Policia me përgjues në trup, Ministria e Brendshme vendos t’i mbajë nën vëzhgim 24 orë

0
245

40bc5ff1-81f7-4269-9fc8-dd9346c8a512-1Projekti vetëm është lançuar. Pritet të vihet në zbatim në ditët në vazhdim, vetëm në Tiranë. Korrupsioni në polici ka arritur kulmin. Në dy vite janë proceduar 2 mijë punonjës policie

Alma Çuka

Policia tashmë  do të jetë e monitoruar 24 h/24. Kështu ka vendosur qeveria e cila përmes ministrit të brendshëm Sajmir Tahiri ka prezantuar projektin. Ende nuk është vënë në zbatim. Por kryeministri edi Rama dhe ministry i brendshëm Sajmir Tahiri janë të bindur se shumë shpejt projekti do të zbatohet fillimisht në Tiranë dhe më pas në qytete të tjera. Pra qeveria pretendon të zbusë korrupsionin në kryeqytet, për të zbritur më pas në qytetet e tjera.  Qeveria është e bindur se së fundmi ka gjetur mënyrën për t’i thënë jo korrupsionit në radhët e policisë. Pas paraqitjes së uniformave të reja, për të cilat ka pasur shumë komente në publik lidhur me ngjyrën dhe prerjen e tyre,  Ministria e Brendshme kalon më tej. Ajo pajisë të gjithë uniformat blu me kamera trupore. Përmes këtij mekanizmi që do të vendoset në trupin e punonjësve të policisë, do të mund të  përmirësohet performanca në punë e uniformave blu, do të luftohet korrupsioni  dhe do të rritet besimi në publik. Kjo formë e kontrollit të punës në polici, do të jetë edhe garanci për qytetarin, që pret vetëm zbatimin e ligjit me korrektësi. “Bëhet fjalë për një mjet të domosdoshëm në trupin e punonjësit të Policisë, i cili nuk mund të manipulohet, nuk mund të fshihet, nuk mund të jetë instrument në dorën e tij, por është mjeti më i paanshëm, mbi interesin e punonjësit e Policisë e për interesin e qytetarit. Në këtë mënyrë, çdo punonjës policie do jetë i monitoruar 24h/24. Madje pa e kuptuar. Salla e Komandimit do mund të hyjë në veprimtarinë e tij të përditshme, në punën e tij me qytetarët, për të parë nëse punonjësi i Policisë respekton ligjin, kryen detyrën në mënyrën e duhur dhe i shërben qytetarit ashtu siç presim ne dhe qytetarët vetë”, tha ministri Tahiri.

Por sa do të funksionojë kjo praktikë?

Kamerat në trupin e punonjësve të policisë do të bëhen active vetëm atherë kur ka ankesa nga qytetarët. Të paktën kështu ka deklaruar gjatë ditës së djeshme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Por a do të mund të kontrollohen këto kamera çdo ditë dhe sa mund t’irezistojnë kohës?. Këtë përgjigje askush nga specialistët nuk di ta thotë.  Pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të bërë diçka ndryshe, specialistët e policisë thonë se do të jetë e pamundur mbajtja nën vëzhgim e 10 mijë uniformave të policisë gjatë kohë që ato janë në detyrë. Ministri Tahiri deklaroi se me kamerën e trupit punonjësi i Policisë nuk ka më mundësi as të bëhet pre e presionit, as të bëjë favore në emër të kujtdo që nesër mund të shkelë ligjin. Sepse sipas tij, vetë punonjësi i Policisë i monitoruar me kamera do e ketë krejtësisht të pamundur të mos e zbatojë ligjin.  Brenda dy viteve korrupsioni në radhët e policisë ka arritur kulmin. Statistikat bëjnë me dije se janë rreth 2 mijë punonjës policie që gjatë kësaj periudhe janë proceduar për shkelje në detyrë. Policia shqiptare është e para në Ballkan që aplikon këtë instrument. “Ky program i revolucionit teknologjik në Policinë e Shtetit është një mundësi e pazëvendësueshme, për të realizuar një transparencë të plotë në të gjithë veprimtarinë e forcave tona të rendit. Transparenca i jep mundësi drejtuesve, i jep mundësi punonjësve, i jep mundësi qytetarëve, i jep mundësi komuniteteve, i jep mundësi partnerëve të lexojnë çdo aspekt të kësaj veprimtarie dhe ballafaqon Policinë e Shtetit me mundësinë që çdo ditë të realizojë ambicien e madhe, për të qenë një polici që nuk ka dallim me policitë e Bashkimit Europian”, tha kryeminmistri Edi Rama në fjalën e tij.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency