Projektligji për amnistinë/ Falen detyrimet e papaguara për automjetet, ja kush përfiton

0
142

Në projektligjin për amnistinë është parashikuar një nen, i cili fal edhe detyrimet e papaguara për automjetet. Ministria e Financave sqaron se cilët individë do të përfitojnë. “Ligji çregjistron të gjitha automjetet, të cilat pas datës 31 dhjetor 2011, nuk janë paraqitur për të bërë pagesën e taksave në Drejtorinë e Shërbimit të Transportit”, shpjegon Niko Lera nga Ministria e Financave. Pra kushti i vetëm për të përfituar nga falja është që detyrimet të kenë filluar para 1 janarit të vitit 2012. Kjo do të thotë se një individ, i cili nuk ka paguar taksat e automjetit për periudhën nga viti 2010 deri në 2016-ën përfiton, ndërsa një individ tjetër, i cili ka detyrime të papaguara nga viti 2012 deri në vitin 2016 nuk përfiton. “Nëse ke kryer veprime dhe në 2012, nuk do të jesh objekt i kësaj klauzole, por duhet që të shkosh dhe të paguash taksat për vitet që nuk ke paguar, bashkë me penalitetet përkatëse”, thotë Lera. Sipas draftit afati i fundit i faljes është data 31 mars 2017. Pas kësaj date mjetet debitore do të çregjistrohen automatikisht ose me kërkesë të vetë përdoruesve pa asnjë pagesë. Por si do të veprohet me ata individë që duan të mbajnë automjetet debitore? “Nëse do ta mbajë përsëri mjetin, mund të shkojë dhe të paguajë vetëm taksën për 2012 e këtej dhe të mbajë mjetin në qarkullim”, deklaron Niko Lera. Edhe pse nuk ka një shifër zyrtare, përllogaritjet tregojnë se nga ky draft mund të përfitojnë 100 mijë automjete. Ndërkohë nga ana tjetër kanë ndryshuar rregullat e kolaudimit për mjetet e transportit publik, që tashmë do të kalojnë 2 herë në vit kontrollin fizik të automjetit. Është ky një urdhër i firmosur nga ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto, që përfshin autobusët, furgonët dhe taksitë.  Në urdhër thuhet  se këto mjete duhet të plotësojnë kushtet që lidhen me sigurinë dhe komoditetin e udhëtarëve e njëkohësisht edhe me pastërtinë. Sipas urdhrit të ri, autobusët, përveçse derës së parë, duhet që të ketë edhe një derë të dytë emergjence që të jetë funksionale. Po kështu, pamja e jashtme e autobusit nuk duhet të ketë deformime dhe mos të ketë mbishkrime, përveç emrit të subjektit transportues,  Afati kohor i kryerjes së kontrollit teknik periodik të detyrueshëm është 6 muaj pas kryerjes së kolaudimit që është i detyrueshëm për të gjitha automjetet.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here