Fshehja e të dhënave, gjykatat për 4 vite “injoruan” udhëzimin e Komisionerit

0
201

 


ggggg Katër vjet nga nxjerrja e udhëzimit të Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, kërkohet ndërhyrja e Ministrisë së Drejtësisë për ta vënë në zbatim. Si e ka zgjidhur Gjykata e Krimeve të Rënda situatën? Po Shkalla e parë?

Alma Çuka 

 

Vendimet gjyqësore nuk duhet të publikohen të plota në internet. Gjeneralitetet e personave që ndodhen në një proces gjyqësor penal apo civil  duhet të deklarohen me iniciale. Vendbanimi, numri i telefonit, targa e makinës dhe çdo detaj tjetër që lidhet me një person në gjykim, duhet të jenë të koduara. Ishte fundi i vitit 2011, kur ish-Komisioni për Mbrojtjen e të Dhënave Personale,  Flora Çabej, e konsultuar dhe me partnerët ndërkombëtarë, nxori një udhëzim,  në bazë të të cilit do të ishin të mbrojtur të gjithë  personat që ndodheshin në një proces gjyqësor. Ky udhëzim mban datën 23 dhjetor 2011. Që nga ajo kohë kanë kaluar katër vite. Udhëzimi mbeti  vetëm në letër dhe i pamundur për tu zbatuar nga sistemi gjyqësor. Ndonëse në fund të tij përcaktohej qartë hyrja në fuqi, gjashtë muaj pas botimit në fletoren zyrtare, kjo praktikë nuk u zbatua asnjëherë. Po çfarë kërkohet nga komisioneri dhe si janë përgjigjur gjykatat këtij udhëzimi?  Pse kjo praktikë mbeti e pazbatuar në disa gjykata dhe si vepruan disa të tjera?  Këtyre pyetjeve jemi munduar t’i gjejmë përgjigje, pikërisht në këtë moment, kur Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave, i është rikthyer  kërkesës për zbatimin e udhëzimit të vitit 2011.

 

Kërkesa e komisionerit

Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, ardhur në detyrë vitin që kaloi, nxorri nga sirtaret udhëzimin e vitit 2011 dhe vetëm pak kohë më parë ia ka nisur atë të gjitha gjykatave në vend. Ky institucion është vënë në lëvizje pikërishtë në kohën kur qeveria është përkushtuar në reformimin e sistemit të drejtësisë, si një nga prioritetet e vendosura nga Bashkimi Evropian. Çfarë kërkohet nga kjo zyrë dhe si është vepruar deri tani?  Në jemi interesuar pranë zyrës për të drejtën e informimimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale dhe na është kthyer një përgjigje zyrtare dhe e prerë nga ana e Komisionerit Besnik Dervishi.

 

Që nga viti 2011 ka dalë një udhëzim për fshehjen e të dhënave personale nga administrata gjyqësore, pas përfundimit të një procesi. A ka gjetur zbatim ky vendim?

 

Zyra e Komisionerit (edhe nën asistencën e ekspertëve ndërkombëtarë) ka miratuar udhëzimin nr.15/2011 “Për përpunimin dhe publikimin e të dhënave personale në sistemin gjyqësor”. Prej këtij momenti është sistemi gjyqësor që duhet të zbatojë atë.

 

Po kush ka të drejtë ta administrojë këtë praktikë?

Fakti që programi elektronik administrohet nga Ministria e Drejtësisë, obligon këtë të fundit të japë zgjidhje konkrete. Në muajin mars 2015 në kuadër të kësaj nisme një grup pune nga Ministria e Drejtësisë dhe Zyra e Komisionerit ka bërë të mundur  hartimin e  projekt /udhëzimit  “Për anonimizimin e të dhënave personale në vendimet gjyqësore që publikohen në portalin elektronik të gjykatave”, i cili parashikon mënyrën e implementimit të këtij udhëzimi. Por për këtë qëllim aktualisht jemi në pritje të një projekt akti  nga  Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani.

 

Çfarë kërkohet të arrihet me këtë udhëzim dhe ku është mbështetur?

 

Në rastin konkret bërja anonime e të dhënave është krejtësisht ligjore pasi për njohjen e një arsyetimi vendimi ku konkretizohen palë ndërgjyqëse, probleme të shtjelluara për to, identifikime të të dhënave personale apo edhe sensitive, ku preken interesa të minorenëve, ku identifikohen divorce me fajësi, etj, nuk ka interes të rëndësishëm për mbarë publikun e për rrjedhojë nuk mund të trajtohen si vendime ku prevalon interesi i rëndësishëm publik. Berja e transparencës nuk duhet të shkelë privatësinë e një individi që në rastin konkret është palë ndërgjyqëse. Kjo kërkesë është identifikuar edhe në P/Raportet e BE-së për Shqipërinë dhe njëkohësisht është adresuar për tu përmbushur nga Ministria e Drejtësisë.

 

 

Por si e ka zgjidhur Gjykata e Krimeve të Rënda këtë situatë?

 

Kryetari i Gjykatës së Krimeve të Rënda,  Sandër Simoni  është vënë në dijeni për të dytën herë lidhur me udhëzimin e komisionerit, i cili ndalon publikimin e të dhënave personale për personat e dënuar për krime të rënda. I pyetur nga gazeta “Standard” Simoni deklaroi se është mundur të gjej një zgjidhje lidhur me udhëzimin, me qëllim për të mos i dalë kundër. Ai shprehet se në vendin tonë mungon një praktikë e tillë. Ndërsa shton se administrata e gjykatës që ai drejton nuk ka trajnim profesional për këtë qëllim. Simoni ndryshe nga gjykatat e tjera në vend, ka vendosur t’i përmbahet udhëzimit, por në mënyrë të prerë. Ai nuk ka publikuar në faqe asnjë vendim gjyqësor të zbardhur nga trupat gjyqësore. Sipas tij seancat janë të hapura dhe të gjithë kanë të drejtë ta ndjekin atë. Por të dhënat në internet nuk janë publikuar. “Në bazë të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale  kështu duhet të jetë, vendimet nuk duhet të publikohen. Një udhëzim i komisionerit  na detyron  që ti anonimizojmë të dhënat personale në vendime para se ti publikojmë. Por një praktikë e tillë nuk është e njohur këtu tek ne. Ndërsa në vendet evropiane  kështu veprohet. Në donim  të bënin diçka të tillë  që në vitin 2011, por e kishim të pamundur për shkak se nuk kishim staf të kualifikuar në trajtimin e të dhënave personale dhe korrektimin gjuhësor të vendimeve. Prandaj  dhe ne nuk i publikojmë vendimet. Kështu thotë edhe udhëzimi i Komisionerit të të dhënave personale”, u shpreh për gazetën Kryetari i Gjykatës së Krimeve të Rënda Sandër Simoni.

 

 

Gjykata e shkallës së parë  nuk i janë përmbajtur udhëzimit.

Ndryshe nga krimet e rënda, shkalla e parë e gjyqësorit ka bërë të kundërtën. Askush nuk i ka kushtuar vëmendje udhëzimit pavarësisht faktit se kërkohej implementimi i tij në formë të prerë. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka vazhduar gjatë gjith ëkësaj kohe të pubikojë vendimet gjyqësore pa i censuruar ato. Sipas drejtuesve të kësaj gjykate kjo është bërë për shkak të mungesës së kualifikimit të duhur të punonjësve. Ndërkohë Vetëm pak ditë më parë në faqen e internetit të Gjykatës së Tiranës është vendosur njoftimi  se së shpejti do të bëhet i mundur fshehja e të dhënave personale për të gjithë personat që janë shpallur fajtor për një vepër penale. Po kështu të dhënat do të fshihen edhe për një kategori të caktuar të vendimeve civile. Mësohet se ende stafi i administratës nuk është trajnuar për mënyrën se si do të implementohet ky udhëzim, por drejtuesit kanë marrë urdhër ta vënë në zbatim udhëzimin edhe në kuadër të  kryerjes së reformës në drejtësi. Kjo është një nga pikat kryesore të punës së administratës, pas asaj të mbajtjes së të dhënave personale dhe hedhjes së tyre në faqen kryesore të gjykatës.

Akti i Ministrit të Drejtësisë

Komisioneri për mbrojtjen e të dhënave, Besnik Dervishi, për të vënë në zbatim udhëzimin, i është drejtuar Ministrit të Mbrojtjes Ylli Manjani. Është ky i fundit, që duhet të nis drejt gjykatave të rretheve gjyqësore, kërkesën për të vënë në zbatim udhëzimin, i cili në katër vite është “injoruar”. Burime nga Ministria e Drejtësisë bëjnë me dije për gazetën “Standard” se drejtuesit e gjykatave janë njohur me udhëzimin dhe shumë shpejt do të kenë edhe aktet e hartuara nga zyra e kodifikimit, me qëllim vënien në zbatim të udhëzimit. Pritet që gjithçka të përfundojë brenda një kohe të shkurtër.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency