Manjani: “Furtunë” shkarkimesh në radhët e drejtuesve të Hipotekave

0
197

Ministri Drejtësisë, Ylli Manjani paralajmëron furtunë shkarkimesh në radhët e drejtuesve të Hipotekave. Një ditë më parë, ministri Manjani ka firmosur shkarkimin nga detyra të drejtorit të Hipotekës së Beratit, Arben Baxhia. Një hetim i Kontrollit të Lartë të Shtetit në Hipotekën e Beratit ka çuar në shkarkimin e drejtorit të kësaj zyre regjistrimi. Auditimi i KLSH-së është kryer për periudhën janar 2013- dhjetor 2015 dhe me shkelje u vërejtën rreth 90 procedura të kryera nga të kallëzuarit. Në fjalën e tij, ministri i Drejtësisë vlerësoi maksimalisht punën e Kryeregjistruesit, Ilirjan Muho dhe tha se sëbashku me kryeregjistruesin kanë ngritur filtra të rreptë për drejtuesit vendorë që abuzojnë me detyrën. “Kemi nisur së bashku me kryeregjistruesin që të fusim në një filtër shumë të rreptë, të gjithë drejtuesit e zyrave vendore dhe në këtë filtër kanë filluar të bien edhe elementët e parë. Lidhur me këtë mund t’ju them se regjistruesi i Beratit sot është i shkarkuar edhe për shkak të konstatimeve të KLSH-së, por edhe për shkak të filtrave të ndërtuar nga ana jonë dhe ju siguroj që do të kemi njoftime edhe në ditët në vijim”, u shpreh Manjani. Deklaratën ministri Manjani e bëri në nisjen e fazës së parë të procesit që do të mundësojë kthimin e regjistrave të pasurive të paluajtshme nga stadi aktual manual, në atë dixhital. Sipas ministrit Manjani dhe kryeregjistruesit Ilirjan Muho, ky është vetëm fillimi i një projekti shumë të madh, që mundëson shmangien e mbivendosjes së emrave. Ndërkaq, Kryeregjistruesi, Ilirjan Muho ka bërë me dije disa detaje teknike mbi risitë që pritet të sjellë ky projekt. Ai sqaroi se projekti është financuar dhe po zhvillohet tërësisht nga ZQRPP dhe për zbatimin e tij janë përfshirë rreth 200 deri 250 specialistë. “Sot është fillimi i një projekti shumë të rëndësishëm që ka të bëjë me hedhjen e të dhënave dhe gjithë informacionit që zyrat tona disponojnë në regjistrat ndër vite, në një format të ri, dixhital që do të jetë i aksesueshëm nga të gjitha institucionet që shkëmbejnë informacion me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Nëpërmjet këtij provesi ne fillojmë korrigjimin e të gjithë emrave, për shkak të gabimeve njerëzore të ndodhur ndër vite. Regjistri jonë është i lidhur me regjistrin e gjendjes civile dhe burimi i informacionit është ky regjistër. Korrigjimi bëhet duke u përputhur emri me regjistrin kombëtar të gjendjes civile. Momenti i dytë është hedhja e informacionit ndër vite, pra hedhja e të gjithë historikut të pasurive të krijuara në vite hidhet në format dixhital dhe neve në kohë reale kemi informacion se cilit person i takon pasuria.Momenti i tretë është edhe më i rëndësishmi sepse identifikon se çfarë pasurie ka një person dhe kjo do të ndihmojë shumë punën e organeve që kërkojnë informacion nga ne, pra prokuroria, gjykata ILDKP etj. Njëkohësisht ndodh edhe procesi i rregulimit të të gjithë informacionit që ka të bëjë me spostimet, zhvendosjet, mbivendosjet dhe ky është momenti më i rëndësishëm. Sot informacioni jonë po përshtatet me atë që vjen nga terreni dhe është pikërisht ai informacion që vjen nga drejtoritë e ALUIZNIT, të cilat duke qenë se janë në terren, informacionin që gjenerojnë e kanë më të saktë, ndaj dhe ne jemi të detyrurar të përputhim hartat”, – sqaroi Muho.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency