FSHF e pranon: Nuk ka plan konkret masash për këto ngjarje dhune

0
185

Shefi i Sektorit të Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit, Lysjen Nurishmi, ka fajësuar policinë dhe klubet për situatën e krijuar në “Elbasan Arena” në natën e të dielës. Sipas tij, mungesa e koordinimit solli një situatë të tillë kaotike me pasoja të rënda për imazhin e futbollit në vendin tonë, ndërsa pranon se deri tani institucioni që drejton futbollin në vendin tonë anashkalon rregulloren duke i lejuar klubet në garë pa oficer sigurie.

“Duhet të ketë një koordinim, pra edhe policia në rastet kur vepron, do të ishte mirë që përpara veprimeve të kishte një mini-mbledhje me zyrtarët e ndeshjeve dhe me klubin, për të marrë masa në rastet kur situata del jashtë kontrollit. Me rregullore, në rastet kur tifozët nuk qetësohen ose vazhdojnë veprimet e dhunshme, gjyqtari ndërpret lojën deri sa ai sektor i tribunës të zbrazet.

Kështu shmangen incidentet dhe imazhet jo të mira për futbollin shqiptar. Është momenti kur klubet të kenë një oficer sigurie, siç është e parashikuar edhe në rregullore. Ai ka detyrën të koordinojë masat paraprake me policinë dhe federatën, për të mos arritur deri në veprimet e dhunshme, ndërsa siguria në stadiume garantohet me ligj nga policia e shtetit dhe ne nuk mund të ndërhyjmë”, shpjegoi Nurishmi për “SuperSport”.

Ai pranoi se FSHF nuk kishte pasur asnjë lloj ndikimi në menaxhimin e forcave të rendit gjatë ndeshjes dhe kishte komunikuar me ta vetëm pas përfundimit të ndeshjes shuëm të tensionuar mes Partizanit dhe Skënderbeut. “Ishte ndeshje me tension. Kishte incidente në fillim të ndeshjes jashtë stadiumit, ndërsa të dyja tifozeritë ofenduan gjatë gjithë kohës. Me anë të sistemit audio të stadiumit bëmë thirrje disa herë që kjo të ndalonte. Kishte edhe hedhje te mjeteve pirroteknike.

Deri në minutën e 82-të, kur në ishim të fokusuar te faulli i shkaktuar nga Vangjeli, shikojmë që disa persona po hynin në stadium me një vajzë që ishte në gjendje jo të mirë shëndetësore, ndërsa më pas pamë që policia kishte ndërhyrë te ai sektor ku ishin tifozët ultras të Partizanit.

Në ato momente ishte e vështirë të komunikonim me policinë, ndërsa më pas biseduam me drejtorin e policisë së qarkut të Elbasanit. Versioni i policisë ishte që ata ishin goditur nga tifozët e Partizanit në atë sektor dhe për këtë arsye reaguan.

Situata doli jashtë kontrollit. Duke parë që ai sektor ishte i mbipopulluar dhe njerëzit ishin në panik, policia e pa të arsyeshme që ato 2-3 persona të dëmtuar t’i nxirrte nga dyert e emergjencës, për t’i dërguar pranë ambulancës që ndodhej në afërsi të fushës. Në sytë e imazhit, pra në kamera, nuk është një shfaqe e bukur. Por, ky ishte rasti i parë dhe është një mësim si për ne, ashtu edhe për klubet”, tha Nurishmi.

Gjithsesi, ai pranoi se aktualisht të gjitha palët ishin të papërgatitura për ngjarje të tilla, pasi nuk ekzistonte asnjë plan konkret masash, edhe pse ky pohim duket absurd kur bëhet fjalë për futbollin në nivelet më të larta.

“Do të mendojmë që të kemi një takim pune me Drejtorinë e Policisë, me Ministrinë e Rendit dhe me klubet, për t’i paraprirë që ky fenomen të mos jetë më prezent në shkallët e stadiumit pasi është një precedent jo i mirë. Është hera e parë që përleshjet ndodhin në këtë shkallë të lartë. Klubet të jenë më të përgjegjshëm, gjithashtu edhe policia e shtetit, të ketë koordinim dhe bashkëpunim, pasi vetëm në këtë mënyrë do të ketë një plan masash konkret dhe të dime si të veprojmë kur gjendja është e agravuar”, theksoi Shefi i Sektorit të Garave në FSHF.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here