“Venecia” i vë vulën për të tretën herë, antishteti i Ramës i demaskuar ndërkombëtarisht ( …dhe një leksion nga Meta)

0
116

EDITORIAL ✍️

Kakistokracia (kakistocracy) në fjalorin e Oxford cilësohet një sistem qeverisjeje që drejtohet nga qytetarët më të këqij të vendit, më pak të kualifikuarit dhe më të paskrupullit. Bëmat e Rilindjes në këto 7 vite pushtet i kanë dhënë me meritë këtij regjimi që shkel çdo normë demokratike dhe standard të shtetit ligjor, nofkën e një shteti kakistokrat dhe me tipare të theksuara të një regjimi diktatorial.

Por deri para pak muajsh, problemi më  i madh i gjithë çështjes ishte se ndërkombëtarisht, përmes lobeve të fuqishme që financojnë vetë Rilindjen, kjo e fundit kishte siguruar “karta bianka” për të gjithë vendimmarrjet antilegjitime të saj. Përmes lojëtarëve sorosianë në Bruksel apo edhe më gjerë në SHBA, Rilindja mundësonte kurdorherë zëra pro ndaj çdo vendimi apo nisme për të cilën Presidenti, opozita, shoqëria civile apo vetë qytetarët kundërshtonin.

“Arma” më efikase e Rilindjes në gjithë këto vite ka qenë padyshim propaganda, ku ndriçon si ylli kryesor i shfaqjes vetë kryeministri. Për çdo raport, nismë apo vendim që haste debat të fortë brenda vendit, Rilindja përmes emisarëve të saj, kujdesej më së pari që të dërgonte në Bruksel qëndrimin e llustruar të të gjithë diskutimit. Një ushtri e tërë e paguar nga “Rama and Company”, lobonte fort për imazhin ndëkrombëtar të Rilindjes, i cili për hir të së vërtetës qëndroi mbuluar mjeshtërisht për vite me radhë.  Nuk mungonin në këtë strategji edhe “manierat” tradicionale të “cashit” për ata ndërkombëtarë të paskrupullt që pranuan të fshihnin filizat e një regjimi që po lindte në Shqipëri.

E ndërsa, kushdo brenda vendit, habitej se pse nuk reagonin ndërkombëtarët! Pse nuk flisnin ambasadorët? Të gjithë pyesnin se cila ishte ‘magjia’ e përdorur nga rilindasit që kishte bërë për vete të gjitha të huajt?!

Por ajo që po i ndodh këto muaj “magjisë” rilindase është tregues faktik se lufta e vërtetë për demaskimin ndërkombëtar të një regjimi bëhet vetëm përmes bazimit te kushtetuta, institucionet dhe faktet e mirëdokumentuara. Dhe këtë më së miri e ka vërtetuar Presidenti Meta.

Opozita nga ana e saj luftoi gjatë për të demaksuar regjimin, por nuk arriti dot rezultatet që vetë Presidenti i mundësoi në vetëm pak muaj. Në fakt, PD ja doli mbanë me çështjen e dekriminalizimit, që ishte një fitore e madhe për ta në vitet 2014-2015, por më pas i gjithë rrugëtimi opozitar mori një trajtë që e pati të pamundur për shumë arsye, ekspozimin e rilindjes te ndërkombëtarët si një forcë qeverisëse antishtet, antivotë, antidemokraci.

Protestat, heqja dorë nga mandatet dhe bojkoti i votimeve në 30 Qershor, ishin padyshim lëvizje të forta të opozitës së bashkuar, që dhanë njëkohësisht mesazhe alarmi te BE dhe SHBA për situatën në vend. Por problemi qëndroi te mos konkretizimi i gjithë akuzave me dosje specifike, të cilat më pas do të mundësonin një qëndrim të prerë të frontit ndërkombëtar.

Përgjatë gjithë këtyre viteve të fundit, rilindja përmes emisarëve të saj dhe lobeve të fuqishme ja ka dalë që ta ekspozojë ndërkombëtarëisht opozitën si një bashkim partish kundër reformës në drejtësi! Gjë që është absolutisht e pavërtetë e ndërsa kushdo prej nesh që jetojmë në Shqipëri e kemi fare të qartë se ka qenë qeveria ajo që ka kapur “drejtësinë e re”, ndërsa po tentote grepin final me Kushtetuesen.

Por ndërsa gracka me opozitën po i ecte vaj, përballja e nisur me Presidentin e Republikës, nuk po sillte aspak ato rezultate që Rama kishte pretenduar kur nisi betejën ndaj Metës. Ky i fundit njihet gjerësisht gjatë gjithë aktivitetit të tij politik si “njeriu i dokumentave”. Në kohën kur opozita dukej e tulatur pas daljes nga sistemi, ndërsa Rama po përfitonte forcërisht për të marrë në kontroll të gjitha sistemet në vend, Presidenti nisi një betejë të ashpër me maxhorancën qeverisëse.

Gjithçka nisi nga dekreti i kreut të shtetit i cili anuloi zgjedhjet e 30 Qershorit, nismë e cila u cilësua e domosdoshme at kohë nga Meta për të shangun konfliktin civil në vend si edhe për të mundësuar në një kohë të dytë një palë zgjedhje gjithëpërfshirëse dhe të drejta. Ky akt krijoi një luftë të hapur me Ramën, aq sa ky i fundit ngriti edhe një komision qesharak parlamentar për të hetuar kreun e shtetit dhe kërkuar më pas shkarkimin e tij.

Dhe që nga këtu e deri më sot historia dihet. Për tre herë me rradhë, Presidenti i vendit ja ka dalë të fitojë përballjen me mazhorancën qeverisëse, dhe kjo e vulosur nga një arbitër ndërkombëtar dhe i panashëm sic është Komisioni i Venecias.

Kopsitja e të gjitha vendimmarjeve me dosjet përkatëse të përpiluara në detaj nga ekspertët ligjorë pranë Presidentit nuk lanë vend për keqpërdorime dhe lobingje të mundshme. Presidenti ja doli më së pari të fitojë betejën me shumicën qeverisëse për çështjen e shkarkimit të tij, ku Venecia theksoi se Meta, “përmes aktit të shtyrjes së zgjedhjeve mund të ketë pasur qëllim legjitim që të kryejë funksionin e vet si person mbi palët për të arritur një zgjidhje kompromisi”. Ndërsa po ashtu ekspertët e Venecias theksuan në atë kohë se “nuk i vlerësonin veprimet e Presidentit si shkelje të rëndë kushtetuese, gjë që mund t’i kushtonte atij mandatin presidencial”.

Të vazhdojmë më tej me shuplakën e dytë për mazhorancën, e cila ndoshta ishte ndër më të fortat që Rama dhe PS kanë marrë përgjatë gjithë këtyre viteve.  Drafti përfundimtar i Komisionit të Venecias, lidhur me përplasjen e vjeshtës së kaluar në Shqipëri, mes presidentit Ilir Meta dhe Parlamentit për emërimet e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetutës, i dha të drejtë pozicionit të mbrojtur nga Kreu i Shteti. Teksti kundërshtoi gjithashtu edhe propozimin e shumicës për të shmangur me ligj betimin e anëtarit të Gjykatës, vetëm para presidentit, në rast se ky i fundit refuzon ta bëjë këtë. Me këtë vendim të Venecias, maska e Ramës para ndërkombëtarëve, si njeriu që kërkon drejtësinë e pavarur, ra plotësisht. Meta ja doli sërisht!

E ndërsa ditën e sotme, Komisioni i Venecias i ka dhënë një tjetër shuplakë qeverisë “Rama”, e treta për nga radha. Presidenti më parë i kishte kthyer mbrapsht dy ligjet e qeverisë për median të cilësuara si “paketa antishpifje” , duke argumentuar se ato shkelin parimet themelore kushtetuese të një shteti demokratik, shkelin të drejtën e lirisë së shprehjes, të shtypit dhe të informimit. Mazhoranca si gjithnjë i cilësoi argumentat e Presidentit si politike dhe kërkoi që të vazhdonte para me procesin, por u ndalua në këtë turravrap drejt antiligjshmërisë së radhës, nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës.

Nisur dhe nga shqetësimet që kishte marrë, si nga kthimi mbrapsht i ligjit nga Presidenti, si nga shoqatat e medias, ashtu edhe nga opozita, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës nuk priti me autoritetet shqiptare, por ju drejtua vetë Venecias. Dhe kjo e fundit solli sot draft-opinion mbi dy ligjet për median, duke i dhënë një tjetër goditje të fortë në sytë e ndërkombëtarëve, regjimit autokratik të Ramës.

Sa shumë shuplaka “veneciane” për këtë qeveri! Aq të shumta në numër, sa duhet të shërbejnë edhe si një mësim për ambasadorët e akredituar në Tiranë; Rilindjes nuk i duhet besuar symbyllazi!

Të marra së bashku  të gjitha opionionet e Venecias vërtetuan, kësaj here jo vetëm për shqiptarët, por edhe ndërkombëtarisht, prerë dhe qartë se: Qeveria “Rama” ka sjellë në fron “antishtetin”!

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here