Flet regjisorja/ Ema Andrea: “Quhem Ballkan”, një dritare e hapur për artistët

0
414

quyhem-ballkan-1900x700_c

“Mendova që të sjell veprat në formë leximi me shpresën dëshirën dhe me idenë për të provokuar dhe për të nxitur një bashkëpunim të ardhshëm”

 

Intervistoi: Irini Meçe

 

Që prej datës 26 shtator ka startuar për herë të parë në Tiranë aktiviteti “My name is Balkan” shqip “Quhem Ballkan” nën drejtimin e regjisores dhe aktores Ema Andrea. Deri në datën 2 tetor publiku do të ketë mundësi të jetë pranë dramaturgjisë së autorëve të njohur nga Ballkani, veprat e të cilëve do të lexohen në skenë nga aktorët. Aktorë të njohur të skenës, do të prezantojnë në formën e leximit skenik, të përkthyer në gjuhën shqipe, veprën e dramaturgëve nga Ballkani. Deri më tani janë lexuar veprat si: “Mihaela, Tigresha e qytetit tonë”, “Atdhe i embli Atdhe”,  5 djelmoshat.si”, “Jeta S’luan vendit,Jeta vazhdon”, ” Romance ne vitin 2024″. Ky takim i dramës bashkëkohore është një tentativë për të bashkuar dhe për të njohur më shumë shkrimin dramatik të rajonit të Ballkanit. Pjesëmarrësit janë nga Shqipëria, Kosova, Bosnje Hercegovina, Maqedonia, Sllovenia, Kroacia, Mali i Zi, Rumania, Bullgaria dhe Greqia. Këto vepra u përkthyen në shqip nga: Ardian Kyçyku, Nikollë Berishaj, Qerim Ondozi, Romeo Çollaku, Milena Selimi, Shkëlzen Maliqi, Ben Andoni. Në intervistën për gazetën “Standard”, drejtuesja e aktivitetit Ema Andrea ka theksuar rendësinë e këtij aktiviteti pasi brenda një oborri, brenda një hapësire është i gjithë Ballkani edhe të gjithë po njohin dhe po shkëmbejnë njëri-tjetrin. Ema Andrea nëpërmjet “My name is Balkan” ka provokuar dhe ka nxitur frymën e bashkëpunimit mes artistëve dhe ka hapur një dritare për ta. 

Prej disa ditësh Teatri Kombëtar është kthyer në një pikë takimi për veprat e dramtaturgëve nga Ballkani ku janë realizuar deri më tani disa lexime skenike. Si kanë qenë këto ditë, këto lexime? Sa të kënaqur jeni ju deri më tani?

Shumë… Jam shumë e kënaqur për kreativitetin dhe profesionalizmit e të gjithë artistëve. Jam shumë e lumtur sepse për herë të parë po ndodh që i gjithë Ballkani është brenda një institucioni, brenda një oborri, brenda një hapësire edhe të gjithë po njohin dhe po shkëmbejnë njëri-tjetrin dikush me vepra, por edhe në mënyrë të drejtëpërdrejtë sepse edhe autorët kanë ardhur. Parmbrëmë arriti edhe aktori grek. Do kisha shumë dëshirë gjithashtu që t’i pyesnit edhe ata, sepse përshtypjet e tyre janë fantastike.

 

Si fillim si ka lindur dhe e kujt ka qenë ideja për të realizuar aktivitetin “Quhem Ballkan” ?

E imja. (qesh) Kam pasur gjithmonë dëshirë për ta realizuar. Mua më pëlqen shumë arti ballkanik dhe kam dashur gjithmonë që të kem një mundësi ta transportoj nga një vend në tjetrin ta bëj si një të tërë. Impakti i parë, lidhja ime e parë e artit ballkanik është teatri dhe mendova që të sjell veprat në formë leximi me shpresën dëshirën dhe me idenë për të provokuar dhe për të nxitur një bashkëpunim të ardhshëm ndoshta jo prej meje por prej kujtdo që e shikon si një mundësi bashkëpunimi apo kontakti. Pra, një dritare e hapur.

 

Sa kohë iu është dashur që të realizohet ky aktivitet?

Në kokën time ka shumë e shumë kohë, por që kam filluar të punoj nga fundi i dhjetorit, konkretisht në janar.

A keni pasur vështirësi për të sjellë në jetë këtë aktivitet?

Vështirësitë padyshim ekzistojnë, janë të natyrshme që diku shkon, diku nuk shkon, por përfundimi është fantastik, sepse ka pasur dhe ka bashkëpunim të jashtëzakonshëm  të Teatrit Kombëtar, Teatrit Eksperimental dhe Universitetit të Arteve. Dhe për mua kjo duhet theksuar sepse janë të treja institucionet e arti, të teatrit dhe kulturës që janë bërë një së bashku. Duke mbërritur këtu, të gjitha vështirësitë i kemi harruar, nuk i mbaj mend vështirësitë. Unë iu jam shumë mirënjohëse të gjithë artistëve që kanë marrë pjesë dhe për profesionalizmin e tyre. Dhe jam shumë e lumtur që kam provokuar gjithë këtë frymë bashkëpunimi dhe jam tridhjetëfish e lumtur që kam arritur të botoj edhe librin me këto vepra.

Si është bërë përzgjedhja e veprave që do të lexohen?

Sinqerisht ishte shumë e vështirë përzgjedhja. Veprat janë të ndryshme. Autorët kanë sjellë dy deri ne tre vepra dhe përzgjedhja është bërë dhe në bazë të një teknike. Nuk mund të përzgjidhnim më shumë se dy monodrama. U përpoqën që të përzgjidhnim vepra që na flasin shumë edhe ne shqiptarëve, megjithëse ishte shumë e vështirë t’i përzgjidhje nga njëra tek tjetra sepse janë autorë shumë të mirë dhe veprat gjithashtu janë shumë të mira. Veprat i kam zgjedhur me Jeton Neziraj, nuk i kam zgjedhur vet.

 

Çfarë trajtojnë saktësisht këto vepra që ju keni përzgjedhur për t’u lexuar?

Për shembull vepra e parë që u lexua “Mihaela, Tigresha e qytetit tonë” trajton tematika dhe çështjen sociale, e njeriut të izoluar, gënjeshtrën në të cilën jetojmë dhe i flet shumë njeriut edhe situatës sociale. Tek vepra“Burka e Medeas” që do të lexohet sot, i flet shumë femrës, jo vetëm femrës ballkanike, por femrës që në lashtësinë e saj dhe deri më sot duke u bazuar tek Medea. Veprat e tjera i flasin shumë historisë, janë vepra politike, vepra sociale, vepra që kanë në qendër njeriun.

A mendoni se janë tematika aktuale me  realitetin sot, me shoqerinë sot?

Për mua po.

A keni menduar që ky aktivitet të ketë shtrirje më të gjerë nëpër vende të tjera të Ballkanit?

E kemi diskutuar dhe besojmë se do të bëjmë një aktivitet ku veprat shqiptare të kthehen në gjuhë tjetër apo dhe veprat e tjera. Pra, do të bëjmë një miksim me gjuhët në të ardhmen, ndoshta vitin tjetër.

Çfarë pritet që t’i komunikohet publikut nga këto lexime skenike?

Një realitet i njëjtë apo i ndryshëm i parë nga sytë e artistëve.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency