Ministri Manjani, 2 vendime gjykatave për avokatët dhe ekspertet

0
162

Ankesat që i shprehu më herët në takime me gjyqtarë, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani i ka kthyer në vendim.

Dy janë problematikat kryesore, për të cilat ministri u është drejtuar gjykatave në të gjithë vendin.

Çështja e parë është ajo e ekspertëve jo të licencuar sipas fushës, ndërsa çështja e dytë lidhet me shqetësimin e përsëritur të përcjellë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për mos paraqitjen e dokumentit të ushtrimit të profesionit të avokatit.

“Çështja” e ekspertëve!

Lidhur me thirrjen nga ana e gjykatave të ekspertëve jo të licencuar sipas fushës, Ministri Manjani argumenton se Kodi i Procedurës Civile parashikon se kur për konstatimin ose sqarimin e fakteve, që kanë lidhje me mosmarrëveshjen në gjykim, kërkohen njohuri të posaçme në fushat e shkencës, teknikës ose të artit, gjykata mund të thërrasë një ose më shumë ekspertë.

Në këto kushte, Manjani kërkon marrjen e masave nga ana e gjykatave që lista e ekspertëve të licencuar të jetë e përditësuar rregullisht dhe në thirrjen e tyre të mbahen në konsideratë njohuritë e tyre të certifikuara për fushën e kërkuar, në përputhje me përcaktimet e legjislacionit në fuqi për secilin specialitet.

Ministri pretendon se një masë e tillë do të ndihmojë në mos cenimin e parimit të profesionalizmit, në balancë dhe me parimin e të drejtës së palës për të zgjedhur ekspertin.

“Çështja” e avokatëve!

Për sa i përket avokatëve, ministri thotë se në bazë të ligjit, çdo avokat duhet të paraqesë në nisje të seancës gjyqësore lejen për ushtrimin e profesionit dhe se është regjistruar në organet tatimore.

Në zbatim të këtij ligji,  Manjani kërkon nga ana e të gjitha gjykatave verifikimin dhe përmbushjen e këtij kriteri ligjor, ku regjistrimi në organet tatimore duhet të vërtetohet përmes kopjes së ekstraktit historik dhe NIUS, dokumente këto që vërtetojnë se personi ushtron profesionin e lirë të avokatit në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi të legjislacionit tatimor.

“Kërkesa zyrtare, më tej sqaron se në rastet kur avokati është i punësuar pranë një studioje ligjore dhe nuk është i regjistruar si person fizik më vete në organet tatimore, duhet të paraqesë ekstraktin historik dhe NIUS, të studios ligjore ku është punësuar, të lëshuar sipas legjislacionit në fuqi, si dhe kontratën që vërteton faktin e ushtrimit të profesionit pranë studios ligjore”, thuhet në kërkesë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here