Forumi Ekonomik Global: Shqetësimi më i madh i biznesit në Shqipëri, korrupsioni

0
223

-Ku shihet rritja e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare, që sa vjen e më shumë po ul eksportet? Kush servir shifra të rreme nga kabinetet qeveritare? Edhe analistët e huaj arrijnë të blihen me paratë masive të hashashit…?!

 

 Ervin Kaduku

 

Dje ministria e Ekonomisë nxitoi të shpërndajë lajmin se Shqipëria – sipas një renditjeje të përvitshme, të bërë nga Forumi Ekonomik Global – ka lëvizur me plot 13 vende më lart në fushën e konkurrueshmërisë, që dihet mirë se është “thembra e Akilit” e ekonomisë shqiptare. Por harroi të çojë informacionin deri në fund. Raporti i Forumit shton edhe se shqetësimi kryesor i 23.6% të sipërmarrësve shqiptarë të anketuar në raportin e fundit të Forumit Ekonomik Global është korrupsioni, duke shënuar një rritje me 10 pikë përqindje në raport me një vit më parë, ku korrupsioni ishte problemi i tretë për bizneset (13.8%), pas taksave të larta dhe aksesit në financë! Pra, Shqipëria është përmirësuar me 13 vende, duke zbritur në pozicionine  80, në raportin e fundit të konkurrueshmërisë, publikuar sot nga Forumi Ekonomik Global, që përfshin 138 vende. Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë, nga analiza e bërë sipas shtyllave kryesore, vërehet se ka patur një rritje pothuajse në të gjithë indikatorët sidomos në atë “Arsimi dhe Shëndeti” (që renditet në vendin e 33-të duke u rritur me 19 pozicione nga një vit më parë). Rritje u shënuan edhe në indikatorët e tjerë si Mjedisi Makroekonomik, Arsimi i Lartë dhe Trajnimet, Zhvillimi i Tregjeve Financiare, Gatishmëria për Teknologjinë, Inovacioni dhe Sofistikimi i Biznesit, kanë ndikuar në mënyrë të konsiderueshme në rritjen e pozicionit të Shqipërisë përsa i përket konkurrueshmërisë. Në këtë raport Shqipëria mban pozita të favorshme, duke lënë pas Greqinë, Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinën, në renditjen globale, sa i përket konkurrueshmërisë. Raporti evidenton se Shqipëria grumbullon 4.06 pikë nga 3.93 pikë që grumbullonte një vit më parë.

Krahas renditjes, në raport është publikuar një grafik për faktorët më problematikë për të bërë biznes. Nga një listë faktorësh, të anketuarve në Vëzhgimin e Opinionit të Drejtuesve, të matur nga Forumi Ekonoik Global iu kërkua të përzgjidhnin pesë faktorët më problematikë për të bërë biznes, duke i renditur midis 1 (më problematiku) dhe 5. Shqetësimi kryesor i sipërmarrësve shqiptarë në raportin e 2016-2016 është korrupsioni, i cilësuar i tillë nga 23.6% e të anketuarve. Në raport me të njëjtin anketim të vitit të kaluar, korrupsioni ka kaluar në shqetësmin kryesor të bizneseve. Në raportin  e 2015-2016, korrupsioni renditej në shqetësimin e tretë të bizneseve, me 13.8% të të anketuarve, pra një rritje prej gati 10 pikë përqindje brenda një viti.

Shqetësimi i dytë janë normat e taksave me 21.3% të të anketuarve. Edhe vitin e kaluar 21.7% e të anketuarve kishin problemin kryesor taksat e larta, por tashmë ai renditet e dyti, teksa në vend të parë ka kaluar korrupsioni. Shqetësimi i tretë është forca punëtore e pakualifikuar, për 11.3% të të anketuarve. Me një rritje të ndjeshme nga raporti i vitit të kaluar, ku vetëm 3.3% e të anketuarve u ankuan për forcën punëtore. Aksesi në financim (që vitin e kaluar ishte shqetësimi i dytë më i madh i bizneseve me 18.9% të totalit), destabiliteti politik, ineficenca e administratës, infrastruktura e dobët, etj, janë problemet e tjera me të cilat haset biznesit.

