Çfarë thoshte Besnik Baraj për importin e plehrave

0
262

Deputeti socialist Besnik Baraj nisi i pari mbrojtjen ndaj importit të plehrave. Ai dhe Eduard Shalsi janë iniciatorët e ndryshimit të ligjit. Baraj tha se i vinte keq për industrinë e riciklimit dhe për ata 3 mijë të punësuar në këtë sektor, ndaj e kishte ndërmarrë këtë nismë. Ai siguroi gjithashtu se sot doganat janë më të sigurta dhe kjo është një arsye përse importi i plehrave është i kontrolluar. Por çfarë ka thënë Baraj për importin e plehrave kur ishte në opozitë? Ai ka qenë edhe më i ashpër se shefi i tij, Rama, që po e përdor për të mbrojtur tërheqjen nga vendimi i tij i parë. Lapsi.al po e sjell të plotë shkrimin e tij të datës 03/11/2011.

Kundër plehrave të Napolit në Shqipëri

Berisha përpiqet t’i mbushë mendjen shqiptarëve se nuk bëhet fjalë për import plehrash por për lëndë të parë. Është e vërtetë se çdo mbetje mund të kthehet në lëndë të parë për një industri, por janë kriteri ekonomik dhe impakti në mjedis ato që e favorizojnë ose jo këtë mundësi. Sidoqoftë populli gjithshka që hedh në kosh e quan plehra. Në këtë kontekst edhe fekalet e gjeneruara nga njerëzit apo kafshët në Shqipëri, mund të jenë lëndë të para për tokat e varfra me P, N dhe K, pavarësisht se populli ato vazhdon t’i quajë me të njëjtin emër si para 2000 vjetësh.

Por a është në fakt ky thelbi i problemit për të cilin ne diskutojmë? A është problem ligji apo trekëndëshi- realiteti me plehra-ligj-Sali? E vërteta është se problemi qëndron pikërisht në elementin Sali, i cili ka krijuar tek populli shqiptar, tek shoqëria civile dhe pa dyshim tek opozita mosbesim të thellë, ai nuk e mban fjalën, ndryshe thotë e ndryshe vepron.

Përpara se të kaloj në komente për ligjin po ndalem a është real mosbesimi tek Sali Berisha, se nesër ai mund të sjellë mbetje të rrezikshme në Shqipëri?

Në 12 vjet qeverisje të tij ai foli:

1.    Për vendosje të demokracisë, për respektim të saj. Në fakt është i pari që krijoi modelin e manipulimit të votës, duke angazhuar si shtetin ashtu edhe rrugën, pjesët kriminale të shoqërisë. E bëri këtë në 96, në 2009 dhe së fundi të dokumentuar si asnjëherë në 2011. Fakti i fundit u bë shkas që të mos merret edhe statusi i vendit kandidat.

2.    Foli për një sistem kapitalist të shëndoshë dhe mbolli skemat piramidale, që shkaktoi një fund tragjik me rreth 3000 viktima në 97.

3.    Foli për mbrojtje të institucioneve dhe është i pari në këto 20 vjet që i vuri flakën dhe bombat kryeministrisë dhe pushtoi RTV. Pjesëmarrësit u favorizuan me poste kur erdhi në pushtet.

4.    Foli për respektim të opozitës, por vrau 4 njerëz para dyerve të kryeministrisë e u përpoq të inventojë çadra pistoletë të opozitës.

5.    Foli për ruajtje të territoreve të vendit dhe se do bënte namin po të prekte dikush integritetin, kur në tavolinë i fali Greqisë 350km2. Rasti i 2 në 100 vjet histori të shtetit shqiptar

6.    Foli për teknologji moderne demontimi, mbolli një fabrikë mesjetare në Gërdec me kosto jetë njerëzish.

7.    Nxorri ligj për mbrojtjen e lumit Erzen, shkoni shihni atje çfarë bëhet sot për të favorizuar kompanitë të lidhura me bizneset që përfliten janë të oborrit të tij.

8.    Vargu i shembujve është tepër i gjatë, por mjaftojnë vetëm kaq për të kuptuar se ky njeri nuk mund të besohet dhe se duke qenë neni 49 në këtë ligj nuk ka asnjë garanci se në Shqipëri nuk do të vijnë plehra, për ta kthyer vendin në kosh plehrash, në këmbim të lobimeve për të qëndruar në pushtet dhe të marrjes të injeksioneve financiare nga mafia e plehrave për oborrin e tij dhe për t’u mbajtur edhe pak në pushtet.

 

Ligji nga ana e tij ka disa probleme thelbësore:

1.    Ai nuk prek një nga problemet më akute të mbetjeve në Shqipëri, për të cilën është folur prej 20 vjetësh por që është bërë shumë pak. Disa kanë implikime rajonale, ndaj s’mund të quhet ligj i integruar. Për ironi ligji ka një nen të veçantë për trajtimin e industrisë së oksidit të Titanit dhe s’flet për mbetjet e Cr, të Pb, Hg që janë realisht problem në Shqipëri.

2.    Ligji ka dualizëm dhe nuk sjell asgjë të re në krahasim me ligjet e mëparshme nga pikëpamja parimore. Fakti që ky lloj dualiteti ka ekzistuar edhe më parë, pra edhe menaxhim të mbetjeve në vend edhe import, e ndërkaq nuk ka patur progres substancial për menaxhimin e plehrave të vendit, flet se edhe ky ligj do të dështojë.

3.    Ligji vazhdon të kompromentohet rëndë me nenin 49, ku ligjërohet importi i plehrave.

4.    Kam një pyetje të thjeshtë “A kompromentohet menaxhimi i plehrave të vendit nëse ne nuk importojmë plehra nga jashtë? Përgjigja ime është një. Jo! E madhe. Ne kemi aq plehra sot në vend sa të furnizojmë kapacitetet ricikluese ekzistuese. Po marr vetëm një shembull, industrinë e letrës. Ka një fabrikë në Durrës dhe një në Fier. Një në Elbasan është drejt falimentit. Kapaciteti i tyre është 35000 ton sëbashku, sasi e tillë letre hidhet në plehra vetëm në Tiranë gjatë një viti.

5.    Korrupsioni i lartë duke nisur nga kryeministri e më poshtë deri në doganë na  bën të mendojmë se në Shqipëri do futen mbetje të rrezikshme.

6.    Për Importin në Shqipëri të plehrave e mbetjeve të rrezikshme flet çdo ditë shtypi Italian. Në Itali çdo vit zhduken mijëra tonelata mbetjesh të rrezikshme fati i të cilave nuk dihet ku është. Këtë e pranon shtypi Italian. A është destinacioni Shqipëria shtroj pyetjen?

7.    Doganat Shqiptare janë vlerësuar nga një forum ndërkombëtar si sektori më pak i besueshëm në tërësinë e doganave në Europë.

 

Dua ta mbyll me një pohim të pavërtetë të kryeministrit që thotë se ne s’kemi edukatën për të ndarë plehrat e për t’i ricikluar. E kundërshtoj me thënien e një akademiku francez që është marrë me menaxhimin e plehrave në nivel global, i cili thotë se nuk ka popuj të paedukuar për keqmenaxhimin e plehrave, por ka mungesë politikash ekonomike e interesash ekonomike si dhe mungesë infrastrukture e nevojshme për t’i menaxhuar ato. Ndaj si përfundim,

Jo importit të plehrave të Napolit, pa pastruar plehrat e Shqipërisë.

Nga Besnik Baraj

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency