71 HEC-e në Zonat e Mbrojtura/ KLSH kërkesë Agjencisë së Zonave të Mbrojtura: Të ndalohet ndërtimi i HEC-ve

0
185

HEC-et të cilat ndërtohen nga aplikuesit që nuk janë të përfshirë në koncesion sipas vendimit të fundit  duhet të kenë 20% të vlerës së investimit

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një auditim të këtij viti në Agjencinë e Zonave të Mbrojtura, ka gjetur se brenda rrjetit të Zonave të Mbrojtura janë 71 HEC-e. Nga këto HEC-e, 6 janë ndërtuar para viteve ‘90. Janë ndërtuar pas viteve ‘90 dhe kanë filluar prodhimin 21 HEC-e, si dhe janë në proces ndërtimi 44 HEC-e. Vetëm në Rrethin e Librazhdit janë ndërtuar dhe janë në proces ndërtimi gjithsej 40 HEC-e brenda zonave të mbrojtura. KLSH i ka lënë detyrë AKZM të nxjerrë të gjitha lejet e dhëna për HEC-et dhe në bazë të koordinatave, të nxirren sa prej tyre janë dhënë brenda Zonave të Mbrojtura dhe në bashkëpunim me Sekretariatin Teknik të Këshillit Kombëtar të Ujit, të qartësohet përfundimisht numri i tyre dhe dokumentacioni i dhënë për pajisjen me leje mjedisore. KLSH ka kërkuar që të kryhet kontrolli për të saktësuar kontratat e lidhura dhe sistemet e koordinatave, njëkohësisht dhe sipërfaqet e dhëna dhe detyrimi për çdo HEC për sipërfaqen e mbjelljes me pemë. Nisur nga shqetësimet e krijuara në banorët e zonave, të evidentohen dhe problematikat e dala për ndërtimin e tyre, la detyrë KLSH. Gjithashtu AKZM duhet të marrë të gjitha dosjet e HEC-eve dhe të ndjekë në mënyrë të vazhdueshme monitorimin e aktiviteteve të HEC-eve në Zonat e Mbrojtura. KLSh ka kërkuar nga AKZM të ndalojë ndërtimin e veprave si HEC-e, miniera, gurore dhe të tjera, që referuar veprimtarive të tyre të vërtetuara nga praktikat e deritanishme, sjellin dëme të mëdha në sistemin shëndetësor, natyror dhe human të zonës përkatëse.

Ndërtimi i HEC-eve

Vendi ynë, që nga viti 1998, është një importues neto i energjisë elektrike. Në këtë kontekst, një nga elementet e rëndësishëm të strategjisë së qeverisë shqiptare në vitin 2008 për rritjen e sigurisë së furnizimit të vendit me energji elektrike u pa përdorimi me përparësi i rezervës hidroenergjetike, ende të pashfrytëzuar, nëpërmjet nxitjes së investimeve private. Shfrytëzimi i rezervës hidroenergjetike u konceptua nëpërmjet ndërtimit masiv të HEC-eve të vogla. Vetëm gjatë vitit 2009, nga qeveria shqiptare u miratuan 90 kontrata koncesionare, të cilat parashikojnë instalimin e një kapaciteti të përgjithshëm gjenerues prej 826.5 Më, me prodhim vjetor të parashikuar të energjisë elektrike prej 3.13 TËh dhe një investim të përgjithshëm, gjatë një periudhe 5-6-vjeçare, prej 719 milionë euro. Duke filluar prej vitit 2002 deri më sot janë firmosur 183 kontrata koncesionare për ndërtimin e 524 hidrocentraleve me kapacitet 2165 Më dhe prodhim vjetor 9342 GËh, prej të cilëve tashmë janë në prodhim 117 HEC-e, 43 janë në proces ndërtimi dhe 364 HEC-e ende nuk kanë nisur nga puna. Hidroenergjia është përfitimi më i madh nga burimet e rinovueshme në vendin tonë. Shqipëria renditet në Evropë si një vend me pasuri ujore të konsiderueshme, me një shtrirje hidrografike të shpërndarë, pothuaj në të gjithë territorin. Shqipëria, me sipërfaqen e saj prej 28 748 km², ka një shpërndarje hidrografike me një sipërfaqe ujëmbledhëse prej rreth 44,000 km² ose 57% më shumë se territori shtetëror. Nga pikëpamja topografike, duke qenë një vend me reliev relativisht të thyer, vendi ynë ka një rezervë hidroenergjetike të madhe. Nëpërmjet një politike koncesionare jotransparente u bë e mundur që të nënshkruhen dhe miratohen nga qeveria 112 kontrata koncensionare, për ndërtimin e HEC-eve me fuqi të vogël, të mesme dhe të madhe, me investitorë vendas dhe të huaj, prej të cilëve pritet, që të futet në shfrytëzim një potencial gjenerues hidroelektrik prej rreth 1400 MË, që parashikohet të prodhojë një sasi energjie elektrike nga burime të rinovueshme prej 4 miliardë kËh në vit. Territori i Shqipërisë është i vendosur në pjesën perëndimore të Ballkanit dhe ka një potencial të lartë për shfrytëzimin e energjisë diellore. Numri i ditëve me diell në vendin tonë luhatet nga 240 – 260 ditë me një maksimum prej 280 ditësh, megjithatë kontributi i kësaj energjie, përkundrejt totalit të burimeve energjetike, është jo më shumë se 0.1%.

Aplikuesit

Të gjithë ata që do të duan të ndërtojnë një hidrocentral të ri me një kapacitet deri në 2 megavat që nuk është objekt koncensioni do të duhet të paraqesin dokumenta shtesë. Në ndryshimet që i janë bërë vendimit “Për miratimin e rregullave dhe procedurave të ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike që nuk janë objekt koncensioni” saktësohet se aplikuesi duhet të ketë të paktën 20- për qind të vlerës së invesitmit të përgjithshëm. Kjo duhet që të plotësohet me dokumenta bankare të tërhequra jo më parë se 5 ditë nga data e aplikimit. Një kërkesë e tillë duhet se vjen edhe si garanci që një vepër energjetike që merr miratim nuk do të mbetet zvarrë ashtu siç ka ndodhur në precedentë të mëparshëm. Po kështu është saktësuar më tej se mospagesa e detyrimeve të energjisë përbën shkak direkt për refuzimin e aplikimit. “Mosshlyerja e detyrimeve të energjisë elektrike, përveç rastit kur rezulton se detyrimet e papaguara të energjisë elektrike, të konfirmuara në vërtetimin e lëshuar nga furnizuesi, janë në proces ankimimi në gjykatë, apo mungesa e lidhjes së kontratës për furnizim me energji elektrike të aplikuesit me furnizuesin publik për çdo ambient ku subjekti ushtron aktivitetin e tij, përbën shkak për refuzimin e aplikimit”, thuhet në vendim. Një ndër pikat që ka marrë saktësim ka qenë ajo lidhur me insitucionet e përfshira në vlerësim në rastet e aplikimit dhe kjo lidhet me kushtet mjedisore ku kërkohet të ndërtohet hidrocentrali si dhe sasia ujore që kërkohet që të shfrytëzohet. Nëse ndonjëra nga këto nuk përmbushet sërish përbën shkak për refuzim.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here