Absurdi

Por, përveç këtyre shqetësimeve, edhe vetë renditja të bën të habitesh jo pak. Duke lënë të hamendësohet se raporti është hartuar nga shifra të ofruara nga Ahmetaj dhe Ekonomi, dy ministra të njëpasnjëshëm të Ekonomisë në kabitenin Rama. Që të jesh konkurrent në një treg gjithnjë e më të globalizuar, kjo duket qartë në shifrat e eksporteve që realizon një vend. Pra, sa më konkurrente është një ekonomi, aq më shumë ajo çan tregjet me mallrat dhe shërbimet e saj.

Po si është situata reale me eksportet shqiptare?

Banka e Shqipërisë nisi të publikojë për herë të parë ecurinë e kontratave të porosive në sektorët kryesore të ekonomisë. Të dhënat u publikuan në treguesin e Tendencës Ekonomike dhe zbulojnë një rënie të madhe të kontratave të reja në tremujorin e dytë të vitit. Pas një rritjeje sistematike tremujor pas tremujori të paktën në dy vitet e fundit, Banka e Shqipërisë raportoi se kontratat e reja të eksporteve kanë pësuar një rënie me 23.2% në tremujorin e dytë, pas një rritjeje me 3.8% në tremujorin e parë 2016. Kjo ecuri sinjalizon rënie të eksporteve në periudhën në vijim.

Sipas të dhënave të bëra publike nga INSTAT, muaji maj 2015 shënoi një ulje të eksporteve shqiptare, krahasuar me një vit më parë, me 4.8%, shkak për të cilin mësohet të jenë grupmallrat “ushqime, pije, duhan”, ndjekur më pas nga tekstile dhe këpucë. Sektori i ndërtimit ka pësuar rënien më të madhe të nënshkrimit të kontratave të reja. Banka e Shqipërisë në anketimin që ka bërë me aktorët e tregut ka pohuar se, kontratat porositëse shënuan rënie me 46% në tremujorin e dytë të 2016, por ritmet e rënies janë në të njëjtën trajektore përgjatë dy vitet e fundit. Hajredin Fratari, një ndërtues me eksperiencë pohon se rënia, rritja e kostove në sektor prej rritjes së taksave ka frenuar edhe me tej porositë e reja.

Rënie të porosive të reja ka shënuar edhe sektori i industrisë. Në tremujorin e dytë 2016 treguesi ka pësuar rënie me 24.6%, duke thyer rekordin e rënies që kur Banka e Shqipërisë nisë ta masë atë në (T3 2014).

Edhe pse treguesi i besimit në ekonomi u përmirësua në tremujorin e dytë, biznesët kanë raportuar rënie të fortë të porosive të reja në te gjithe sektorët e ekonomisë, duke lajmëruar kështu se dobësitë në konsum do të vijojnë edhe në periudhë afatmesme. Në rast se nuk kanë përdorur shifrat e Bankës qendrore, duket se analistët e Forumit Ekonomik Global do të kenë përdorur vetëm ato që u ofrohet nga zyra e ministrit të Ekonomisë. Eksportet kanë rënë me 6.6% për periudhën janar-korrik 2016. Vetëm dy janë grupet që po rriten, tekstilet dhe këpucët, që po amortizojnë rënien e naftës dhe metaleve dhe produkteve ushqimore dhe ato të produkteve ushqimore. Po a mund të mburremi se “suksesi” ynë mbeti tek fasonet? Ku shitet vetëm krahu i lirë i punës? Nuk do të dëshironim të besonim se edhe analistët arrijnë të blihen me paratë masive të hashashit…!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency