Nuland kundër Lu-së për qëndrimet ndaj reformës, vlerëson Bashën si patriot për vendin dhe interesat e tij

0
111

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dalin kundër qëndrimeve të ambasadorit Donald Lu ndaj kreut të PD, Lulzim Basha, për reformën në drejtësi. Teksa ditët e fundit është parë një sjellje përtej petkut të diplomatit, dje ka ardhur një deklaratë nga strukturat më të larta të Departamentit Amerikan të Shtetit, duke rrëzuar çdo deklaratë dhe pretendim të tij. Tre ditë më parë, Lu sulmoi ashpër kreun e opozitës, Lulzim Basha, duke thënë se ai nxjerr gjithmonë pretekste për të bllokuar reformën. Mirëpo dje ka ardhur një deklaratë e ndihmës sekretares amerikane, Viktoria Nuland, e cila ka vlerësuar lart figurën e Bashës dhe rolin e tij për reformën në drejtësi. Bëhet fjalë për dy qëndrime krejt të kundërta. Kjo tregon se DASH e ka humbur besimin te Lu, teksa hedh dyshime se qëndrimet e tij për reformën ndoshta nuk shprehin qëndrimet e SHBA, por janë personale. Deklarata e Nuland erdhi pas një telefonate që zhvilloi me kreun e PD, Lulzim Basha. Sipas Partisë Demokratike, Nuland e ka cilësuar Bashën patriot për vendin. “Me qëndrimet dhe veprimet e tua ke dëshmuar se je një patriot për vendin dhe interesat e tij”, mësohet të ketë thënë Nuland, sipas njoftimit të PD-së. Ndihmës sekretarja amerikane më tej theksoi se ky sukses nuk do të kishte qenë i mundur pa lidershipin e treguar nga Basha. Sipas PD, kryetari i Partisë Demokratike shprehu mirënjohjen e thellë për ndihmën vendimtare të zonjës Nuland për arritjen e konsensusit dhe për vëmendjen dhe mbështetjen e palodhur e të jashtëzakonshme të treguar që në ditën e parë të këtij procesi e deri në finalizimin e tij. “Basha shprehu vlerësimin e jashtëzakonshëm dhe mirënjohjen për ambasadorin Donald Lu, i cili ka luajtur një rol kyç në këtë proces të gjatë, të mundimshëm dhe të vështirë. Basha theksoi se ky proces historik u mbyll me sukses, dhe duke garantuar standardet më të larta pikërisht nga mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që edhe një herë iu gjenden në krah Shqipërisë dhe shqiptarëve, si në ngjarjet e tjera madhore që nga shtetformimi, anëtarësimi në NATO dhe pavarësia e Kosovës”, njoftoi PD. Basha në komunikimin me Nuland, ka thënë se sfida e radhës tani janë zgjedhjet, ku duhet të punohet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në këtë aspekt ai mori mbështetjen e SHBA.

 

Përplasjet me Lu

Partia Demokratike ka pasur përplasje të forta me ambasadorët e SHBA dhe BE në vendin tonë. Këta të fundit dolën hapur krah qeverisë, pasi mbështetën planin e Ramës për të miratuar reformën edhe pa votat e opozitës. Madje, Lu zhvilloi takime me një sërë deputetë të PD, që t’i bindte të tradhtonin qëndrimin e Bashës. Ndaj tij ka pasur tre deklarata të fuqishme, duke treguar se marrëdhëniet mes PD dhe Lu janë të tensionuara. Mirëpo dje doli një fakt interesant se SHBA nuk ndan të njëjtin qëndrim me Donald Lu. Ndërkohë, të enjten dolën në dritë dhe mesazhet që ambasada u kishte dërguar disa deputetëve duke i kërcënuar.

 

Reagon DASH

Për reformën në drejtësi dje ka pasur një reagim dhe nga vetë Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili ka vlerësuar punën e të gjithë klasës politike. “Kalimi i reformës është një hap historik për Shqipërinë. Kalimi i reformës, ky sukses i përket shqiptarëve. SHBA është e angazhuar në zbatimin e reformës në Shqipëri. Liderët e vendosën Shqipërinë në anën e duhur të historisë”, thuhet në reagimin e DASH.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here