Shanset e partisë së re tek e majta, si Blushi po lobon projektin “alternativa e re”

0
115

Blushi nis projektin e alternativës së re: Rilindja s’bën asnjë punë, sheh vetëm lekët

Në takimin me socialistë të Dibrës, Blushi dhe Hafizi kritikuan vendimmarrjet në parti si edhe  qeverisjen “Rama” : Ai harxhon para për lluks dhe nuk harxhon para për rrugë

 

Gëzim Saliu

 

 

Një ditë pasi lajmëroi domosdoshmërinë e një alternative të re për vendin, deputeti i PS-së Ben Blushi mblodhi dje në një takim socialistët e Dibrës, ku shprehu një sërë piketash për ndryshimin e qeverisjes së vendit. I shoqëruar nga Mimoza Hafizi, Blushi u shpjegoi pjesëmarrësve përse grupi që ai kryeson po flet kundër linjës së partisë dhe qeverisë. “Rilindja nuk bën asnjë punë sepse nuk merret me njerëzit , por sheh vetëm lekët. Nuk sheh sa të varfër ka, sa të papunë ka, sa korrupsion ka. Këto janë hallet e njerëzve. Kjo është arsyeja që ne kemi ardhur për ti biseduar këtu”. Më tej deputeti “rebel” brenda PS-së akuzoi qeverinë se po bën shpenzime luksi, duke mos investuar në infrastrukturë dhe në zbutjen e varfërisë. “Ai harxhon para për lluks dhe nuk harxhon para për rrugë dhe kjo është arsyeja që Rruga e Arbrit nuk do bëhet. Sepse Rilindja ka edhe një problem tjetër, nuk e njeh Shqipërinë. A i keni parë ndonjëherë ministrat të vijnë këtu e të flasin me ju”, pohoi ai.

 

Alternativa e re

 

Pas punimeve të Asamblesë Kombëtare, Blushi deklaroi dy ditë më parë se vendit i duhet patjetër një alternativë e re. Kjo ishte hera e parë që deputeti socialist artikuloi kaq hapur nevojën e një alternative të ndryshme nga ajo që Rama kryeson, duke lënë të hapur mundësinë e krijimit të një partie të re. “Shqipërisë i duhet një alternativë e re. Shqipëria po e mendon më shumë se unë për një parti të re. Shqipëria po përpiqet të gjejë një zgjidhje të shpëtojë nga Rilindja dhe nga PD-ja, janë 2 fatkeqësi kombëtare. Një kërkon ta armatosë, tjetra po e zhyt në borxh publik, e kërkon kanabis. PD shkon për armatosje, kjo tjetra për kanabis. Shqipëria ka nevojë për një alternativë të re, nuk e di kush do t’ia japë”, u shpreh ai. Ndonëse asgjë nuk është zyrtarizuar, duket se mbështetja që do marrë alternativa e re e Blushit nga ata që cilësohen si socialistët kritikë të politikës së Ramës do jetë e madhe. Emrat që mund të përfshihen në lëvizjen e Blushit janë të shumtë, duke nisur nga mbështetësit aktualë si Hafizi, Legisi, Ago,  Bello, Hakrama, Kalo e Nikolli deri tek honorifikët Arta Dade dhe Rexhep Mejdani. Përfshirja e këtyre dy të fundit në lëvizjen Blushi, nëse ajo do të krijohet, do të ishte një humbje jo e vogël për PS-në, duke ditur rëndësinë historike të këtyre figurave për forcën më të madhe në vend, sidomos të Dades që vazhdon të jetë ende aktive në jetën politike. Ndërkaq, pak kohë më parë zërat mediatike folën edhe për mbështetjen e ish-kryeministrit Fatos Nano ndaj kauzës së Blushit dhe shanseve të bashkëpunimit mes tyre. Përpos faktit se lideri historik i PS-së ka munguar gjatë në jetën politikë, mundësia e rikthimit të tij, ashtu siç ka ndodhur në 10 vitet e fundit për garën Presidenciale, nuk do ishte fare surprizuese. Por shanset që Nano të rinisë jetën politike aktive në mbështetje të një lëvizje me në krye Blushin, duket se janë fare të pakta. Më shumë mundësi ka që ai të mbështesë publikisht këtë lëvizje të re në të majtën shqiptare, ashtu si në rastin e kandidimit të pavarur të Arben Malajt në 2013-ën, ndonëse ky i fundit duket se është ende larg pikëtakimit me Ben Blushin.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here