Pretenca/ Gjykata, vetëm 25 vite burg për 3 vrasje në Tiranë e një plagosje

0
242

Artan Cena

 elidon kotorri1I dënuar me burg për jetë, Elidon Kotorri po rigjykohet pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut. Cilët ishin tre viktimat e të pandehurit në vitin 2000

Prokuroria e Tiranës kërkoi nga Gjykata e Tiranës dënimin maksimal për Elidon Kotorrin, i akuzuar për 3 vrasje dhe një plagosje në vitin 2000. Por pavarësisht nga kërkesa për burg të përjetshëm, ai përfiton ulje dënimi që shkon në 25 vjet burg, për shkak se trupi gjykues i kryesuar nga Ardiana Bera, pranoi gjykimin e shkurtuar. Sipas akuzës, Kotorri më 11 janar të vitit 2000, ka qëlluar pranë shkollës “Vasil Shanto”, viktimat Andi Hasani, Sokol Alushi, Gazmend Zeneli, duke lënë të plagosur Gregor Stefanin. Për këto vrasje Kotorri u dënua 3 herë me burgim të përjetshëm, por çështja u rikthye pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut që konstatoi shkelje në procesin hetimor ndaj tij.

 

Rihapja e çështjes

Çështja ndaj Kotorrit u rihap pas një vendimi të Gjykatës së Strasburgut, e cila në qershor të vitit 2013 pranoi disa nga pretendimet e avokatit të të dënuarit me burgim të përjetshëm, duke rrëzuar disa prova mbi të cilat u mor vendimi i fajësisë. Një ndër këto prova ishte dëshmia e një personi të akuzuar për moskallëzim krimi, i cili ka pranuar në kushtet e torturës se Elidon Kotorri e kishte ngarkuar të vëzhgonte lëvizjet e Andi Hasanit, një prej viktimave në masakrën e “Vasil Shantos”, ngjarje e ndodhur në janar të vitit 2000. Pas këtij vendimi, mbrojtja e Kotorrit i është drejtuar me një kërkesë për rishikimin e dënimit Gjykatës së Lartë, e cila në nëntor të vitit të shkuar ka urdhëruar prishjen e të gjitha dënimeve të mëparshme ndaj Kotorrit. Ky vendim është marrë mbi bazën e argumenteve të Gjykatës së Strasburgut, e cila ndër të tjera ka vendosur që shteti shqiptar të dëmshpërblejë në masën e 15 mijë eurove Olsi Koçiun, personin që në kushtet e dhunës ka deklaruar se mbante në vëzhgim lëvizjet e njërit prej viktimave. Mbi bazën e këtij vendimi, çështja është transferuar në Gjykatën e Tiranës dhe më 12 shkurt të këtij viti ka rinisur procesi gjyqësor ndaj Kotorrit. Deri tani janë kryer 4 seanca gjyqësore, dy prej të cilave të shtyra.

 

Krimi i Kotorrit

Elidon Kotorri ndodhet në qeli që prej janarit të vitit 2000 dhe duke llogaritur kohën e paraburgimit ai rezulton të ketë kryer më shumë se 16 vjet heqje lirie. Sipas akuzës së ngritur nga prokuroria, Kotorri është dënuar me burgim të përjetshëm për ngjarjen e 11 janarit të vitit 2000 në Tiranë, ku mbetën të vdekur shtetasit Andi Hasani, Sokol Alushi, Gazmend Zeneli dhe u plagos Gregor Stefani. Asokohe policia sekuestroi një numër të madh gëzhojash në vendin e ngjarjes, si dhe 12 fije floku në dy maskat e gjetura në një automjet të braktisur. Nga analiza e ADN-së së kryer në Romë u arrit në përfundimin se një nga fijet e flokut të gjetura në automjetin e autorëve të krimit i përkiste shtetasit Elidon Kotorri, i cili në vitin 2001 u dënua me burgim të përjetshëm për akuzën e vrasjes me paramendim, kryer në bashkëpunim ndaj tre personave. Por Kotorri pretendoi se fijet e flokut të përdorura si model krahasues me ato të gjetura në vendin e ngjarjes i janë marrë forcërisht, ndërsa dosja gjyqësore konfirmon se modeli krahasues i fijes së flokut i është marrë në prani të avokatit mbrojtës dhe analizat e ADN-së kanë konfirmuar se floku i gjetur në vendin e ngjarjes i përket atij.

Pas vendimit të shkallës së parë, çështja “Kotorri” kaloi disa herë në shkallët e gjyqësorit, derisa mbeti në fuqi dënimi me burgim të përjetshëm. Në përfundim të procesit, Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese nuk pranuan respektivisht rekursin dhe ankimin e avokatëve të Kotorrit, derisa në vitin 2007 mbrojtja iu drejtua Gjykatës së Strasburgut.

 

Hetimi për plagosjen e vitit 1999

Përveç vrasjes së trefishtë në zonën e “Vasil Shantos”, prokuroria hetoi Elidon Kotorrin edhe për një ngjarje të ndodhur më 23 dhjetor të vitit 1999, ku kanë mbetur të plagosur shtetasit A. Hasani, G. Xhani, E. Karanxha, dhe D. Karanxha dhe kanë gjetur vdekjen shtetasit S. Elezi e F. Hodja. Por këto akuza u tërhoqën më pas nga prokuroria dhe Kotorri nuk u dënua.

 

Vrasja që solli hakmarrjen, historia e bandave të Tiranës

Referuar dosjes hetimore dhe vendimeve të gjykatës që dënojnë me burgim të përjetshëm Elidon Kotorrin, konfirmohet se më datë 14 dhjetor 1998 është vrarë në ambientet e jashtme të Klubit sportiv “Partizani” shtetasi Elton Zajmi. Për këtë ngjarje, Prokuroria e Rrethit Tiranë ka akuzuar shtetasin Andi Hasani, por çështja në ngarkim të tij është pushuar, për shkak se ai është vrarë më pas. I dënuari Elidon Kotorri, duke qenë shok me viktimën Elton Zajmi, i bindur se vrasjen e tij e ka kryer Andi Hasani, ka vendosur të hakmerret ndaj tij. Për të realizuar këtë qëllim, i dënuari Elidon Kotorri ka ngarkuar të pandehurin Olsi Koçiu, i cili ka punuar shofer në aktivitetin tregtar që ushtronte familja Kotorri, që të ndiqte lëvizjet e viktimës Andi Hasani. I pandehuri Olsi Koçiu, pasi ka vështruar lëvizjet e viktimës Andi, për disa ditë, i ka treguar për ato të dënuarit Elidon Kotorri. Ky i fundit, i bindur tashmë për itinerarin e lëvizjeve të viktimës Andi, ka urdhëruar Olsi Koçiu që të mos vazhdonte me ndjekjen e tij.

“Më datë 10.1.2000 i ka thënë atij të bënte gati automjetin e tij se do të shkonin së bashku në Rinas për një udhëtim në Greqi. Po në datë 11.1.2000, ora 14:30, i dënuari Elidon Kotorri, me disa persona të paidentifikuar, me një mjet tip “Volkswagen” me targa TR 4414 E, kanë vajtur tek rruga “Bajram Curri”, tek stacioni i fundit i Tiranës së Re, për të ndjekur viktimën Andi Hasani. Në këtë kohë Andi Hasani ka hipur në automjetin e tij tip “Volvo”, së bashku me shtetasit Sokol Alushi, Gazmend Zeneli dhe Gregor Stefani”, thuhet në dosjen e Prokurorisë. Sipas dinamikës së krimit rezulton se i dënuari Elidon Kotorri bashkë me shokët e tij janë vënë në ndjekje të viktimës dhe te shkolla “Vasil Shanto” kanë qëlluar mbi automjetin që udhëtonte Andi Hasani.

Nga të shtënat kanë mbetur të vrarë Andi Hasani, Sokol Alushi, Gazmend Zeneli dhe ka mbetur i plagosur Gregor Stefani. Mbas kryerjes së krimit, autorët kanë braktisur mjetin e tyre dhe janë larguar me këmbë. Më pas i dënuari Elidon Kotorri, me një motor është kthyer në vendngjarje për të mësuar nëse ishte vrarë Andi Hasani. Pasi ka mësuar vdekjen e tij, ai është kthyer në banesë dhe pastaj është nisur për në Turqi.

Në këqyrjen e bërë në vendngjarje janë sekuestruar 29 gëzhoja dhe sipas aktit të ekspertimit balistik rezulton se 28 prej tyre janë qitur nga një armë zjarri automatike, pushkë dhe mitraloz i lehtë model 56, kalibër 7.62 mm dhe një gëzhojë është qitur nga një armë tjetër.

Në vendngjarje është gjetur makina tip “Volkswagen” e braktisur nga autorët e ngjarjes. Nga këqyrja e saj rezulton se janë gjetur dy armë automatike kallashnikov, një mitraloz i lehtë, dy maska të trikotuara, me vrima tek sytë, një pallto, një pardesy, dorashka, kapele sintetike dhe 38 copë gëzhoja.

Nga këqyrja e maskave, dorezave dhe kapelës sipas aktit të ekspertimit janë konstatuar 12 fije floku njeriu, të cilët janë me vlerë identifikuese dhe është përcaktuar se fijet e flokut të gjetura në maskën me mbishkrimin “Reebok” në ngjarjen e datës 11.01.2000 kanë karakteristikat e njëjta makro dhe mikroskopike me fijet e flokut të marra model krahasimi të dënuarit Elidon Kotorri. Mbi këtë bazë është bërë analiza e ADN-së, në Ministrinë e Brendshme, Shërbimin e Policisë Shkencore, në Romë Itali dhe është konkluduar se një fije floku e gjetur në maskën e ndodhur në makinën e tip ‘Volkswagen’ targa TR 4414 E, është e njëjtë me mostrën e marrë nga koka e të dënuarit Elidon Kotorri.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency