Ylli i kinemasë turke: Kthehem në Skrapar sepse aty ndihem vetvetja

0
145

Në pamje të parë të lë përshtypjen e një sekssimboli pasi dhe i tillë është.

Shyqyri Çaushaj, djaloshi nga Skrapari që po bën emër në Turqi, është kthyer në vendlindje për të kaluar pushimet e verës.

Në një bisedë për suplementin ”Panorama plus” ai tregon për studimet e mbaruara, serialin e fundit që përfundoi atje, si dhe sfidat e jetës dhe karrierës, duke mos zbuluar asgjë mbi jetën private.

Si po ecën karriera në Turqi, ju njëkohësisht edhe mbaroni studimet atje, pse pikërisht Turqia?

Kam investuar në arsim dhe eksperiencë pune atje dhe më pëlqen të shijoj progresin profesional hap pas hapi, pra me hapa të vegjël dhe deri tani jam i kënaqur, sepse gjithmonë kam bërë projekte që kam dashur e jo që duhen. Nuk jam aspak pishman, përkundrazi, mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur, duke parashikuar kohë më parë rritjen e madhe të sektorit kinematografik në Turqi, duke investuar për veten në këtë fushë që në fillimet e mia profesionale.

Është vend i mundësive, sa të kanë hapur derën dhe si të kanë mirëpritur?

Unë, pasi u diplomova në Akademinë e Arteve, në degën e Regjisurës, shkova në Stamboll për studime master dhe këto studime pasuan studimet e doktoraturës në kinema. Për momentin kam mbaruar vitin e parë me të gjitha provimet dhe kam nisur punën kërkimore shkencore me temën ”Drejtimi i aktorit në kinema dhe marrdhënia profesionale e regjisorit me aktorin”. Turqia me epiqendër Stambollin është një Amerikë e vogël në shumë drejtime, e në drejtimin e serialeve apo kinemasë është një Hollivud i Europës Lindore, mendoj unë. Kështu që mundësitë janë të mëdha, por, po ashtu edhe konkurenca. Mund të them që nuk ka qenë aspak e lehtë dhe nuk ta hap kush derën, por duhet të trokasësh disa herë, deri sa të blesh çelës për të hapur atë derë, pasi të mirëpresin në funksion të punës dhe aftësisë që ke. Më e vështirë është ta mbash suksesin, sesa ta arrish atë.

Na fol pak për projektin e fundit që, me sa e dimë, ka nisur transmetimin, çfarë pret nga ky projekt?

Projekti i fundit serial televiziv ka qenë ai i “Göç zamani”, ku pata një personazh antagonist, që filloi me pak skena në fillim, por më pas ngjarjet u zhvilluan në funksion të personazhit që luajta unë dhe në fund filmi mbyllet me vrasjen e të gjithë kastit të aktorëve prej meje, pra nuk ishte një ”happy end”. Ky serial u mirëprit nga publiku, duke u shfaqur 15 seri deri në fund të sezonit. Nuk kam informacione në lidhje me transmetimin e tij në shtetet ballkanike, kjo është një gjë që u përket drejtorëve të programacionit në televizionet shqiptare.

Je tani me pushime këtu, si kalon dhe me kë i kalon?

Për momentin jam me pushime dhe po i kaloj me familjen në Shqipëri. Larg ndotjeve akustike dhe të ajrit, në fshatin Malind të Skraparit. Unë aty kam lindur dhe marr një kënaqësi tepër të madhe kur shkoj me familjen, më thërrasin gjithmonë rrënjët aty, ndihem vetja. Nuk duhet të harrojmë kush jemi dhe nga jemi, sepse është pikërisht ky fakt, i cili do të na ndërtojë të ardhmen për të ecur përpara.

Nuk ke folur aspak mbi jetën private, do na zbulosh nëse ke ndonjë femër në krah?

Jeta ime private është, nga vetë fjala, private. Mund të them që jam i lumtur dhe i kënaqur e mirënjohës Zotit për familjen që kam dhe shembullin që kanë qenë për mua, është moment përkushtimi në arsim dhe punë i jetës time. Më pëlqen të njoh njerëz të rinj, kultura të reja dhe t’i marr jetës maksimumin, duke e jetuar secilën ditë sikur të ishte e fundit, pa harruar përgjegjësinë që do zgjohemi edhe nesër.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here