-juridik të qytetarëve parashikon që qytetarët do të plotësojnë formularin e aplikimit në Postë, së bashku me pagesën e tarifës së “kërkimit me pagesë“ dhe dokumentet bashkalidhur. Përgjigja do të jepet në afat standard prej 23 ditësh, në mënyrë që të mos ketë përshpejtim abuziv të kërkesave të diferencuara për qytetarë të ndryshëm. Tarifat e shërbimit janë të njëjta me më parë, ndërkohë që qytetarëve do iu ulen kostot e transportit dhe sorollatja në zyrat e Arkivit Qendror Shtetëror dhe Arkivave Shtetërore Vendore, për një shërbim që tashmë do ta marrin pranë shtëpisë. Të dhënat e detajuara dhe rregulloret e shërbimit do të gjenden të publikuara në faqen online të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, si edhe pranë pikave të autorizuara të Postës Shqiptare./standard.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here